“Ma ndërprenë kontratën pas gjashtë shfaqjeve”, tenori Klodjan Kacani me letër të hapur për Abigeila VoshtinaIa

4 Nëntor, 2024 - 2:51 pm

Klodjan Kaçani

Të dashur miq, po shkruaj këtë letër të hapur që personazhe si drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Znj. Abigeila Voshtina, që mendojnë se me pushtetin institucional besoj dhe politik mund t’i mbyllin gojën kujtdo, e kanë gabim.

Mendoj që asnjëherë nuk është vonë për të reaguar publikisht, sidomos kur guxohet të abuzohet me dikë që arritjet në jetë i ka veç falë punës së tij e jo partisë apo nepotizmit, siç ndodh në vendin tonë jo rrallë herë.

Po çfarë ndodh nëse dikush nuk e ka mundësinë, fatin, të lërë vendin e tij që të mos jetë i nënshtruar nga drejtorë abuzues me postin?

Për fat të keq, nuk ndodh asgjë; thjesht duhet të heshtin, sepse Shqipëria ka vetëm një Teatër Opere, dhe nëse kërkon të drejtën tënde, dinjitetin, si Njeri dhe Artist në atë sistem abuzues, thjesht e sheh veten në mes të rrugës pa kurrfarë alternative, mbështetje ligjore, sepse sindikata ekziston vetëm si emër.

Normalisht, fenomeni i të qenit i abuzuar/mashtruar do të më prekte dhe mua personalisht, sepse është normale, je në Shqipëri, aty ku mund të bëhesh Drejtor pa e ditur se çfarë do drejtosh, ku lëkura bëhet më e trashë se sholla e këpucës, sepse mungon ndershmëria me veten.

Abigeila Voshtina erdhi si drejtor artistik në rrethana, mendoj, dyshuese në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, violiniste, që nuk guxoj të jap mendim, por mund të jap mendim shumë mirë për atë çfarë ajo kishte marrë përsipër të drejtonte pa kurrfarë eksperience dhe me një mungesë të theksuar njohurie në kufijtë e absurdit për botën e operës dhe vokalit!

Kaosi dihet, pasi janë shkruar peticione (që nuk u morën asnjëherë në konsideratë, pasi nuk është e lehtë kur politika ulet këmbëkryq në institucion shtetëror) dhe është folur mediatikisht për fenomenin Voshtina.

Një ditë shkurti të 2024 më vjen një ftesë për bashkëpunim nga drejtori artistik i T.K.O.B., ndodhesha në Teatrin Regio di Torino, duke qenë ‘cover’ i rolit kryesor në operën “Un Ballo in Maschera” që drejtohej nga M° Riccardo Muti, dirigjenti më i madh i kohës sonë, ku kam patur fatin të drejtohem prej tij që prej vitit 2022 në “Requiem Verdi” dhe “Norma”.

Duke u bazuar në karrierën time, drejtori artistik i T.K.O.B. më shpreh dëshirën për të qenë pjesë e teatrit si solist dhe për t’i ardhur në ndihmë teatrit.

Normalisht refuzoj, pasi cili artist shqiptar apo i huaj lë karrierën e tij dhe e pranon si ofertë?

Absurde të mendohet!

Teatri i operës ka qenë si një shtëpi për mua dhe është e paçmueshme të këndosh në vendin tënd , gjithashtu jam në dijeni të vështirësive të buxhetit që ka teatri për të blerë artistë, e në këtë rast Tenor.

Për të dhënë ndihmën time dhe duke qenë empatik ndaj situatës ekonomike, u ofrova si alternativë Drejtorëve që do të merrja përsipër të këndoja role të solistit të parë në disa produksione në vit (shumë të kushtueshme) kundrejt pagesës mujore si solist dhe duke qenë i lirë për karrierën time dhe angazhimet e mia personale kur nuk kisha impenjime në teatër.

Ndoshta kjo që sugjerova, nuk është mënyra më e mirë, por unë ketë mundësi pata dhe këtë ofrova.

Kjo për disa arsye:

1- duke qenë i vetëdijshëm për mundësitë e vogla të Teatrit

2- duke dashur të japë kontributin tim në Teatër.

3- duke mos i vënë shkelmin axhendës dhe karrierës sime në skenat ndërkombëtare.

Të kënaqur që u ra dakord në mundësinë e vetme që mund të ofroja si ndihmë, mora pjesë në audicionin publik sipas procedurës që teatri kishte shpallur për vendin vakant Tenor.

Ende pa bërë 2 javë që kisha firmosur kontratën si solist, mora përsipër të debutoja në kohë shumë të shkurtër 2 shfaqje në operën “La Boheme” që teatri kishte vendosur në kalendar.

Nuk kaloi 1 muaj dhe mora përsëri përsipër të këndoja 4 shfaqje në operën e rradhës “Madama Butterfly”, duke i kursyer teatrit një shumë sa minimalisht 20% e buxhetit, sa une do isha paguar privatisht.

Sipas dakordësisë që unë do të isha i lirë pas shfaqjeve, vazhdova angazhimet e mia personale jashtë Shqipërisë duke njoftuar drejtorin artistik, i cili ma konfirmon me telefonate, pasi ndodhej jashtë për impenjimet e tij private gjithashu.

Si falënderim për mundin jo pak të vogël që mora përsipër, me të mbaruar kontrata 3 “muajt e provës” më vjen një email ku më thuhet që kontrata nuk mund të rinovohet me arsyen se e kanë të vështirë të më justifikojnë kur unë jam larg teatrit, sepse shkel rregullat e kodit të punës me mosprezencën time çdo ditë në teatër për firmosur, që vetë më thanë se jam i lirë të largohem pa problem!

Çuditërisht, ligjin e kodit të punës drejtoresha me karrierë ne T.K

O.B. rreth 11-vjeçare e zbuloi pasi përfundoi “hallet” e saja…

Shumë veprim inteligjent për të përfituar një Tenor që tu bëjë 2 produksione ose 6 shfaqje me 3 muaj kontratë solisti ,urime!

Znj. Voshtina për takim sqarues te kësaj pabesie nuk kishte asnjëherë kohë pas mbarimit të produksioneve, pasi ishte shumë e zënë !

Më vjen veç një email, e cila e çuditur nuk paska qenë asnjëherë në dijeni të paktit që unë me Drejtorin Artistik ramë dakord dhe morëm konfirmimin në telefon nga vetë ajo për paktin!

Pra, sipas saj, do të lija karrierën dhe do të kthehesha në teatër si punonjës që firmos prezencën ditore, qesharake!

Znj Voshtina tashmë që pushtetin e drejtorllëkut të përgjithshëm e ke në dorë, mund ta shfrytëzosh edhe ti sado pak dhe më në fund t’i biesh violinës diku në sajë të shkëmbimit të favoresh (qokash), siç akuzohesh prej kohësh, qoftë në rrugë ligjore apo koridore, e kështu të kënaqësh egon.

Sa mirë që kodi i punës eshte thjeshtë letër bakalli për drejtorë, që mund ta ushtrojnë karrierën lirshëm.

Ne intervisten qe patët dhënë gjat kohës që unë ju kisha marr përsipër operën Madama Butterfly gazetarja, Znj. Egla Xhemali ju bën një pyetje në lidhje me mosprezencën e vazhdueshme te Drejtorit Artistik, përgjigja juaj në ketë rast ishte se Drejtori Artisik e do teatrin dhe nuk është e nevojshme të jetë çdo moment sepse fiziciteti nuk ka lidhje me produktin, gjithashtu se ju keni kursyer shumë në ketë rast!

Megjithatë, mua në e-mail me citoni që ju në fakt zbatoni vetëm ligjin (ndoshta sepse unë nuk mund të ofroja diçka në këmbim, si p.sh. koncerte jashtë shtetit..e perkthyer ndryshe në perfitim financiar, ndoshta)

Puritania Abigeil.

( Linku ku Znj. Voshtina shprehet qartë për dy standartet që ajo mbanë.

https://youtu.be/86wdlKn37zg?si=fCZEVK_GgBJifwmW )

Ju premtoj, miq, që do të rikthehem në T.K.O.B. vetëm kur ky njeri abuzues nuk do të jetë më në krye të institucionit më të lartë kulturor, ku Shqipëria prezantohet në botë!

Dhe me një pjesë të shkëputur nga autori F. Schiller, ju përshëndes nga Teatri Giuseppe Verdi i Tirestes ku do të interpretojë rrolin e Alfredos në operën La Traviata që hap sezonin artistik 2024/25.

“Arti është bijë e lirisë dhe nuk duron të marrë urdhrin nga nevoja e materies, por nga domosdoshmëria e shpirtrave.”

(P.S. Denoncimin si institucion në gjykatë po ta kursej dhe kësaj radhe, njësoj si në 2015 me konkursin e punësimit, ku më je lutur për takim pas letrës që do të shkonte në gjykatë për shkeljet që kishe bërë kundrejt meje dhe artistëve të tjerë të rinj. Gjithsesi, të ftoj të më denoncosh për shpifje nëse mundesh, dhe e shohim sa gjëra të bukura do të dalin në dritë.🙂)/ KultPlus.com

Të ngjajshme