21 Janar, 2020 - 12:00 pm
Nga: Munish Hyseni
Ibrahim Rugova është një personalitet i njohur, i botuar dhe i studiuar kryesisht si estet, kritik e teorik i letërsisë dhe si prijës e krijues i pavarësisë së shtetit të Kosovës. Gjatë punës sime tashmë të përfunduar për një bibliografi për dhe mbi Rugovën, kam vërejtur se shumë pak është thënë e shkruar për kontributin e tij në fushën e bibliografisë dhe atë të përkthimeve. Po thuaj se nuk ka më shumë se tre a katër autorë të cilët janë marr me Rugovën si bibliograf e përkthyes dhe këtë e kanë bërë qoftë kur shkruajnë për ndonjërën prej veprave të tij apo edhe kur shkruajnë për ndonjë autor tjetër si ndihmë për arsyetim e argumentim të asaj që shtrojnë në studimet e tyre. Në këtë mes po përmendim Tahir Foniqin, Ilir Shytën e Albanë Mehmetajn për bibliografinë, Iljaz Kadriun mbi përkthimin e librit Nocione të estetikës të Sharl Lalos.
Rugova bibliograf
Puna bibliografike e Rugovës e botuar në gazeta e revista dhe në veprat e tij për kah rëndësia dhe vëllimi e rendit atë ndër bibliografët më të rëndësishëm të kohës. E konsiderojmë të tillë thjesht për shkakun se me punën e tij bibliografike Rugova ka vu themelet e bibliografisë komentuese te ne, apo siç thotë një bibliograf i ditëve tona Ilir Shyta “Ibrahim Rugova ngelet pionieri i parë i kësaj metode për bibliografinë e arsyetuar”.
Përpjekjet e para për këtë lloj metode (për bibliografinë e komentuar) i gjejmë në kapitullin e IV. Vlerësime të librit Strategjia e kuptimit botuar më 1980. Në këtë kapitull që lidhet me vlerësimin e vëllimeve poetike të botuar në Kosovë në periudhën kohore 1945-1979 ai bënë cilësime vlerësuese për secilin autor dhe vëllim poetik. Kjo punë e bërë në këtë libër nuk është përmendur thuaj se asnjëherë publikisht. Ndoshta edhe për shkakun se metoda që përdor dhe rezultatet që nxjerrë në studimin e tij janë konsideruara si punë jo serioze varësisht prej “notave” që kanë marrë librat e komentuar apo edhe për shkaqe të mos njohjes së kësaj fushe.
Këtë punë dhe këtë metodologji Rugova e ka finalizuar në librin Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983.
Në strukturën e kësaj monografie një vend me rëndësi për librin e në veçanti për bibliografinë zë kapitulli Bibliografi. Përmes saj Rugova ka treguar se ka dije të thellë edhe nga fusha e bibliografisë. Kapitulli i këtij libri i takon llojit të bibliografisë përshkruese e pjesa më e madhe saj komentuese për çka edhe është i ndarë në: 1. Bibliografi përshkruese e librit 1861 – 1944; 2. Bibliografi komentuese e kritikës në shtypin shqiptar 1883-1944 dhe 3. Lista e organeve të shtypit 1848-1944. Rëndësia e veçantia e bibliografisë komentuese qëndron në hulumtimin, arkivimin dhe dijen mbi metodat dhe analizat e teksteve që individi përpiqet që lexuesit e studiuesit t’ia jap jo si informim por si komentim tekstesh. Prandaj edhe dija teorike e estetike e Rugovës i ka mundësuar atij që secila njësi bibliografike të merr përmasat e tilla komentuese e vlerësuese. Me të drejtë studiuesja Albanë Mehmetaj duke analizuar këtë vepër dhe kapitullin në fjalë të Rugovës konstaton “ se Rugova merret intensivisht e sistematikisht me këto dy probleme (është fjala për kritiken letrare dhe bibliografisë kritike) del qartë, sepse kur diskuton për kritikën shpeshherë komenton si bibliograf, duke hetuar çdo detaj, kur diskuton për bibliografinë, merr përsëri rolin e kritikut, duke vlerësuar e komentuar tekste të ndryshme”.
Natyrisht që kjo punë shkon përtej referencave bibliografike, mbi të gjitha përmes saj Rugova jo vetëm që vë në dijeni të ekzistimit të shtypit të kohës përkatësisht teksteve por përmes komentimit të së cilës njësi i jep trajtim shkencor, të zotërueshëm e të shndërrueshëm për komunikim me të tjerët dhe në kursim kohe.
Përfundim: Rugova, me hartimin e disa bibliografive, jo vetëm që dëshmon një punë të jashtëzakonshme, por të gjithë ata që merren me këtë e dinë se ç’punë kolosale i është dashur për ta mbledhur, arkivuar, renditur e komentuar informacionin, që me qartësinë e rrjedhshmërinë e tij e shndërrojnë atë në pjesë komunikimi dhe të dobishëm sot dhe në të ardhmen. Shpresojë se kjo do të ndikojnë në të ardhmen në zgjerimin dhe pasurimin e këtij lloji bibliografik që do të mundësonte konsolidimin e një dege të veçantë për këtë fushë.
Rugova përkthyes
Ibrahim Rugova në gjuhën shqipe ka përkthyer poezi, prozë, ese, kritikë letrare, studime estetike e deri edhe fejtone kryesisht nga gjuha frënge, ruse dhe serbokroate. Tashmë dihet se krijimtarinë e vet letrare e nisi me poezi e të njëjtën gjë e bëri edhe me përkthime të cilat nis ti botojë në vitin 1968, për të vazhduar përgjatë viteve të ’70 e përfunduar në vitet ’80 të cilat gjenin hapësirë publikimi në gazetat e revistat tona kryesisht te Rilindja, Jeta e re, Fjala, Bota e re, Zëri i rinisë.
Përkthimi i parë i botuar është poezia Poeti e Sergej Jeseninit te “Zani i rinisë”, Prishtinë, 1968, 27 prill, nr. 17-18, f. 6, dhe i fundit është një tekst i Radosllav Katiçiqit Mbi gjuhën e ilirëve, botuar te “Fjala”, Prishtinë, 1988, 1 – 15 dhjetor, nr. 21 – 22., f. 1, 7.
Çka dhe kë përktheu Rugova? Shumica e teksteve të përkthyera janë të lidhura me prirjet, interesimet dhe leximet personale të tij. Rugova ka përthyer poezi të Jeseninit, Ahmatovës, Jeftushenkos, Voznesenskit, Bllokut, Vesna Parunit, Dane Zajc, Lermontovit etj., disa poezi e proza të autorëve serbë e kroatë, pastaj tri fejtone për Kafkën, Dostojevskin e Jeseninin.
Pa dyshim përkthimet më të rëndësishme të Rugovës mbesin ato të cilat lidhen me kritikën letrare, teorinë, estetikën e filozofinë qofshin si tërësi tekstesh, fragmentesh apo edhe si libër me autorë si: Tomas Man, Abraham Mol, Gilbert Hajet, Jan Mukarzhovski, Sharl Lalo, Ivan Foht, Sreten Mariq, Vuk Filipoviq e tjerë. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe tekste të përkthyera nga frëngjishtja të autorëve shqiptar si të Faik Konicës dhe Skënder Luarasit të botuara te libri I. Rugova & S. Hamiti Kritika letrare. Një pjesë tjetër e përkthimeve lidhen kryesisht me kërkesat e redaksive të gazetave e revistave, të nevojave financiare, apo edhe si informacione të rëndësishme të zhvillimeve letrare e teorike të kohës në hapësirat e ndryshme gjuhësore.
Puna më e rëndësishme e Rugovës në fushën e përkthimeve mbetet libri i estetit frëng Sharl Lalo Nocione të estetikës (Rilindja, Prishtinë 1978) sidomos kur kihet parasysh mungesa e madhe e literaturës, për çka është i vetëdijshëm edhe përkthyesi kur thotë se “kur është fjala për literaturën e estetikës, të kritikës letrare dhe të teorisë në përgjithësi, thuaja se nuk kemi asgjë”. Ky përkthim, në fushën e estetikës dhe dy përkthime të Rexhep Ismajlit në fushën e gjuhësisë (André Martinet Elemente të gjuhësisë së përgjithshme, 1974 dhe Ferdinand de Sausure Kurs i gjuhësisë së përgjithshme, 1977) dëshmojnë jo vetëm interesimet personale dhe një hapje ndaj tendencave të reja të teorive estetike e linguistike por edhe me shkrimet e tyre kritike origjinale sjellin një frymë të re qasjesh, metodash e hulumtimesh, që luftonin dogmat, shabllonet dhe qasjet sociologjike e ideologjike të literaturës së përkthyer por edhe të shkrimeve autoriale në frymën e kohës që dominohej në hapësirat krijuese shqiptare.
Janë një mori tekstesh të përkthyera e të botuara që nuk kanë autorësi sidomos gjatë kohës sa redaktonte gazetën Bota e re ( por mendoje se edhe te revista Fjala). Në disa numra të kësaj gazete përkthehen e sidomos komentohen shkrimet e kohës të autorëve si Leshek, Kolakovski, Raseli, Garodi, Goldmani, Jasperis, Fromi etj. E theksuam këtë sepse Rugova ka përkthyer edhe poezi e përmbledhje poezish në të cila nuk e ka vu firmën e tij. Për këtë dëshmon poeti i mirënjohur Skënder Sherifi i cili deklaron me mburrje se janë dy vëllime poetike Lojë e kundërlojë (1980) dhe Oksigjen (1989) që ia ka përkthyer udhëheqësi shpirtëror i popullit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe se janë të vetmet përkthime poetike të Rugovës. Deklarime të tilla Skënder Sherifi ka bërë disa herë në mjetet e informimit dhe në vitin 2008 te Shtëpia Botuese Faik Konica boton librin Poezi (ku përfshihen dy përmbledhje Lojë e kundërlojë dhe Oksigjen) ku pas redaktorit Nazmi Rrahmani shkruan se nga frëngjishtja përktheu dr. Ibrahim Rugova.
Pse u morëm me këtë çështje? Sepse është vështirë të thuhet se bibliografia në vazhdim Rugova përkthyes është e plotë, shteruese edhe për kundër përpjekjeve të mia (përmes bisedash me njerëzit me të cilët ka punuar e redaktuar gazeta e libra e që nuk ishin në gjendje të saktësojnë këtë problematik dikush si harresë e dikush si punë e pa rëndësishme).
Si do që të jetë Ibrahim Rugova me përkthimet e tij sikurse në shkrimet origjinale ka treguar dije e kulturë të madhe letrare, estetike e filozofike për tu shndërruar me kohë në njeriun ikonë apo siç thotë njëri ndër njohësit e studiues i veprës së tij Kujtim M. Shala Rugova u bë dijetar i frymës evropiane , madje shkoi e studioi në Paris, te Rolan Barti, dhe njohu për së gjalli dijetarët e mëdhenj frëng të kohës. Kjo dije e kulturë evropiane e Rugovës dhe veprës së tij do të vlerësohet e të shtrijë ndikim, në kuptimin e mirë të fjalës, te shumë krijues e studiues të gjeneratës së re këtu në Kosovë e fatbardhësisht edhe në Shqipëri.
5 janar 2016 /KultPlus.com