Irnerius Bononiensis, studiuesi i pare i glosave

9 Maj, 2020 - 8:16 pm

Islam Qerimi

Data e lindjes dhe e vdekjes se Irnerius-it, nuk janë të sigurta, por në dokumente figuron në vetëm mes viteve 1112-1125. Në burimet e ndryshme nga literatura juridike mesjetare supozohet se IRNERIUS Bononiensis ka jetuar në vitet 1150 – 1125.

Gjithashtu, edhe për emrin, origjinën, kushtet, rrethanat dhe mënyrën e jetesës së tij afrohen informacione të mangta. Sipas nënshkrimeve që janë gjetur nëpër dokumente të ndryshme të asaj periudhe, Irnerius-i, e quante veten në italishte Guarnerius, respektivisht Garnerius, nganjëherë gjendet edhe me emrin Warnerius. Emri i Irnerius duket t’ju është vënë tek pas vdekjes. Ndërsa, sa i përket origjinës së tij, ka autor të atillë, që pretendojnë Irneriusin ta shpallin me një prejardhje gjermane, krejt me arsyetimin se ai quhej Wernerius. Sidoqoftë, emra të tillë janë gjetur tek shumë italianë veriorë nga familjet italiane. Por Irnerius-i, gjithnjë veten e ka konsideruar si Bolonjas. Bolonja në këtë kohë kishte rreth 60.000 – 70.000 banorë dhe ishte i radhitur si qyteti i pestë apo i gjashtë evropian nga madhësia pas Kordobës, Parisit, Venedikut, Florences dhe Milanos.

Në vitet 1112 dhe 1113 në një dokument të Gjykatës (Placitum) përmendet si ndihmës-gjykate (Causidicus) për palët në konflikt, respektivisht si këshilltar i gjykatës vendimmarrëse për territorin e Konteshes Mathilde nga Tuszien. Ndërmjet viteve 1116 – 1118 emri i tij paraqitet edhe në 11 dokumente tjera, ndër to në 9 dokumente perandorake, si gjyqtar (iudex) i Heinrihut të V-të. Ky ishte titulli më i lartë që mund të arrihej nga një person me përgatitje profesionale juridike (legis peritus). Për këtë performancë arriti të gëzonte një reputacion të lartë prestigjioz.

Sipas Kronikës së Milanos e Landulphus de Sancto Paulo, Irnerius kishte mbajtur krahun e Perandorit për statusin e tij autokratik, me qëllim të ndikimit të tij për përfitimin e bindjes tek qytetarët e Romës (urbs regia), që zgjedhja e Papës Gelasius II të shpallet e pavlefshme dhe të zëvendësohej me Gregorin e VIII. Për shkak të këtij aktiviteti Irnerius në vitin 1119 ishte ftuar nga Papa Gelaisus II, i cili me atë rast i kishte shpallur atij ekskomunikimin (përjashtimin fetar). Për konsekuencat e tilla të mëtutjeshme si pasojë e këtij përjashtimi fetar të Irneriusi-t, si dhe për vendin se ku i kishte kaluar vitet e fundit të jetës nuk janë ruajtur të dhëna të dokumentuara.  Për here të fundi ai është përmendur në një dokument të datës 10 dhjetor 1125 në afërsi të Mantuas si ndihmës gjyqësor në një procedurë të arbitrazhit.

Në Lectura super Digesto veteri të Odofredusit të ri (1265), Irnerius-i (njëqind vjet pas vdekjes) do të shpallej si themelues i shkollës për studimet juridike të Bolonjës dhe atyre mesjetare në përgjithësi. Nga të dhënat e ruajtura është vërtetuar se ai fillimisht kishte pozitën e magister in artibus, ndërsa më vonë ishte pavarësuar (per se) dhe kishte filluar t’i studioj librat juridike të Justinianit (Kodeksi), të sjellura në Bolonjë nëpërmjet Ravenes nga Roma e shkatërruar. Në bazë të këtyre librave ai kishte filluar edhe të ligjëroj në lëndët juridike (scientia). Në literaturën juridike ai quhet edhe “Shkëndija e së drejtës”.

Në Kroniken Ursperger dokumentohet se në vitet 1229/30, Irnerius-i në kërkesë të Konteshës Matilde e kishte ripërtrirë librin libri legum, i cili ishte lënë në harresë deri atëherë, e kishte përplotësuar me ca fjalë.Kjo në literaturen e mëvonshme do të merret si themelimi i shkollës juridike, ku edhe do të vlerësohet lartë edhe kontributi i Konteshës Matilde.

Në literaturen e re të historisë së të drejtës është konstatuar se Corpus iuris civilis në kohën e Irnerius-it është përpunuar në formë të glosave (summae). Metoda e studimit të Glosave ishte ndjekur sipas metodës së shkollës së vjetër dialektike të Skolastikes (së pari në aspektin teologji) duke u vazhduar me definicione dhe distinkcione (përcaktime dhe ndryshime). Në glosa sqaroheshin konceptet dhe përmabjtjet e normave juridike.

Fakti se ai do të ishte i pari i cili Irnerius-i, i cili merrej me interpretimin e Corpus iuris-in, e sidomos me Pandektet në një pjesë të literatures juridike është mohuar. Gjithashtu, është vërtetuar shkencërisht, se pa të drejtë edhe Quastiones de iuris subtilitatibus, Tractatus de aequitate, Summe Trecentis dhe Formularium tabellionum i janë llogaritur si vepra të Irnerius-it. Gjithashtu, ka edhe paqartësi në lidhje me faktin se “quattuor doctores” Bulgarius, Martinus Gosia, Jacobus dhe Hugo de Porta Ravennate a mund të konsiderohen nxënës të tij.

Ndërsa, krahas Irnerius-it, në një vend të Moralia Regum e Rudolphus Niger (v. 1200) përmendet roli i Pepo-s, si ringjallës i studimeve të së drejtës romake.

Historia e së drejtës e pranon faktin se shkencat juridike janë të lidhura me kohën kur kishte jetuar e Irnerius-it, e cila konsiderohet edhe si koha e glosave, ku edhe kanë filluar të zhvillohen aspektet e metodave të interpretimit dhe ato shkencore. Nga të dhënat e ruajtura vërtetohet se një pjesë e madhe e sqarimit nëpërmjet glosave (komentimeve), allegatione (pohimet) dhe Solution contrarium (zgjidhjet e kundërta) në constitutione dhe leges për rastet bazike (casus legum) referonin zgjidhje meritore.

Që nga kjo periudhë kur jetonte Irnerius-i, populli e kishte mbartur plotësisht tek pushteti perandorak legjitimitetin për nxjerren e ligjeve. Pra, në këtë periudhë populli (desuetudo populi) më nuk luante kurrfarë roli në nxjerrjen e ligjeve.

Në fund të këtij artikulli të shkurtër, i cili i’u kushtua jetës dhe veprës së juristit të famshëm nga Bolonja, Irnerius, do të vlerësoja lartë kontributin e tij prej juristi, i cili themeloi shkollën e parë juridike mesjetare (në Universitetin e Bolonjes), duke e shpjeguar të drejtën klasike romake, por gjithashtu nuk duhet prejudikuar faktin se a ishte glosatori i parë apo jo, meqenëse, ai me bashkëpunëtorët (glosatorët) e vet, juristët e gjeneratës së tij si psh.: Azo dhe Accursius (glossa ordinaria ose glossa ordinaria Accursius 1250), si dhe Johannes Bassianus, u çmuan për ruajtjen dhe rigjallërimin e teksteve juridike klasike romake (littera vulgata/bologniensis) si dhe në gjetjen e zgjidhjeve për krijimin e kutures së komentimit, për situatat e paqarta, kur konstatohej se ekzsitojnë boshllëqe të dispozitave ligjore, e që ishin të nevojshme për zgjidhjen e problemeve, për shkak të progresit të arritur në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror të asaj kohe që nuk ishte i njohur deri atëherë. Kontributi i tij duhet të vlerësohet edhe për faktin, se deri në atë periudhë të vlente dhe studiohej e drejta kanonike (kishtare). Duke ju falenderuar Irnerius-it dhe glosatorëve tjerë të asaj kohe, Bolonja arriti të fitoi monopolin e studimeve juridike dhe e kufizoi mundësin e studimeve të tilla për qytetet jo mbretërore.

Më vonë paraqiten edhe postglosatorët (consiliatores), si psh.: Baldus de Ubaldis dhe Bartolus de Saxoferrato, të cilët e vazhduan rrugën e qartësimit edhe më të drejtë dhe precizë të ligjeve dhe normave juridike të trashëguara nga e drejta romake.

Në përmbyllje të këtij artikulli do të shtoj edhe faktin se në universitetet gjermane për herë të parë në vitin 1388 ka filluar të studiohet e drejta romake në Universitetin e Kölnit (Universität zu Köln).

Literatura: Mbi juristët gjerman dhe europian të periudhës kohore mbi nëntëqind vjeçare.

Gerd Kleinheyer, Jan Schröder (Hrsg.): Deutsche und Europäische Juristen aus neun Jahrhunderten: Eine biographische Einführung in die Geschichte der Rechtswissenschaft. 5. Auflage. C. F. Müller, Heidelberg 2008

Hans Hattenhauer:  Europäische Rechtsgeschichte, 4. Auflage, durchgesehene und erweiterte Auflage, CF Müller Verlag Heidelberg, 2004

Susanne Hähnchen: Rechtsgeschichte: Von der Römischen Antike bis zur Neuzeit, 4., Auflage, völlig neue bearbeitete und erweiterte Auflage, CF Müller Verlag Heidelberg, 2012

Hermann Lange: Römisches Recht im Mittelalter. Bd. 1: Die Glossatoren. Beck, München 1997

*Emrin e tij në shenjë përkujtimi prej juristit të famshëm sot e mban rruga Via Irnerio në Bolonjë dhe një projekt digjitalizimi të dorëshkrimeve ligjore: Progetto Irnerio./KultPlus.com

Të ngjajshme