21 Gusht, 2019 - 12:14 am
”Mos u shqetësoni: nuk kam ndër mend të martohem e të ndërroj emrin e rubrikës (nejse, s’kam për ta bërë kurrë “Spinster and the City”, – ‘Lënesha dhe qyteti’, sepse do vijë një ditë që kjo e jetuara secili-në-shtëpi-të-vet do më mërzitet). Thjesht më kanë frymëzuar dasmat, që bëhen rreth e rrotull shtëpisë sime (e kotë të them që dëgjohen sikur po bëhen brenda në shtëpinë time).
Urrej dasmat ku marr pjesë, dhe ato ku nuk marr pjesë. Këto të fundit sidomos, kur ndjekin traditën shqiptare dhe fillojnë një javë përpara, me rrugicën poshtë pallatit që bllokohet nga makinat e gjithë soj e sorollopit të atij/asaj që martohet (në rastin kur në lagje kam nusen, kam një fije ngushëllimi se dasma zgjat një ditë më pak).
Urrej të gjitha këngët që këndohen në këto raste, që nga “Çuni vogël do llokum” (ky është hiti i lagjes sime, ndoshta se diku aty afër dikur ka qenë një fabrikë pastash), e deri tek “Moj Sarandë moj Delvinë” (edhe kur familjarët janë nga Kukësi, këtë këngën e kanë me qejf të madh) dhe sidomos urrej “Koka në Stamboll e trupi në Janinë” (zakonisht pas kësaj, fillon Lambada, e cila nga fundi miksohet me “Coco Jambo”-n për t’ia lënë prapë vendin “Çuni i vogël do llokum”, që shoqërohet me thirrje op op op).
Urrej pastaj edhe të dielën mëngjes, kur pas rraskapitjes së gjithë javës, gjumi më del e trembur nga boritë e makinës, që marrin ose sjellin nusen. Por urrej edhe të shoh karvanët e nuseve, me nja shtatë benza njëri pas tjetrit, me shamitë e kuqe me fije ari të varura te dritaret dhe me xhaxhi kameramanin, me gjysmën e trupit të nxjerrë jashtë nga makina e parë, e që xhiron çdo sekondë të ecjes sikur po bën dokumentar për BBC-në.
Por urrej edhe dasmat ku jam e ftuar. Të fisit apo shoqërisë qofshin. Urrej të vishem e pispillosem, që në pikë të mëngjesit (pa llogaritur këtu, që nëse dasma është të dielën duhet të zihem me nja pesë parukiere që këtë ditë e bëjnë pushim e nuk të marrin përsipër, edhe pse ti harxhon lekë tek ato gjithë vitin) e pastaj të shoh se si deri në darkë, tualeti fillon të rrjedhë e flokët hallakaten.
Urrej kur dasmat bëhen në drekë, sepse është shumë vapë. Urrej edhe kur bëhen në darkë dhe pjata e dytë vjen diku nga ora 23.45, pikërisht atëherë kur unë do doja të isha në shtëpi, veshur me pizhame e me tualetin e pastruar përpara televizorit (si për darkë dhe për drekë, urrej ato pjatat ku bërxolla ndahet nga patatet me një kufi të përdredhur prej salce kosi, me të njëjtin zell sa urrej dhe avullin e aromën që del nga tava e dheut dhe venitin gjithë shkëlqimin e teminave në veshjet e zonjave rreth e rrotull).
Urrej të harxhoj një shumë të mirë parash, e sigurt që nuk i marr më mbrapsht (sepse unë dhe nëse martohem, dasmë s’do bëj kurrë, së paku jo dasmë ku sillen lekë në zarf). Urrej të marr pjesë në festat e beqarisë, sepse në shumicën e rasteve nusja edhe përpara se të martohej, nuk është se ka bërë ndonjë jetë të zhurmshme prej beqareje (ndryshe nuk do ta martonin, do prisnin “të shtrohej”).
Urrej të ulem në tavolinë e të ha me njerëz që nuk i njoh, që më pyesin ku punoj, sa e kam rrogën dhe pse nuk jam martuar, që më thonë “ngihu kërce” apo “nuk u lodhe duke kërcyer?!” E meqë ra llafi te kërcimi, urrej të çohem, të ulem, të çohem prapë, të ulem prapë, të bëj fresk me erashkë…
Urrej të kap gjithmonë unë buqetën e nuses. Sepse të gjitha të tjerat janë të martuara dhe ato që kanë mbetur beqare janë të shkurtra e të shëndosha, jo të zonjat për kërcime (dhjetë vjet përvojë në këtë fushë, më kanë bërë të mos kem rivale).
Urrej shumicën e veshjeve të nuseve. Ato në ngjyrë bezhë, apo ato shampanjë. Ato të mbushura me dantella e me gurë. Ato pa rripa, ku gjoksi pesë kërcen nga të gjitha anët (sidomos kur në pjesën e dekoltesë duken shenjat e rripave të rrobave të banjës).
Urrej dhe ata të thjeshtët (në këto raste nusja pretendon që është shumë e rafinuar, ndaj e ka zgjedhur). Urrej këpucët prej mëndafshi të bardhë që vesh nusja. Por mbi të gjitha urrej grimin e saj – nuk e kuptoj pse qëllimi është që të duket sikur nuk është ajo?!
Urrej tortën dhe prerjen e tortës. E pse duhet të presim sa të dali ajo dreq torte për t’ia mbathur?! (gjithsesi ardhja e saj është moment lehtësimi, do ia mbathim, uuurrrrraaa!!!)
Dhe në fund fare, urrej kur më ftojnë në shtëpi për të parë videon e fotot e dasmës dhe të muajit të mjaltit. Vetëm aty e kupton se sa ke vuajtur. Sidomos të hënën mëngjes, kur e pangopur me gjumë, me këmbët e ënjtura të duhet të shkosh në punë. E ku është qejfi i gjithë kësaj?!/tirananews/KultPlus.com