22 Maj, 2019 - 11:30 pm
Jeta Krasniqi nga Komisioni për statusin e viktimave të dhunës seksuale nga lufta në Kosovë, ka thënë se çështja e kësaj kategorie është heshtur nga institucionet e Kosovës.
Krasniqi në Zonën B të Klan Kosovës, theksoi që OJQ-të dhe gratë aktiviste ishin ato të cilat iu ofruan mbështetje grave të dhunuara nga forcat serbe në Kosovë.
”Është një çështje shumë e ndjeshme sepse është çështje shumë humane. Kam dëgjuar qindra histori dhe kam takuar mbi dhjetëra gra që kanë qenë të dhunuara”.
”Është shumë e vështirë t’i dëgjosh por duhet ta vendosim vetën në atë pozitë”.
”Në Kosovë dhuna seksuale është përdorur në mënyrë sistematike si mjet lufte. Nuk ka pasur diferencim, ka qenë mjet lufte, për të lënë prapa stigmën dhe gjithë këtë plagë”.
”Sa kohë ka luftëra ka edhe dhunime seksuale dhe tani së fundi në gjithë botën ka filluar të targetohet kjo si krim lufte apo krim kundër njerëzimit”.
”Ajo çfarë kemi parë është se pas luftës kjo çështje është heshtur nga institucionet e Kosovës”.
”OJQ-të ishin ato gratë aktiviste që ofruan mbështetje për këtë kategori duke ofruar ndihma mjekësore dhe ndihma psiko-sociale”.
”Në 2013 ndodhi një kthesë në Kosovë, por ne pamë që nuk ishim të gatshëm ta diskutonim këtë çështje”.
”Është komplet politike rreth nesh dhe diskutimi nuk është i përqendruar që në mënyrë mos t’i cenojmë më tutje ato apo t’i traumatizojmë ato”.KlanKosova/KultPlus.com