Jeta përtej mureve të ndarjes

13 Tetor, 2023 - 12:31 pm

* Sociologia Sibel Halimi këtë reportazh e ka realizuar në vitin 2011, gjatë një vizite studimore në Izrael dhe Palestinë.

Sibel Halimi

“Nuk është e lehtë t`i bësh bashkë fëmijët, ata rriten me predispozitën e armikut. Por, ne duam të punojmë që fëmijët të rriten përtej kësaj armiqësie”, shprehet Moran, një aktiviste izraelite

Rrëfimi për jetën përtej mureve nisi kur Samiu, rreth të dyzetave doli për t`na pritur në aeroportin e Tel Avivit.

“Nuk është e lehtë jeta këtu, njerëzit janë të ndarë në mure…”, tha ky palestinez tipik me ton gati vetëakuzues. Duket sikur nuk pati kurajo të vazhdojë më tej, sepse natyrisht që nuk ishte për t`u mirë një situatë e tillë. Sikur për ta lënë pas storien e dhimbshme, ai vazhdon të rrëfejë për natyrën mahnitëse të Izraelit, e cila mbase nuk ka nevojë për koment. Mund të përjetohet si e tillë, vetëm nëpërmjet optit.

Rruga nga Tel Avivi deri në Jerusalem është pothuajse e tëra e ndarë  me mure të gjera dhe të gjata, anash të cilave qëndrojnë shtëpi me ngjyrë të bardhë.

E ky mur nuk është “The Wailing Wall”, ritual i besimit të hebrenjve, por është ai i ndarjes në mes të dy popujve me besime të kundërta, rival ta kamotshëm, të cilat janë shndërruar në prototip të sintagmës “njeriu për njeriun është ujk”.

E muri është taman mur i ndarjes së thellë fizike, por edhe mentale  ndërmjet dy popujve. Kjo ndarje kishte shkuar përtej. Shtëpitë e izraelitëve dhe palestinezëve ishin ndarë edhe në bazë të pusetave bardh ose zi. Kuptohet, e bardha, personifikim për izraelitët dhe e zeza për palestinezët. Praktikisht, ngjyra, me të cilat shpjegohet diversiteti i dhimbshëm i dy popujve që jetojnë në të keqen e përbashkët, të shndërruar tanimë në pronë. 

Ndërtesat që i prodhoi Lufta Gjashtë Ditëshe më 1967 dhe që njihen si settlement, janë bërë personifikim i njërës nga luftërat më të shkurtra në botë dhe tregues si popullohet një vend pas pushtimit. E, Izraeli nuk duket të jetë ndalur me kaq. Për një të huaj, tripi në këtë vend është një përjetim në kohë reale, i ndjenjës së luftës- shtetit policor.

Në postblloqe, ushtarët izraelitë kontrollojnë gjithçka. Ky institucion ishte i vetmi ku të gjithë shërbenin pa dalim gjinor. Përfshirja e vajzave dhe djemve në ushtri është më shumë obligim moral sesa shtetëror.

E izraelitë e palestinez, vazhdojnë të mbeten peng të mureve. As aktivistë civilë nuk po mund të bëjnë sa duhet për ta ndryshuar jetën në të mirë të të dy popujve.

Moran, një vajzë rreth të tridhjetave nga Izraeli, po bënte përpjekje për të punuar me të rinj të të dy popujve për të ndryshuar sadopak për të mirë gjendjen. Ajo ka mbaruar studimet për çështje gjinore në Budapest dhe beson në idenë se muret fizike mund të rrënohen lehtë, por jo të njëjtën gjë e beson për muret mendore.

“Nuk është e lehtë t`i bësh bashkë fëmijët, ata rriten me predispozitën e armikut. Por, ne duam të punojmë që fëmijët të rriten përtej kësaj armiqësie”, shprehet Moran.  

Ramallah është kryeqyteti palestinez i dominuar nga myslimanët dhe ndodhet 10 km larg Jerusalemit. Emri Ramallah përndryshe ka kuptimin e lartësisë së perëndisë, por gratë e kësaj pjese zor e kanë të arrijnë lartësitë.  Marjama, Lina dhe Maria aktiviste palestineze për të drejtat e grave çdo ditë të përditshmërisë së tyre ndajnë me problemet e vajzave dhe grave.

“Ky është vend i heshtjes dhe nga gratë pritet që të mos thonë asgjë”, thonë njëzëri.

Virgjiniteti është normë morale e inspektimit të trupit të vajzave para se ato të martohen. Ngacmimet seksuale janë përditshmëri e zakonshme e burrave dhe djemve në Rammallah, andaj Marjama me organizatën e saj ka vendosur që të organizoj fushatën “Sexual harassment map”, që ka për qëllim vetëdijesimin për të raportuar ngacmimin seksual te organet përgjegjëse.

Por, për gratë e Ramallahut as shtëpia e as rruga nuk janë vend ku ato mund të ndihen të tilla. Në rrugë nga burrat dhe djemtë e panjohur dhe në shtëpi nga të njohurit.

“Virgjiniteti im, është nderi i vëllait tim”, thotë me ironi Marjama, së cilës dëshira për studime i ka hëngër një copë jete.

“Në ceremoninë e diplomimit nuk dëshiroja të merrte pjesë asnjëri nga anëtarët e familjes sime, përpos vëllait, i cili më kishte ndihmuar që unë ta realizoja ëndrrën time”, rikujton Marjama. Vdekja e babait të saj, kishte vështirësuar edhe më shumë funksionimin e familjes. “Nëna mori rolin edhe të babait, andaj nuk ishte e lehtë që ta pranosh patriarkatin me fytyrë gruaje”, shprehej Marjama, teksa shikonte secilën fytyrë gruaje që dëgjonte rrëfimin e saj. Ato punonin bashkërisht për t`i dhënë sadopak gjinisë së tyre dhe jetës. “Shtëpia pa burrë në këtë vend është asgjë e janë gratë ato që pësojnë më shumti qoftë edhe nga asgjëja”.

Sistemi patriarkal i vlerave është aq i fuqishëm saqë edhe gratë që i menaxhojnë organizatat e grave janë “motra të këtyre burrave”, të cilat mendojnë dhe veprojnë me “normën e të qenurit burrë”, thotë Lina.

Praktika e ushtrimit të poligamisë është qendrore në afektimin e jetës së grave beduine. Origjina e emrit të këtij qyteti ka domethënien e të jetuarit në shkretëtirë. E nëse do të kërkohej një analogji, atëherë askush nuk mund t`i përngjante më shumë këtij vendi sesa gratë.

Merav Raz nga organizata “Maan” (The Forum of Arab Women`s Organisation in the Negev), thotë se një përqindje e lartë të grave janë gratë e dyta apo të treta të një burri. Por, nuk ka të dhëna të sakta mbi përhapjen e vërtetë të poligamisë brenda shoqërisë arabe- benduine.  Sipas të dhënave të kësaj organizate  vlerësohet që ndërmjet 20-36 për qind e familjeve janë poligamiste. Ndërsa, të gjitha çështjet që lidhen me martesën dhe familjen janë të rregulluara me kodet morale të bazuara dhe të predikuara nga institucionet religjioze. “Fuqia e tradicionales ndikon në të gjitha aspektet e jetës së grave”, rrëfenë Merv Raz, gruaja e cila ka vendosur që të bëjë të pamundurën që të punoj së paku në informimin e të rinjve për një jetë më të mirë. Gratë aktiviste nuk i përdorin konceptet moderne, të tilla si të drejtat e njeriut, liberalizmi dhe barazia gjinore, për të referuar në aktivizmin e tyre, por më tepër këto koncepte i transferojnë në kontekstin kulturor-fetar.

“Në forumin tonë janë të përfshira 11 organizata por nuk janë të gjitha aktive, sepse vajzat e reja me t`u martuar ato nuk mund të punojnë më në çështjet të cilat lidhen me gratë. Ato vështirë dalin nga shtëpia, sidomos ato të cilat edhe bëhen pjesë e martesës poligamike”, pohon Safa Abdo, njëra nga vajzat e angazhuara në projektin për përmirësimin  e jetës së vajzave dhe grave beduine. 

Gratë beduine karakterizohen me refuzim të ulët ndaj poligamisë dhe për këtë studimet tregojnë se ekzistojnë shumë arsye pse gratë beduine nuk refuzojnë të jenë pjesë e jetës poligamiste

“Poligamia është pjesë qendrore e vlerës së shoqërisë beduine, gratë poashtu nuk kanë opsione të tjera në zgjedhjes pikërisht për shkak të varshmërisë ekonomike nga burrat”.     

Përveç jetës së vështirë, të cilën e bëjnë vajzat dhe gratë e këtij cepi të botës, statusin e tyre social e rëndon edhe më ngjyra e veshjes që bartin ato. Ngjyra e zezë e punuar me dizajn të kuqe dhe ngjyrë portokalli përcakton statusin e martuar të grave, ngjyra rozë e vajzave simbolizon beqarinë e tyre, ndërsa ajo e gjelbër e veshjes tregon për pozitën e të qenurit e divorcuar.

Huda Asana nga fshati Lakia ka disa vite që është pjesë e organizatës “The Asociation of Promotin of Women Status in Lakia”. Ajo rrëfen katrahurën e grave në këtë vend. Një njërën nga projektet që ajo punon, pos artizanit të qëndisjes që përfshin punësimin e rreth 18 grave dhe shkrim-leximin, ajo ka edhe një projekt për t`i nxjerrë së paku njëherë në muaj gratë nga fshati ku jetojnë.

“Është e vështirë të organizohet ky takim, ngaqë ato nuk lejohen nga burrat e tyre për të bërë sado pak për vete”, rrëfen Huda. Sipas saj “gratë nga Lakia kanë shumë fëmijë dhe e kanë shumë të vështirë të bëjnë diçka për vete, madje nuk e kanë mundësinë më të vogël për tu kujdesur edhe për trupin e tyre”. Madje, edhe kafeja që pinë gratë e kësaj organizate ka simbolikë.

“Kafenë, të cilën tani ju do të pini është pa sheqer dhe kjo u servohet të gjithë atyre që e vizitojnë organizatën tonë, ngase jeta jonë është e zezë dhe e hidhur si kafja…”, përfundon ajo.  / KultPlus.com                   

Të ngjajshme