Jetëgjatësia e dashurisë

23 Shtator, 2022 - 2:47 pm

Vështrim i Atdhe Hykollit për romanin “TI” të Ilir Muharremit 

            Emri i Ilir Muharremit ka vite qysh se lakohet në mjediset tona, ku flitet e shkruhet, për veprat letrare, sidomos kohëve të fundit, ku emrat e krijuesve të rinj po shtohen dita-ditës. Është ky një krijues i kësaj plejade të të rinjve, i cili me vlerat e njëmendta, të mirëfillta, falë intuitës së tij po lë gjurmë në disa zhanre të krijimtarisë letrare, posaçërisht në fahun e romanit. Pikërisht romani i tij “Psycho” është dëshmia më bindëse, meqë për këtë mori çmimin “shkrimtari i vitit 2018” të Pejës. Megjithatë, kontributi i tij letrar u dëshmua edhe në dramë dhe për libra të tjerë si “Djalli në qytetin tim” (1996), “Dera e fundit e çmendurisë” (2003), “Van Gogu kosovar” (2010), “Drama” (Unë me veten, Kafeneja), “Moskuptimet” (2016), “Psycho I” (2017) dhe “Psycho II” (2019). Ndërsa, tashmë, romani “Ti” (2021) është vepra për të cilën do t`i themi disa fjalë për të zgjuar kureshtjen e lexuesve që ta kenë edhe këtë vepër, për ta plotësuar edhe më shumë dijen për këtë krijues, i cili po bën hapa të sigurt drejt majave të sukseseve të njëpasnjëshme, ku do të arrijë bindshëm.

            Pa u thelluar në jetëshkrimin e autorit, sikur mjafton të theksohet se Ilir Muharremit gjatë kësaj dekade të fundit bëri emër me bujë, duke na ofruar libra letrarë në zhanre të ndryshëm, ku me një sens të veçantë prej krijuesi letërsisë sonë i solli vlera të nivelit të duhur.

            Që në fillim, do theksuar se romani “Ti” i Ilir Muharremit mban titullin pothuajse më të shkurtër (krahas apo pas romanit “Oh” të Anton Pashkut e ndonjë tjetri) në letërsinë shqipe, në Kosovë e më gjerë. Megjithatë, duhet theksuar se një roman i tillë, me një titull kaq të shkurtër, por kaq përmbledhës dhe domethënës për mbarë shtrimin narrativ, si formë dhe syzhe, të realizuar si është më së miri, autori arrin t`i përmbushë kriteret e mirëfillta për një vepër të tillë letrare, për të cilën kritika letrare do të çmojë e vlerësojë si një nga veprat më të arritura në letërsinë tonë të viteve të 20-ta të këtij shekulli në të cilin po bashkëjetojmë me autorin e këtij romani sa domethënës po aq edhe tërheqës, duke lënë shkas që veprat e tilla, siç është romani “Ti” jo vetëm të lexohet, po njëkohësisht edhe të dramatizohet apo edhe të ekranizohet, d.m.th., të vihet në skenë apo të shënjohet në celuloid, për t`u përjetësuar e përditësuar sa më gjatë e sa më me plotni.

            Syzheu i këtij romani ngërthen më vete një ngjarje sa të trishtë po aq krenare, që përthekon një periudhë të shkurtër po aq të bujshme dhe krenare, ku personalisht janë të tipisuar sipas karaktereve dhe tipareve të virtyteve që i posedojnë.

            Autori Ilir Muharremi në romanin e tij të radhës “Ti” trajton çështjet më vendimtare të një të riut, i ardhur nga Shqipëria mëmë, i cili i bashkohet luftës së Kosovës (1999) pasi që ai merr mesazh jo të parapëlqyer nga e dashura e tij, e cila ishte larguar nga Kosova, për të vazhduar studimet larg vendlindjes së saj, meqë Kosova po bënte luftë (falë UÇK-së) kundër falangës serbo-sllave.

            Megjithatë, kontributi i të riut – Fatmirit në Kosovë është për t`u vlerësuar tejet shumë, meqë shëmbëllen me një plejadë të të rinjve nga Shqipëria që erdhën në Kosovë, pa llogaritur për sakrificat e shumta, duke flijuar edhe vetën e tyre, duke rënë në altarin e lirisë, për çka numri i tyre nuk është i vogël.

            Rasti i Fatmirit, i ardhur si sa e sa të tjerë nga Shqipëria, është paksa i veçantë dhe pak a shumë karakteristik, pasi që shquhet me disa karakteristika si pakkush tjetër. Pra, pas përfundimit të luftës së Kosovës (1999) Fatmiri rikthehet në Shqipëri, ku në fillim sikur gjendet paksa në zgrip të jetës, meqë traumat e përjetuara të luftës i kishin lënë pasoja të paparashikueshme, ku pa ditur kishte marrë “udhë të pakrye” siç thonë, duke u dhënë pas veprave të këqija, mirëpo për ta kthyer në binarët normalë të jetës sikur i kishte mjaftuar dashuria e vërtetë dhe e sinqertë ndaj të dashurës së tij, duke shpëtuar atë nga droga, plaçkitja, hajdutëria a burgu.

            Romani “Ti”, si asnjë vepër tjetër letrare, as më pak apo as më shumë deri më tash, është në vazhdimësinë e veprave të tilla që mbrujnë tharmin e dashurisë së dyfishtë, sa atë njerëzor (në mes dy të rinjve) dhe atë atdhetar (Shqipëri e Kosovë), duke i përballuar në një si të vetme dhe unikate.

            Prandaj, e themi me plot gojë dhe me sinqeritet të plotë se, një vepër si kjo veçsa e begaton opusin letrar të autorit, në njërën anë dhe të krijimtarisë sonë në anën tjetër./ KultPlus.com

Të ngjajshme