9 Dhjetor, 2019 - 3:00 pm
Shkruan: Bujar Meholli
Gjithmonë gjërat e fshehura zgjojnë kërshërinë, sikurse ato të ndaluarat. Njeriu bën çmos që të zbulojë çfarë fshihet prapa perdeve, çfarë është ajo që s’e lënë të shihet apo që e bëjnë të ndaluar. Dhe, në momentin që e sheh atë për të cilën digjet nga kërshëria, o mund të fascinohet o mund të dëshpërohet!
Kohët e fundit i tillë është filmi “Joker” diku i ndaluar, diku i fshehur – ai ka zgjuar kërshërinë e atyre që s’e kanë parë, derisa i ka pataksur ata që e kanë parë.
Filmi “Joker” është bërë i famshëm në pothuaj pjesën më të madhe të botës. Deri më tani ai ka arritur të arkëtoi mbi 1 miliardë dollarë duke rrëzuar shumë filma tjerë nga froni. Megjithatë, nëpër disa vende të botës është anuluar me arsyetimin e autoriteteve se përmban nivel të lartë të dhunës, pra ka skena të dhunshme brenda tij që s’janë të përshtatshme, veçanërisht për adoleshentët dhe personat e ndjeshëm.
Përgjithësisht, kritika e vlerësoi si një film të suksesshëm, por megjithë vlerësimet e mira nga kritikët dhe nga publiku që mori, “Joker” vazhdon të prodhojë debat të madh, bazament i së cilit është pyetja, “a është ky film i rrezikshëm për shoqërinë?”
Para se të bëjmë përpjekje për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, duhet theksuar se sa i përket realizimit artistik “Joker-i” qëndron në nivelin më të lartë. Gjithë puna e jashtëzakonshme vjen në saje të përkushtimit të regjisorit Todd Phillips, kastës së aktorëve, e veçanërisht aktorit kryesor Joaquin Phoenix që luan rolin e Arthur Fleck-ut, pra të “Joker-it”, i cili u vlerësua me notat më të larta për aktrimin gjenial. Madje, vlen të theksohet edhe sakrifica e tij për të dalë sa më mirë – ai humbi mjaft kilogramë si dhe studioi sëmundjen nga e cila vuan Fleck-u për të dhënë një tablo tamam të një sëmuri mental që qesh me të madhe kudo, edhe në ambiente dhe raste kur s’ka gjë për të qeshur.
Këtu edhe mund të nis rreziku i ndikimit, sepse “Joker-i” si një njeri krejt i pafajshëm në fillim, kalon nëpër situata të pakëndshme, gjersa rrethi e përbuz dhe e nënçmon pa e kuptuar hallin e tij, pa u përpjekur t’ia kuptojë dëshirën e tij të madhe – të bëhet një kloun i njohur në qytetin e tij, Gotam. Në vazhdim të filmit, ashtu lehtazi, ai kryen një sërë krimesh duke u hakmarrë në njëfarë mënyre ndaj këtij rrethi ku ishte katranosur. Këtu ai s’e kursen madje as të ëmën e tij nga e cila dëshpërohet kur merr vesh se ajo e paskësh gënjyer. Kemi të bëjmë me shndërrimin e heroit në anti-hero; “Joker-i” është film modern që nuk përfill skemën bazike të filmave të vjetër, ku heroi kryesor duhet të jetë ai që bën vetëm gjëra të mira, është çdoherë pozitiv dhe audienca duke e parë atë merr shembull dhe përpiqet t’i përvetësojë virtytet e tij.
Në modernitet i iket kësaj; aty bëhet përmbysja strukturale, dhe nuk merret parasysh skema klasike e Aristotelit dhe katarza e tij që arrihet duke parë ngjarjet nëpër të cilat kalon heroi kryesor dhe duke parë së fundmi fatin e mirë që e përcjell atë – publiku spastrohet shpirtërisht. A ka katarzë në modernitet? Dhe, a mund të ndjenë publiku katarzë në filmin “Joker”?
Skenat e dhunshme në “Joker” përshkruhen në atë mënyrë, saqë të nguliten mirë në kokë. Kështu është krijuar një sasi e madhe ankthi dhe tmerri. Arthur Fleck-u jeton në qytetin Gotam bashkë me nënën e tij, në situatë të vështirë sepse i takojnë shtresës së ulët të shoqërisë. Ëndrra e tij madhore është të bëhet një ditë kloun i njohur. Për t’i hyrë kësaj rruge ai drejtohet tek shou-meni Murray Franklin, rolin e të cilit e luan aktori i famshëm Robert De Niro. Por sikurse nga i gjithë rrethi, ai poshtërohet e s’merret seriozisht as nga Franklini. Pasi i vuan tërë këto, Arthuri plogështohet, thyhet shpirtërisht dhe bëhet tip i dhunshëm gradualisht. Për Arthurin jeta dhe vdekja bëhen njëjtë, ai ka krijuar në shoqërinë e sëmurë, portretin e një të çmenduri. Por a është ai vërtet i tillë?
I parë nga kënde dhe interpretime të ndryshme, “Joker-i” mund të konsiderohet si film që trajton fatin e një individi që thellohet në krizë ekzistenciale; personi i Arthurit mund të shihet si distopik, një njeri që ka probleme të ambientohet në shoqëri dhe meqë s’arrin se s’arrin – bëhet i dhunshëm, del kundër saj.
“Joker-i” përgjithësisht mund të thuhet se është film i errët, i mbushur me humor të zi dhe sarkastik ndaj shoqërisë materialiste që s’i kushton vëmendje individit, madje e përbuzë. Dhe është pikërisht shoqëria që e krijon njeriun-monstrum, siç ndodh me Arthurin që gjakftohtë vret këdo që i del përpara dhe e pengon – mjafton që në duar ka një revolver.
“Joker-i” i regjisorit Phillips është triller psikologjik që glorifikon dhunën dhe ndez edhe ndjenjat më të thella të publikut sado të çuditshme qofshin ato. Sepse Arthuri zbavitet duke vrarë njerëzit rreth tij, ai në njëfarë mënyre arrin të bëhet klouni që ëndërronte të ishte – vetëm se në rrethana tjera. Ai ka në kokën e tij hakmarrjen, është i vetëdijshëm por aq i bën. Ai s’nguron t’ia vesh fytyrës ca plumba shou-menit pasi që ky ishte tallur duke lëshuar një video të tij pa e pyetur, as djelmoshave në tren që e rrahin brutalisht dhe e tallin me ta parë qeshjen e tij të pakontrolluar. (Edhe atyre u jep plumba dhe i vranë), madje s’i shpëton as tipi që i pati dhënë armën, këtë të fundit e masakron me një thikë. Pyetja që do të shtrohej në këtë rast, do të ishte: Në raste të tilla përballë padrejtësive njerëzore dhe margjinalizmit a është i pashmangshëm krimi?
Jeta është e vështirë dhe e ashpër, por a është kjo arsye e mjaftueshme që të shkohet aq larg sa për t’i dëmtuar dhe vrarë njerëzit e tjerë?
Arthuri në fillim shfaqet taman tip religjioz kur vetëm përpiqet të jetoj në mënyrën e tij pa shqetësuar askënd dhe duke u besuar plotësisht njerëzve, nënës e terapeutes së tij. Por, ai bëhet barrë për të gjithë, mandej tallet dhe rrihet qysh nga djelmoshat e këqij në skenën e parë e tutje.
“Joker-i” është thirrje për gjithë njerëzimin që të reflektojnë. Ai bën thirrje që të dëgjohet zëri i secilit njeri nga shoqëria; personazhi i Arthurit bjen ndesh me këtë psalm të Biblës ku thuhet: “Zoti është afër zemrës së thyer dhe shpëton ata që janë të shtypur”. Sepse njeriu në pamundësi për të qenë i duruar dhe për t’u përballur me problemet braktis predikimet fetare dhe merr vet punën në dorë – duke bërë zgjidhjen (me raste duke përdorur dhunën) e tyre.
Në fund kemi ardhur në përfundim se “Joker-i” nuk është bërë rastësisht kaq i famshëm dhe i përfolur në mbarë botën. Ai është një kryevepër, një realizim i përsosur artistik, me tematikë shoqërore delikate dhe mjaft aktuale. Arthuri është zëri i shumë njerëzve të persekutuar, të vetëm, të braktisur nga çdo mëshirë, të përbuzur dhe të flakur tej shtresave të larta të shoqërisë./KultPlus.com