17 Shkurt, 2022 - 10:41 am
Nga Jusuf Buxhovi
Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit. Si i tillë, thuajse përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindasve që etnia shqiptare në përmasat e katër vilajeteve sa kishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet botës perëndimore.
Kjo e arritur historike ishte pjesë e një kundërvënie thuajse një shekullore mospranimit të pushtimit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999. Ky proces i pandalshëm kaloi nëpër disa binarë: atë të rezistencës së armatosur (nëpërmes luftës kaçake në vitet 1912-1924); të përpjekjeve për bashkim kombëtar në përputhje me rrethanat (ato nga viti 1941-1944) ; të iredentizmit ideologjik nga viti 1945-1968 në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes ,si dhe atë për barazi e manifestuar me kërkesën për Republikën e Kosovës që u shfaq në vitin 1968 dhe në vitin 1981. Përgjegjësia që këtij rrugëtimi t’i jepej akti i fundit, i ra Lëvizjes Kombëtare në vitet 1989-1999, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që drejtoi rezistencën institucionale dhe atë të armatosur, me ç’rast, me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, ia doli të shkëputet nga Serbia. Ndërsa me në Kuvendin e Kaçanikut, më 7 shtator 1990, shpallja e Repblikës së Kosovës, që u jetësua mbas zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, ia krijoi platformën kushtetuese dhe institucionale shtetit të pavarur të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u pranua edhe ndërkombëtarisht.
Andaj, nga kjo pikëpamje, 17 shkurti i vitit 2008, është i barasvlefshëm me 28 nëntorin 1912.
Bota shqiptare ka arsye që këtë ditë ta kremtojë me dinjitet, ndërsa shteti shqiptar duhet që 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare.
Ky veprim, formulën e bashkimit kombëtar e konverton në atë të unionit të të dy shteteve shqiptare, si të drejtë të bashkimit në përputhje me vullnetin demokratik, që duhet ta ketë edhe miratimin e faktorit perëndimor./ KultPlus.com