11 Shtator, 2021 - 11:28 am
Shkruan: Ballsor Hoxha
A është politikë – sot – mbyllja, kufizimi, apo liria e shoqërimit në ‘kafiq’?
Apo, a është ekonomi, mbijetesë, dhe luftë ndaj tragjedisë, sot, ‘kafiqi’?
Apo, a është nevojë jetike, sot, që të shoqërohemi, të bashkë – vuajmë dhe të zbusim ankthin, ndaj ndryshimeve globale dhe saktësisht të tragjedive globale sot?
Dikush mund të pyetet ku është etika, apo çmenduria në të trajtuarit e fenomenit të ‘Kafiqit’, hartës së ‘Kafiqave’ të Prishtinës, në këtë kohë tragjedie globale? Mund edhe të jetë, që është çmenduri, dhe degjenerim! Por gjithashtu mund edhe të jetë ballafaqim dhe vetëdijesim për të gjitha problemet e lindura, si në glob e po ashtu edhe tek ne. Probleme prej ‘social distance’, vaksinimit, “çipave të implantuar në ne”, teorive të konspiracionit, etj. Dhe, shumë më shumë, mund të jetë luftë dhe vetëdijesim për jetën që po e jetojmë, gjatë pandemisë dhe po ashtu në përgjithësi. Por, në fund, mund të jetë edhe qëndrim dhe konfrontim ndaj problemit politik dhe aq më shumë problemit sociologjik të ‘kafiqit’ në këtë tragjedi.
Kjo sprovë dhe përpjekje për të trajtuar këto, dhe aq më shumë ‘kafiqin’ si sociologji dhe kulturë e shpirt kozmopolitan, sot, është qëndrim ndaj të gjitha këtyre, dhe aq më shumë hapje e horizontit të dhe lidhur me ‘kafiqin’! apo qoftë edhe vetëm njoftim i lexuesit me atë.
Përpjekja për të hapur këtë çështje është vënë përballë kotësisë së vlerave tona që po i shpërfaqë pandemia, dhe aq më shumë nevojës “për këto kotësi”!
Kjo kronikë, estetikë dhe trajtim socio – kulturor i ‘kafiqit’ të Prishtinës është përpjekje për të krijuar një hartë. Hartë jo definitive por hapje të njohjes së Prishtinës në vetë shpirtin e saj.
Kronika, është e ndarë në dy shtresa, dy përqendrime dhe dy shpirtra Prishtinas, që në të vërtetë janë dhe e ushqejnë njëri tjetrin.
1. ‘Kafiqi’ mainstream; i kultivuar dhe kultivues i shpirtit Prishtinas; si dhe
2. ‘Kafiqi’ sub – terrenian (jo dosmdoshmërisht – underground), apo ‘kafiqi’ nga ku buron shpirti Prishtinas, e që më tutje kalon në mainstream. Që do të thotë ‘kafiqi’ i lagjes, dhe i mëhallës.
‘Kafiqi’ mainstream është përzgjedhje, jo definitive, por karateristike e sociologjisë prishtinase. Në këtë grup janë përmbledhur disa reprezantues dhe kultivues më të pasionuar dhe më me nam në Prishtinë, gjë që – në tërë këtë çmenduri – është tendencë të kalojë në kronikë, kultivim dhe bashkë të mësuar të shijimit të tij.
Janë përfshirë katër karaktere të këtij lloji të ‘kafiqit’ prishtinas:
Përqendrimi masiv dhe burimor i kuartit “Kafet e Rakisë” që mbrun zonën e thellë të fuqisë sociologjike të ‘kafiqit’ në Prishtinë.
Fryma prishtinase si çmenduri e guximit dhe pasionit për të hapur shpirtin e saj, siç është ‘kafiqi’ Miqt.
Pasioni dhe suksesi, në profilin dhe orientimin e tij, përmes ‘kafiqit’ Bon Vivant.
Guximi dhe aftësia për të asimiluar dhe shkëmbyer lëvizjet dhe karakteristikat globale si në ‘kafiqin’ Ellie (në Rrugën B).
Dhe në fund, kafiqi hedonist dhe – undergorund, apo të qenit mbi tehun dhe në dy anët e hedonizmit, siç është kafiqi (Servisi) Fantazia.
Sigurisht, autori dhe kjo kronikë as nuk pretendon të jetë e gjithëdijshme dhe as të kufizojë këtë hartë. Në të vërtetë është vetë nisma dhe zanafilla e hapjes së kultivimit dhe shijimit të shpirtit prishtinas.
Dhe, në anën tjetër, është trajtuar – ‘kafiqi’ sub – terrenian, i mëhallës, i cili është një përvojë e gjatë e autorit të këtij shkrimi dhe shijimi të këtij lloji të këtij fenomeni sociologjik. Në këtë pjesë të hartës së shpirtit prishtinas, janë përfshirë ‘kafiqa’ të të gjitha llojeve, dhe atë nga e shumta e lagjeve të Prishtinës.
Më tutje pasojnë punimet dhe trajtimet e ‘kafiqit’ duke filluar në trajtimin e ‘kafiqit’ si fenomen sociologjik e konfrontim i pandemisë dhe tragjedisë së saj, dhe më pastaj veç e veç një shijim dhe trajtim, i estetikës së këtyre ‘kafiqave’.
Për fund të kësaj hyrjeje, le t’i kthehemi asaj që jemi, në këtë përpjekje dhe në këtë që është trajtuar. Ne jemi ‘underdog’ në të gjitha aspektet dhe kategoritë, qoftë në raport me qytete fqinje si Shkupi e Tirana (hiç më larg), dhe qoftë në raport me peshën ekonomike dhe të popullatës, dhe të impaktit jashtë Prishtinës, jashtë Kosovës.
Në jemi minj të gjallë të të gjitha eksperimenteve, qoftë të vetëdijshme e të planifikuara globale dhe ndërkombëtare; dhe qoftë të atyre të vibe- ve globale dhe influencave të tyre.
Ne, të shumtën e kohës, të vënë nën akthin dhe dramën e mbijetesës (përpos pandemisë), nuk e dimë çka shijojmë dhe çka kultivojmë.
Ne, kemi – pauzën – dhe jemi përballë një muri që vazhdimisht na përkujton për – kotësinë – e jetëve tona dhe vlerave tona, globalisht dhe në strata vendore, për këtë arsye, pse të mos marrim mundin të mendojmë rreth këtij fenomeni sociologjik. Një herë e në të ardhmen!
Kjo kronikë është përpjekje për të zgjuar, jo obsesionimin për rroba e dukje të njeri tjetrit (qoftë edhe gjatë pandemisë), por shpirtin kulturën dhe frymën e Prishtinës. Sigurisht, duke qenë vetëm një pikëpamje e një të pasionuari, dhe aq më shumë e një të “nguluri” në ‘kafiq’ qysh nga mosha 15 vjeçare, jo vetëm si zgjedhje, por edhe si solidarizim e luftë për të qenë, në Prishtinë e Kosovë! / KultPlus.com