‘Kafiqi’ – Përjetimi i mëngjesit në Prishtinë

12 Gusht, 2024 - 4:52 pm

Ballsor Hoxha

(Ky shkrim, dhe shkrimet tjera në vazhdim për ‘kafiqin’ janë revoltë, ndaj të konsideruarit të saj si odë, si biznes e si ekspozitë gjinjsh e të të pasmeve, ‘kafiqi’ është art shprehjeje spontane e qytetit. Dhe në këtë, si çdo gjë tjetër në Prishtinë është revoltë. Është revoltë si çdo mbijetesë e që është vetë Prishtina. Në të vërtetë vetëm të mbesësh gjallë në Prishtinë është – revoltë).

Prishtina verës është një organizëm fëmije të liruar nga burgu i izolimit kulturor, e social. Është në ankth nga liria dhe për lirinë të cilën e sjellë diaspora e saj, në të vërtetë diaspora e tërë Kosovës.

Në nxehtin e saj afrikan tanimë të vendosur në këtë qytet, liria metastazon (paradoksalisht) në intensitet energjie të metropoleve më të mëdha botërore, megjithëse Prishtina është fëmijë në qytetësinë e saj. Pavarësisht mungesës së të dhënave të qarkullimit njerëzor ditor gjatë kohës së diasporës, së paku vuajmë dyfishimin e popullsisë së Prishtinës, si për të mirën e saj po ashtu edhe për të keqen e saj.

“… All the children are insane…” thoshte Jim Morrison, apo, kjo i bie, tërë bota përpos fëmijëve është – sane – (e shëndoshë mendërisht), e rregulluar sipas marrëveshjeve njerëzore, por përderisa fëmijët duhet të braktisin botën siç është – e pazotërueshme,  për një botë të marrë – vesh, për një botë të marrëveshjeve. Gjithnjë duke harruar se vijmë të çmendur në këtë botë vijmë të pa marrëveshje, vijmë nga – dëshira – për të zotëruar këtë botë. E në këtë, Prishtina, si fëmijë rrënjësisht i krisur në liri dhe për liri, në të njëjtën kohë ka nisur t’i nënshtrohet botës së madhe të marrëveshjeve, por edhe të estetizojë po këtë krisje.

Sigurisht është i qëllimshëm sinonimi (zimi) i Prishtinës me fëmijën, për të vëmendësuar atypëratyshmërinë (improvizimin), të egrën dhe të sofistikuarën, çorodinë, përçartjen, krisjen, jazz-in, orkestrimin, kanalizimin e Prishtinës, etj. Por, kjo është gjithashtu edhe për të vëmendësuar sa të vegjël jemi në zotërimin e këtyre marrëveshjeve në shkëmbim me përjetimet gjigante që ajo i ka, sidomos në bashkëkohësinë e saj. Të pamundurën për vetë organizmin e saj.

Mund të themi çka do që duam, por tërë ajo që ka Prishtina janë ‘kafiqat’ e saj, kulturalisht, dhe në aspekt social. Dhe klubet dhe restorantet.

Në këtë, prapë paradoksalisht, ‘kafiqi’ edhe te ne është në pararojë të bashkëkohësisë globale – në shpërbërjen, metastazën e lirisë së të natyrshmes përkundër të sofistikuarës, në lirinë e shndërrimit të masave të vuajtura para pak kohe në kapitale të estetikës bashkëkohore (hip-hop-i, të pasmet  gjigante të grave të njohura, e krisja e diskurseve të mëdha në rrjete sociale) –  duke pas shndërruar tërë të “kontrolluarën” në kontroll hyrje daljeje nga klubi e restoranti, e kafiqi, ndërsa as muzika më nuk është me rëndësi, pikërisht aty ku shkohet për muzikë.

‘Kafiqi’ sot është shprehja më e thellë, më e pakalkuluar (me gjithë paradoksin) dhe më e pasofisikuar e njeriut në kolektiv sot. Aty mbinë dhe shuhet teatri, aty luhet filmi i realitetit sot, aty shkruhet tregimi e rrëfimi i kohës, dhe aq më shumë vetë jazzi i njeriut të humbur në këtë kofunzion global, dhe pastaj sshuhet në pot njëjtën natë, duke nisur nga fillimi natën e radhës.

Çfarë ode, çfarë patriotizimi mund të ketë sot në ‘kafiq’ (me ‘q’) nëse nuk dimë çka është sot mirë e çka keq nëse e mira është e çarë nga depërtimi i të pasmeve mespërmes saj, dhe nëse e keqja është në rendin e parë të shkollës. Çka ka mbetur prej patriotizmit të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar të ‘kafiqave’ të Prishtinës është kujtimi për lavdinë e revoltës dhe të aromës së barotit në erë gjatë luftës, ndërsa sot, ‘kafiqi’ është loja e njeriut me vetë të zinë, vdekjen në afërsi edhepse jo më nga milicia serbe, por nga e paparashikueshmja dhe e pakontrollueshmja e ankthit të njeriut për mbijetesë.

II

Cafe Z – Mbijetesa e branduar në ‘kafiq’

Ballsor Hoxha

(Ky shkrim, dhe shkrimet tjera në vazhdim për ‘kafiqin’ janë revoltë, ndaj të konsideruarit të saj si odë, si biznes e si ekspozitë gjinjsh e të të pasmeve, ‘kafiqi’ është art shprehjeje spontane e qytetit. Dhe në këtë, si çdo gjë tjetër në Prishtinë është revoltë. Është revoltë si çdo mbijetesë e që është vetë Prishtina. Në të vërtetë vetëm të mbesësh gjallë në Prishtinë është – revoltë).

Në Prishtinë asgjë nuk është e qëndrueshme, as nuk i bën ballë rrymave të tsunamive globale, asgjë as nuk mbijeton, aq më shumë as fryma e revoltës kolektive, ndoshta ndër më të mëdhatë në historinë e Kosovës – vetë fryma e ringjallur e patriotizmit pas luftës, që u politizua deri në zyrtarët për fotokopje, mysafirët e kafeve të mëngjesit, e të pleqve të pa asnjë ardhmëri, çdo gjë është e tejdukshme, jo për shkak të ndonjë dobësie tonë, por sepse pamundësia për të mbijetuar është më afër se cilado ëndërr. Apo ëndrrat janë aq minimale të fshehura thellë, sa që thahen brenda dhe mbesin si arra të zbrazëta.

Por, ka një luks në Prishtinë, mëngjeseve të verës së saj të dielave – mundësia e zgjedhjes për të pirë kafen e mëngjesit ofruar në secilën pjesë të saj. Por askund në Prishtinë nuk është esspresso më i kthjellët, më i ndjeshëm, më i bukur se sa në sheshin e Prishtinës. Por, sigurisht, jo gjithkund në shesh. Në të vërtetë në shumë nga kafiqat që e ofrojnë këtë, janë të dhënë pas grumbujve të gjithfarë qejfesh e argëtimesh e parasë nga klientela. Por nëse kërkon më kujdesshëm dhe më durimshëm është edhe Cafe Zz. E në Cafe Zz ka një kthjelltësi dhe pastërti të fjalës që e thua dhe e dëgjon mëngjeseve të verës së Prishtinës, tingullit e aq më shumë të ndjesisë së këtij mëngjesi të dielleje. Krijuar nga kujdesi gastronomik e argëtues, e estetik i këtyre djemve që e kanë pasion po këtë.

‘Kafiqi’ “Cafe Z” (apo edhe i shqipëruar shpesh në gjuhën e shpejtë dhe të pazotërueshme prishtinase, – Kafez) është shembulli më i theksueshëm i mbijetesës në Prishtinë.

I hapur nga disa të pasionuar nga Gjakova, viktima të luftës, ky kafiq kishte filluar të punojë përmes fuzionimit të “lavdisë” së disa yjeve në këtë qytet dhe pasionit ndaj argëtimit, shërbimit e gastronomisë të këtyre djemve nga Gjakova tanimë prishtinas.

Pastaj me kalimin e këtij ‘kafiqi’ në duart e “këtyre gjakovarëve të natyralizuar në Prishtinë” ai kishte kaluar në lounge bar, shndërrim të profilit të tyre kur shërbehet sot cilësi e pijeve, koktejeve dhe ushqimit. Dhe me këtë çdo gjë filloi nga fillimi por në duart e Albanit të Cafe Z që me durimin e një këpucëtari sajon dhe krijon ndjenjën e paharrueshme të të festuarit të jetës këtu.

Me sakrificën dhe përpjekjen e pamohueshme dhe pasionin  e tyre për tërë atë që është ‘kafiqi’ sot, ata janë zotë të sheshit të Prishtinës. Sigurisht jo si mafia, por si punëtorë të mirënjohur dhe pasion të çeliktë.

Tanimë Café Z është sigurisht një qëndresë e këtyre rrymave globale dhe të paqëndrueshmërisë në këtë qytet. Është kulturë në vete, e shërbimit, gastronomisë, atmosferës, dhe aq më shumë të mundësisë së argëtimit, në profilin e saj.

E arkitekturuar në katër pjesë, tarracën e kafesë ballore dhe të klientelës së përhershme (por jo domsdoshmërisht), pjesën e non – smoking, pjesën tejet të bukur sallën kryesore, dhe në fund, ku çdo gjë të sjellë në një përjetim tejet të bukur – tarracën e prapme.

Ka dy mënyrë për ta shijuar bukurinë e kësaj arkitekture: t’i jepesh atypëraty tërë asaj që ofron Cafe Zz, apo të lejosh të të bartë jo vetëm oferta e tyre, por edhe një bukuri e ndërtuar, e dizajnuar dhe e harmonizuar për dekada tanimë. Është një natyrë e kujdesshme dhe me durim e krijuar për të dhënë jo një argëtim apo estetikë të shpejtë të gastronomisë, por përkundrazi për të dhënë një kujtim të qëndrueshmërisë.

Ndoshta Prishtina është tejet konservative në mentalitetin e saj për të pranuar kujdesin e një grupi djemsh që kanë ndërtuar këtë bukuri, apo edhe më vështirë për t’i dhënë asaj një vend në konglomeratin e pikave të dashura të saj, por pikërisht në Cafe Z është e ndërtuar një qëndresë ndaj rrymave të gjithfarë përçartjeve e trendëve të globales, këtu shijohen mëngjeset e mbrëmjet më të bukura, dehet, e argëtohet njeriu si mbret.

III

Cafe de l’ame – të përjetosh shpirtin e mahallës

Ballsor Hoxha

(Ky shkrim, dhe shkrimet tjera në vazhdim për ‘kafiqin’ janë revoltë, ndaj të konsideruarit të saj si odë, si biznes e si ekspozitë gjinjsh e të të pasmeve, ‘kafiqi’ është art shprehjeje spontane e qytetit. Dhe në këtë, si çdo gjë tjetër në Prishtinë është revoltë. Është revoltë si çdo mbijetesë e që është vetë Prishtina. Në të vërtetë vetëm të mbesësh gjallë në Prishtinë është – revoltë).

Nuk ka më bukur se në Prishtinë! Por vetëm nëse je i izoluar dhe pa ardhmëri, për të shkuar tutje e kudo tjetër (me gjithë vizat, EU nuk na ka pajisur me të holla, ende!!). Apo, thënë më saktë, nuk ka më bukur se në Prishtinë ku nuk e din si do të mbijetosh për le të themi një javë, jeta është më e çmueshme në kufi me kaosin!

E megjithatë në Cafe de l’ame mëngjeset e verës në Prishtinë bashkë me fishkëllimën e urbanit numër 4, çelësat në hapje të shitoreve e bizneseve, trafiku i sapo zgjuar; shërbyer me kafe të kthjellët e me kujdes të veçantë, dhe muzikën e zgjedhur me shije tejet të hollë nga Shkëlqimi dhe Shpëtimi, mëngjesi bëhet i bartshëm, i dashur e i jetueshëm. Në të vërtetë në kafen e mahallës Cafe de l’ame mëngjesi bëhet një përjetim i mbamendshëm i verës. Ndien veten sikur përket diku, në një pjesë të botës që mendon për ty, kujdeset për ty e të çmon pikërisht ashtu si je, “lladikë”, apo i rëndë nga dehja e mbrëmshme, apo duke planifikuar një banesë të re me të ardhurat nga ëndrrat.

Kam shkruar edhe një herë për Cafe de l’ame – si kafe e mahallës, ndodhur diku në pjesën e dytë të Bregut të diellit, dhe që ka lindur si përpjekje për të estetizuar dhe për t’i dhënë shpirt mahallës. Kam shkruar se dy djemtë pronarë të tij, të rinj, fëmijë lufte në Kosovë, vetë dora e këtij ‘kafiqi’ janë djem të kësaj mahalle, por për dallim këta janë me një plan. Me një ëndërr, me një motiv, për të dalë “nga izolimi që i bën vetes kosovari”, jashtë dhe në të njohurën e asaj që ofron ky qytet.

Shpirti i një mahalle, nuk është në djemtë e fortë të saj, as në të pasmet gjigante të femrave të saj, as në makinat e ndërtesat e saj, gjigante po ashtu, dhe që nuk i mungojnë kësaj mahalle. Është pikërisht në atë kur po të njëjtit, të njëjtat i nënshtrohen përvojës së mahallës në bisedë, kur i jepen bisedës së përbashkët me gjithë drejtorin e shkollës dhe pasanikët milionerë. Ku Shkëlqimi e Shpëtimi zbusin egërsinë e këtij konteksti me një zonë të krijuar që qëndron  jashtë të papritshmes së tragjikes kosovare, që do të thotë jashtë të panjohurës që sjellë mëngjesi, dita, e nata në Prishtinë.

Shpirti i mahallës, sikur kur hynë në Cafe de l’ame është në frymën e përbashkët të mbijetesës së përbashkët po ashtu, që e ndien, në sytë, frymëmarrjen e llafet që t’i lëshojnë të njohurit. Në endeminë e duhanpirjes së pashqitshme në shoqërinë tonë e në mikëpritjen e “të panjohurve” në mahallë, të rinjve dhe të ardhurve. Në shtruarjen e muhabetit dhe të derteve e të arritjeve të diasporës në Cafe de l’ame, derisa nuk e qajnë tërë dhembjen e kalimit të kohës, dhe të rilindjes së dashurisë për këtë lagje e mahallë, dhe aq më shumë të rinjohjes së njëri tjetrit në të njëjtën kohë.

Por Cafe de l’ame është shumë më shumë se kjo, shpirti i mahallës i shprehur dhe i branduar, ashtu siç është, me çmenduritë e mençuritë e saj, jashtë saj, në vendin ku takon, apo  në vendin i cili mbahet nga po të njëjtat mahalla, në Prishtinë.

Dizajni i saj ëstë një guxim i Shkëlqimit, duke kombinuar trendin e dizajnit sot në Prishtinë dhe ndjesinë e tij për hapje, çarje, krijim ambienti dhe çlirim, gjithnjë në përpjekje për të akomoduar ndjesinë e përkitjes, këtu./ KultPlus.com

Të ngjajshme