2 Tetor, 2021 - 6:57 pm
Shkruan: Ballsor Hoxha
I.
‘Kafiqi’ – harta e shpirtit të Prishtinës
II.
Pandemia, ‘Kafiqi’ – a jemi përballë kotësisë së vlerave tona?
III.
‘Kafiqi’ – sociologjia ku ndodh lufta jonë!
IV.
Kafet e rakisë – “Rakia connecting people”
Në Kosovë, e sidomos në qytete e mëdha të Kosovës, e posaçërisht në Prishtinë, pas luftës, dhe për një kohë të gjatë, ishte këputur lidhja e jetës, shpirtit dhe kulturës së saj. Ishte si këputje e filmit, të jetës. Por, në natyrën shoqërore, gjërat dhe sidomos shkëmbimet kulturore, prej qebapëve, e deri tek rakia e rëndë, bëhen për një arsye. Për një arsye, paradoksalisht, edhe të shëndoshë, por edhe të pakontrollueshme. Janë mishërimi i sociologjisë së kësaj shoqërie. Pavarësisht etikës e dogmave krejtësisht legjitime në predikimet dhe dijen e tyre – rakia – ka rikthyer Prishtinën në lirinë e saj, dhe ka ringjallur vetë sociologjinë e saj. Në të vërtetë e ka ‘ngjitur’ po këtë film të këputur një herë dhe për shkak të tragjedisë e dhunës së përjetuar.
Aty ku zhvillohet ‘politika globale’ dhe më dramatike; aty ku derdhet tërë vërshimi kulturor, prej qebapëve e deri tek trendet më të larta filozofike; aty ku derdhet edhe alkooli në tonelata, e që është Prishtina, Prishtina masive dhe e të gjitha gjeneratave, janë – Kafet e Rakisë.
Rakia, e ardhur prej mizërisë së “ushtarëve” të Otomanëve në pushimoret e tyre ndërmjet luftërave, ka një konotacion krejtësisht të dyshimtë në kulturën tonë, dhe atë jo vetëm në atë myslimane e qoftë në shqiptaren tonë. Kryesisht mendohet se ka ardhur prej ndikimeve kulturore serbe e armiqësore. Por, shih paradoksin, ‘rakia’ posaçërisht ajo e Ballkanit dhe e njohur me këtë emër, vjen nga myslimanët/Otomanët! (apo siç u cek më lartë nga “mizëria” e ushtarëve Otoman.)
Po kështu, edhe Kafja e Rakisë, është fenomen sociologjik Ballkanas, njëjtë si qebapët dhe e shumta e konsumit ballkanas që është një përzierje e pandashme e kulturave të sociologjisë ballkanase. Kafja e rakisë është shumë më shumë komunikim kulturor dhe shpirtëror, se sa hedonizëm e “qefleisje”.
Në të vërtetë Kafja e Rakisë, me pak ndihmë të tonelatave të alkoolit, si në Ballkan e po ashtu edhe në Prishtinë, hapë dhe është hapja e shpirtit kosovar, prej kompleksit të inferioriteti (lexo: mekanizmit mbrojtës) dhe të qenit ‘underdog’ në shtjellat dhe shkëmbimet kulturore globale e rajonale. Gjë që do të thotë se sa më e thellë e më e madhe tema e debatit në tavolinë/a, aq më e madhe kriza e të qenit në furinë e këtij tranzicioni socio – psikologjik global.
Por këtë e bën edhe më komplekse përshtypja e turistëve dhe vizitorëve të huaj të këtij kuarti, të cilët e shohin si një “Itali e vogël”. Gjë që i shtonë edhe flakë e edhe paradoks komplekses dhe ndërthurjes së origjinave dhe kulturave të këtij rajoni, dhe aq më shumë Prishtinës.
Po të shohësh fenomenin sociologjik, rrënjësisht të lidhur me lirinë dhe, sidomos, varfërinë e Prishtinës, të Kafeve të Rakisë, ai është një Shkup identik, apo një Beograd e Lubjanë e Zagreb tradicional. E sidomos një Sarajevë myslimane! Është pikërisht ringjallja e tërë asaj që është jetuar dhe ka qenë përvojë në Jugosllavi. Pavarësisht, luftërave, urrejtjes e armiqësive, në të vërtetë kjo rishfaqje dhe ringjallje e kësaj përvoje (menduar këtu literalisht), është krejtësisht spontane dhe gjurmë e një bote dhe një mirëqenie të kaluar, prej viteve pesëdhjetë e deri në fund të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.
Edhe më interesant, bëhet kompleksi i rakisë dhe kafes së rakisë, kur ai shikohet nga masivizimi i këtij kuarti, që ka ndodhur me fuzionimin e qebaptoreve Te Martini dhe Shoki, të restorantit (në fillet e tij) Tirona, e kafiterive të gjeneratave krejtësisht të reja si Fish dhe Miqt. Gjë që e bën këtë kuart shumë karakteristik për Prishtinën. Dhe kjo duke qenë ndryshe nga Shkupi e qytetet e ish Jugosllavisë në këtë “mesele”, pasi që fuzionon të rinjtë me veteranë të mirënjohur në Kosovë e Prishtinë, kalimin nga Martini, Shoki e Tirona në kafe të rakisë siç Charlie Braown. Kompleksi i Kafes së Rakisë dhe vetë rakia, rikthejnë festën e lirisë dhe, paradoksalisht, të “mirëqenies” apo varfërisë, në qendër të Prishtinës, dhe e ndërtojnë shpirtin karakteristik të Prishtinës dhe kulturën e masave prishtinase.
Në kohën kur kompania më e njohur globale e telefonave mobil Nokia kishte lansuar moton e saj “Nokia connecting people”, ajo menjëherë ishte ballkanizuar në “rakia connecting people”, gjë që në të vërtetë, shikuar edhe sipas dijes bashkëkohore dhe edhe sipas ballkanases, është gjurma e “underdog” dhe e humorit e shpirtit kulturor ballkanas. Është gjurmë e cila shpërfaqë atë për të cilën njihen ballkanasit, e që në të vërtetë e shndërron “kompleksin e narcizmit të viktimës” (gjë e njohur në shoqëritë viktima si kosovarët e shqiptarët) në potencial të ringjalljes dhe rikthimit në të tashmen dhe në përkatësinë e saj. Në jetën e saj, brenda në shpirtin e saj.
Kafet e rakisë, me një fjalë, janë dëshmia dhe monumenti sociologjik, i cili feston dhe aq më shumë vendos lirinë, për të zgjedhur sidomos, jetën!/KultPlus.com