Kambana e universitetit

5 Shkurt, 2023 - 11:49 am

Nga Ag APOLLONI

KAMBANA E UNIVERSITETIT

Për arsye të një strategjie retorike, më duhet t’ia drejtoj këtë “letër” dikujt. Ai dikush është rektori aktual. Letrat me adresë sjellin kokëçarje më shumë se ato pa adresë, por kjo është mënyra më e mirë për ta shmangur luftën me fantazma. Në këtë mënyrë, edhe rektori mund të tregojë nëse presioni që bën ai mbi profesorët, vjen nga presioni që i bëhet atij nga të tjerët, megjithëse kjo do të dukej sikur të na thoshte: “po ju rrah, se po më rrahin”.   

Kjo “letër”, edhe nëse për arsye stilistike, përdor ndonjëherë urdhëroren, nuk është urdhër (sepse pozita nuk ma lejon këtë), por këshillë, sugjerim. Po ashtu, ky nuk është rebelim i një profesori ndaj një rektori, por rebelim kundër vdekjes së dritës, dhe shpresoj shumë që edhe kolegët e mi të mos ju ndihmojnë ta varrosni dritën (e dijes), së paku të mos dorëzohen pa luftuar. (Meqë këtu përmendet edhe citueshmëria, dijeni që fjalia e fundit ishte një përzierje parafrazuese e një poezie të Dylan Thomas-it dhe një kënge të Pink Floyd-it, e parafraza është një kushërirë e citatit!). Përndryshe, nëse fiton “projekti” juaj me të cilin keni ardhur në krye të universitetit, shumë shpejt do ta dëgjojmë kambanën e vdekjes së dritës. (Kështu, kjo letër është vetëm një zile e vogël që alarmon se kambana e madhe, kambana tragjike, mund të bjerë së shpejti). 

Ndryshojeni “vizionin”, rektor! Shmangeni presionin! Atëherë do ta shihni se profesorët më të mirë do të jenë mbështetësit tuaj më të mëdhenj. Në të kundërtën, profesorë për t’ju lajkatuar do të gjeni sa të doni, ku të doni e kur të doni. Të tillët shqetësohen vetëm për pagën, jo për arsimin. Ndërsa të tjerët që kanë një karrierë përpara, nëse ky kurs nuk ndryshon, do ta gjejnë veten në universitete të tjera, në shtetet të tjera. Ata largohen e s’gjunjëzohen. 

Më vjen keq, rektor, që e keni kapur problemin nga bishti, jo nga brirët. Kur gjërat kapen nga bishti, gjasat janë shumë të mëdha për t’u koritur ju dhe për ta pësuar të gjithë ne.

Brenga jonë bolonjeze  

Universiteti i Prishtinës është institucion mbi të cilin është bërë presion i vazhdueshëm: nga serbët, shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Nga viti 1981-1999, ishte e zakonshme që profesorët të thirreshin në biseda informative, të detyroheshin të diferencoheshin, pastaj të maltretoheshin, të vriteshin, të masakroheshin, njëjtë siç veprohej edhe me studentët. Kur mbyllej universiteti, mbyllej për të dy palët: për profesorët dhe për studentët (dhe për administratën, sigurisht). Në vitin 1999, bëhet marrëveshja kontinentale e Bolonjës, ku nënshkruhen 29 shtete evropiane, por jo edhe Kosova, që ende nuk ishte shtet. As sot, 24 vjet pas asaj marrëveshjeje dhe 15 vjet pas shpalljes shtet, Kosova s’është anëtarësuar në Procesin e Bolonjës, megjithatë jemi të parët që jemi turrur për ta pranuar atë sistem. Unë jam gjenerata e parë që ka kryer studimet bachelor (pastaj MA e PhD) sipas atij sistemi, pjesë e të cilit realisht nuk jemi, por kemi qejf të jemi. Pse nuk jemi? Sepse, së pari, Kosova nuk ishte shtet, tash është shtet (me fusnotë), por nuk është pjesë e Këshillit të Evropës. Pasi të anëtarësohet në Këshill të Evropës, mund të nënshkruajë Konventën Kulturore Evropiane, pastaj të futet në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë.

Pra, ne nuk jemi as anëtarë, as nënshkrues, as në proces, por qe dy dekada lëshojmë diploma sipas sistemit bolonjez. Kriteret i kemi evropiane, por në Evropë, përveç gjeografikisht, me kurgjë nuk jemi. E kuptoj që s’kemi vendosur ne, sepse kemi qenë nën protektorat të UNMIK-ut, por s’e kuptoj pse u bëmë kaq agresivë, sapo u çliruam nga ai protektorat. Të vetmen rezistencë ndaj atij sistemi e pati bërë Vetëvendosja (kujtojeni parullën: “Bolonja në shpageta, jo në universitet?”), ndonëse jo aq me argumente, sa me frikën permanente nga UNMIK-u, të cilit duhej t’ia kishim frikën edhe kur na sillte “dhurata”.  

Kështu, me presionin e UNMIK-ut, qe dy dekada një fantazmë po sillet mbi UP: fantazma e Bolonjës. Me këtë sistem fantazmë diplomojmë, por realisht as e njohim, as na njeh. Brenda këtij sistemi evident dhe inekzistent tek ne, pushtetarët kosovarë e kanë shfrytëzuar universitetin për punësime familjarësh, duke e bërë universitetin çerdhe dibiduzësh. Pushteti është kujdesur të sjellë rektorë të dëgjueshëm, jo të aftë, në mënyrë që nipat, mbesat, kushërinjtë të pranohen sapo të tregojnë “kush i ka çue”. Protektorati e imponoi sistemin, pushteti i sistemoi të vetët. Kush nuk dëgjonte, shkarkohej.

Si rrjedhojë e kësaj, tash ju kemi ju, një rektor me një mandat të përgjysmuar. Pas largimit (pa ndonjë arsye serioze) të rektorit Sahiti, ju keni ardhur në kohën më të favorshme, meqë sivjet Kosova pritet të hyjë në Këshillin e Evropës, pra mund ta fusë de jure arsimin kosovar në Procesin e Bolonjës. Por, kjo s’do të na ndihmojë asgjë, nëse edhe ju vazhdoni të njëjtën metodë si shumica para jush.

Deri tani, ju e dini se Bolonja ka qenë një “shpagetë” matanë xhamit. E kemi parë, e kemi lakmuar, jemi lëpirë, por s’e kemi shijuar.

Brirët dhe bishti

Një nga pikat e projektit me të cilin ju keni konkurruar, ka qenë edhe kjo: për ta zgjidhur problemin e plagjiaturave, do të angazhojmë “profesorë akademikë” nga jashtë. E si mund të zgjidhet me ekip internacional ky problem në departamentet nacionale, për shembull? A do të jenë ata ekspertë të gjuhës shqipe, apo ekspertë të letërsisë shqipe? Thirrni mendjes! Nuk ka nevojë për profesorë nga jashtë, sepse detektimi i plagjiaturave nuk është punë e profesorëve, por e programeve kompjuterike, e programerëve dhe IT-ve. Nuk ka ndonjë profesor, të brendshëm apo të jashtëm, që të jetë ekspert për detektimin e plagjiaturave. Detektimi nuk është punë akademike. Plagjiatura jo se jo. Të merresh me plagjiatura domethënë të punosh për të bërë efekt medial, asgjë tjetër. Plagjiaturat duhet të detektohen në mënyrë kompjuterike dhe plagjiatorët të dënohen sipas ligjit. Si mundet rektorati të kërkojë kësi farë protektorati për ta ndalur dukurinë e plagjiaturave? Është njësoj sikur Qeveria të kërkojë kthimin e UNMIK-ut, me arsyetimin se vetëm s’po ia del ta qeverisë shtetin. Është e tmerrshme vetëm ta mendosh. Ju, si rektor, s’do të duhej ta thoshit këtë.

Një pikë tjetër që e keni përmendur në një intervistë (Ndërrimi i statutit dhe plagjiaturat, prioritetet e rektorit Qerimi (rtklive.com)), është: nga viti 2023, për avancim do të pranohen vetëm publikimet në dy platforma (keni aluduar në Scopus dhe WoS, sigurisht). Ky është një kërcënim i trashëguar nga rektorët e mëparshëm, që bënin gjithçka që ua sugjeronte ndonjë “i huaj”. Ne e dimë që jo vetëm universiteti, po as shteti ynë nuk ka potencial ekonomik e logjistik për të bërë shkencë. Ne mund të mësojmë për shkencën, por nuk mund të bëjmë shkencë. Nejse, kjo është temë për një ligjëratë tjetër.  

Përveç jush, disa javë para jush, edhe një deputet tha në një takim me ministren e Arsimit: “punimet duhet të jenë të nivelit botëror”. Nuk e dinte ai i shkreti që ka gati njëqind vjet që diskutohet mbi cilësorin “botëror/e” dhe ende s’ka një konsensus për të. Ai deputet e zgjidhi këtë problem ashtu, tap-rrap. Pra, ju, duke ndjekur pararendësit tuaj, thoni se duhet të botojmë vetëm në dy platforma, kurse ai deputeti thotë se punimet duhet të jenë të nivelit botëror. Nga këto kërkesa, kritere, apo kërcënime absurde, më vjen të ikë jo nga shteti, por edhe nga planeti, veçse kam frikë se, ngaqë ai deputeti merret me raketa, do të më gjeni edhe në planete të tjera.

Ju thoni: dy platforma. Po çka janë ato platforma? Janë thjesht databaza. Janë shumë të nevojshme, si të gjitha platformat online, sepse mundësojnë vizibilitet (rrjedhimisht citueshmëri të punimeve) dhe, kur revistat janë me “open access” (pra, ku të gjithë mund të kenë qasje), ndihmojnë në identifikimin e plagjiaturave, por jo në shmangien e gjepurave. “Ata kanë shkruar gjepura pa fund, por kanë qenë dhe do të vijojnë të jenë shumë të cituar”, thotë Umberto Eco për M. Baigent-in dhe H. Lincoln-in. Pra, të jesh i cituar nuk do të thotë të jesh cilësor.

Fundja, vizibilitetin online të publikimeve e mundëson çdo platformë online. Por, platforma në vetvete nuk është vlerësuese. Hajt po themi që në ato dy platforma paska revista që kanë borde ndërkombëtare (pothuajse çdo reviste shkencore në botë, pavarësisht është apo jo në ato platforma, ka bord ndërkombëtar), të cilët e vlerësojnë punimin. Pra, punimin tim për gjuhën e Naim Frashërit, për shembull, do ta vlerësojë profesori që s’i plotëson dy kushtet elementare për të më vlerësuar: nuk e njeh as gjuhën shqipe, as Naim Frashërin. Ju mund të thoni se, përderisa disa angazhojnë komision për “blind review”, mund të kontaktojnë profesorë shqiptarë. Kë do ta kontaktojnë për ta vlerësuar punimin tim për, ta zëmë, “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, kur unë jam i vetmi që kam bërë monografi për këtë vepër? Pastaj vlerësimi i letërsisë nuk është si vlerësimi në shkencë. Studiuesit letrarë e mohojnë shkencën e letërsisë, sepse çdo studim është interpretim subjektiv. Ky është një terren shumë i vështirë dhe do të më duhej një ligjëratë e gjatë për ta shpjeguar. Ata të letërsisë më kuptojnë edhe me kaq sa thashë.

Prandaj, po jua kujtoj që është një platformë për Evropën Qendrore dhe Lindore (CEEOL), dhe s’kemi pse të mendojmë për platformë tjetër. Kosova nuk është askund, as në Bashkimin Evropian, as në Këshillin e Evropës, as në Konventën Kulturore Evropiane, as në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë, as në Procesin e Bolonjës, ama ju insistoni, pa një arsye bindëse, që profesorët të publikojnë vetëm në ato dy platforma, përkatësisht në revistat që janë pjesë e atyre platformave. Nuk e shihni që institucioni të cilin e udhëhiqni, i ka punët pus, por e kërcënoni profesorin me Scopus. Universiteti është në të gjitha anët kaos, ju thoni: botoni në WoS!

Duhet të ndiqet njëfarë logjike, mendoj: së pari, forcohet shteti (ne s’jemi ende plotësisht shtet, se nuk e kemi hequr fusnotën; nuk kemi liberalizim vizash; nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian etj.); së dyti, forcohet universiteti (anëtarësohet në KE, apo në Këshillin e Evropës, në ZEAL, apo në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë, në PB, apo në Procesin e Bolonjës), pastaj i duhen nja pesë vjet “sa me i marrë kambët”, e, në fund, mund të diskutojmë për ato platforma. Mos lejoni të ndodhin skandale si ai në Webometrics (një rangim që ju entuziazmoi), ku ta vlerësojnë universitetin duke ta mohuar shtetin!

Pastaj, a njëmend mendoni se është e dinjitetshme të publikosh në revista ku duhet të paguash? Me vetë faktin që ti paguan, jo ata që të botojnë, kuptohet se sa i rëndësishëm është punimi yt. Prej kohëve antike, poseduesi i mallit të mirë paguhet, nuk paguan. Thonë se Ministria ka thënë se atë pagesë që do ta bëjnë profesorët për të publikuar në ato platforma, do t’ua kompenzojë ajo më vonë. Kjo do të ishte njësoj sikur Ministria të angazhohej për promovimin e korrupsionit akademik. Unë shpresoj që të gjithë profesorët, që kanë dije dhe dinjitet, t’i bojkotojnë revistat e tilla që kërkojnë pagesë.  

Impact factor vs non-factor

A e dini ju që universiteti duhet të jetë edhe ent botues (le ta quajmë, për shembull, Prishtina University Press), duhet t’i ketë botimet e veta (libra dhe revista, disa prej të cilave u mbyllën për shkak të fokusimit në platforma ndërkombëtare), nëpërmjet të cilave avancohet stafi akademik dhe ekspozohet puna akademike, pra zhvillohet institucioni?

Natyrisht, UP-ja duhet të synojë integrimin në platforma kontinentale të arsimit, por nuk duhet të harrojë që ka status të pavarur. Politikat e brendshme i cakton rektorati, jo protektorati.

A e dini që universitetit s’i lejohet të ecë para shtetit? Së pari shteti, pastaj universiteti. Shteti kurrkund, universiteti në majë. Kjo i bie që ju, si rektor, të jeni më i rëndësishëm se kryeministri. Po të isha rektor, do t’i vija gishtin kokës.

Një filozof spanjoll, që nuk ka botuar asnjë shkrim në ato dy platformat tuaja, José Ortega y Gasset, thotë se ne duhet të informohemi si punojnë të tjerët, por jo t’i imitojmë, se kjo do të ishte fatale, meqë shteti ia përshtat vetes sistemin e edukimit (hidhjani një sy librit të tij, Misioni i universitetit). Pastaj, universiteti italian, siç thotë Umberto Eco, është ndër më të kritikuarit: “Po shtohen si kërpudhat pas shiut artikujt apokaliptikë mbi tatëpjetën e universitetit italian. Sigurisht, nuk gëzon shëndet të mirë universiteti i një vendi ku fondet për kërkim shkencor janë aq të përkora dhe ku kërkesat për ta frekuentuar janë problematike”. Eco tregon që problem shqetësues në universitetin italian është mosndjekja e ligjëratave nga ana e studentëve.

Pra, edhe Italia ka problemet e veta me arsimin, dhe ne, me arsyetimin se jemi vetëm vëzhgues, mund të tregohemi pak më të rezervuar në zbatimin e formulave që na i sugjerojnë e që s’funksionojnë as në Bolonjë. Asnjëherë mos harroni që statusi i Kosovës në Procesin e Bolonjës është “vëzhgues”! Universiteti i Prishtinës, që është non-factor në sistemin, i cili s’e pranon, por  të cilin e zbaton, kërkon publikime në revista me impact factor. A mund të ma shpjegoni ku është logjika që të botojmë në revista me impact factor ne të universitetit non-factor? Mos i merrni shembull Gjermaninë, Francën, Spanjën, Anglinë etj., se ato janë anëtare në Procesin e Bolonjës, ne jo! Ato hanë, ne lëpihemi. Ato mund t’i kenë obligative publikimet, ne jo! Pse duhet të paguajë ai që s’ha? Askush s’mund t’i vendosë kushte dikujt që s’ia jep të drejtën e fjalës. E, UP-ja nuk ka të drejtë fjale në Bolonjë. Ne s’jemi faktorë as brenda Kosovës, e lëre më jashtë. Për manipulimet që bëhen me të ashtuquajturin “impact factor” ka reaguar edhe një profesor i njohur (emeritus) në Angli, Terry Eagleton.

Ju ngulni këmbë në platforma, sikur nga kjo të varej reforma (ajo që përflitet që nga mbarimi i luftës). Duhet të bëhet e kundërta: njëherë reforma, pastaj platforma. Prapë ai filozofi spanjoll, që s’ka botuar shkrime në platformat e mëdha, ka thënë: “Reforma nuk është vetëm korrigjim i shkeljeve, por tërësi prurjesh të reja”. Ju jeni fokusuar në shkelje (plagjiatura). Nëse doni, unë jua blej litarin dhe dalim e i varim bashkë plagjiatorët në shesh. Por, le ta marrim një rast që ta shohim si ka ndodhur një plagjiaturë në UP. Një profesor, që u akuzua për plagjiaturë, doli shumë sinqerisht edhe tha: “Më dënoni! Jam fajtor, se i kam besue filanit”. Në fillim, kjo duket qesharake, por kur e mendon pak, është sfidë ndaj manipulimit me platforma. Rektorati sugjeronte që të publikonim në disa platforma, tash ju insistoni vetëm në dy, ku është e vështirë, qoftë për shkak se jemi nga shteti i papranuar në Procesin e Bolonjës, qoftë pse në shumicën e atyre revistave, te opsioni i shtetit, mungon Kosova, qoftë pse ajo që studiojmë ne në departamentet nacionale nuk zgjon interesim në Perëndim (e për këtë duhen reformuar departamentet dhe lëndët), pra gjasat për citueshmëri i kemi zero. Meqenëse kur njëri gjen një kanal për të depërtuar në ato platforma, ku kërkohet një shumë e majme për botim, dhe meqenëse rektorati ta njeh një pikë edhe si autor i dytë, i tretë, apo i trembëdhjetë i artikullit, ai profesori do t’i ketë thënë “o shkrum, shkruma emnin qaty!”, dhe ai “shkrumi” ia ka shkru’. Po si mund ta dijë autori i parë, i dytë, i tretë, a i trembëdhjetë (pikë rëndësie s’ka i sati është, përderisa merr pikë aty), se ai që e ka “shkruar”, e ka vjedhur artikullin?  Dhe kështu, njëri vjedh, 12 pas tij dalin plagjiatorë.

Në shkencat humane, ky fenomeni i ko-autorësisë, me përjashtime shumë të rralla, është idiotësi. Në shkenca ekzakte është deridiku i kuptueshëm, ndonjëherë edhe i preferueshëm. Ndërsa, sidomos, në filozofi dhe filologji është absurditet. Nëse dy filozofë mendojnë njëjtë, ata s’janë dy filozofë, por një (më mirë të thuhet: asnjë). Nëse dy kritikë letrarë mendojnë njëjtë, s’janë as kritikë, as dy. Zakonisht, kur mblidhen dy e më shumë filozofë, a studiues të letërsisë, në një artikull, njëri vlen, të tjerët janë pa individualitet. Dhe këta shumica e rrezikojnë edhe atë, individin. Një ditë profesorët e shkencave humane mund t’ju akuzojnë që po nxitni shkrimin në grup, përderisa qëllimi i universitetit është të mbështesë, të zbulojë dhe të zhvillojë individualitete.

Verbalizmi dhe verbëria

Ju, kur flisni për dy platformat ndërkombëtare, harroni që ka edhe departamente kombëtare. Po ashtu, kur flisni për publikime, harroni që ka edhe departamente joverbaliste. Është e çuditshme, madje e tmerrshme, që ende mendohet se krejt universiteti duhet të ketë edukim verbalist. Kjo është e pafalshme vetëm të mendohet, lëre më të zbatohet. Kështu, ju kërkoni që edhe muzikanti, edhe piktori, edhe skulptori, edhe grafisti, edhe arkitekti, edhe aktori, edhe regjisori… të publikojnë artikuj shkencorë. Ata janë artistë, dhe janë artistë joverbalistë, kanë mjete të tjera të shprehjes: tingull, ngjyrë, gips, gur, metal, karton, gjestikulacion etj. T’u thuash atyre, bëni një studim me shkrim, përndryshe nuk avancoheni, është si t’i thuash luanit fluturo, se ndryshe s’je mbret i xhunglës. Pula fluturon më lart se luani, por kjo s’e bën superiore ndaj tij. Duhet ta kuptoni që disa janë bërë për të fluturuar, disa për të ecur, disa për t’u zvarritur e disa për të notuar. Ju jeni duke i ofenduar artistët, shkrimtarët, studiuesit e letërsisë, filozofët etj. Doni t’i bëni të gjithë njësoj. S’mund të keni kërkesa të njëjta për profesione e disiplina krejtësisht të ndryshme. Uniformiteti nuk është zgjidhje e problemeve të asnjë universiteti. Departamentet e arteve dhe departamentet nacionale shkojnë me të tjera kritere. Nëse do t’i imponohej Gerhard Richter-it të shkruajë si Martin Heidegger-i, ai do të dëshpërohej me vete, do t’i dukej vetja idiot. Richter-i ka lindur për të pikturuar, Heidegger-i për të filozofuar. Ju i keni pështjellë krejt, duke kërkuar uniformitet. A thua kështu do ta qitni universitetin në udhë të drejtë?

Departamenti në rrezik

Lista e problemeve është shumë e gjatë, por një problem që ju duhet ta merrni parasysh është edhe kriteri për departamentet nacionale: Letërsia Shqipe dhe Gjuha Shqipe, dikur të bashkuara, sot të ndara. Qysh mund t’u imponohen platformat ndërkombëtare këtyre që janë kombëtare? Profesorët e këtyre departamenteve nuk do të publikohen në revista ndërkombëtare, sepse i penalizon jo vetëm gjuha (që mund të përkthehet), por edhe objekti (tema). Ata mund të bëjnë shkrime për autorë të huaj, por punimet e tyre duhet të jenë nga fusha e specializimit. Në Letërsi Shqipe askush nuk specializon për veprën e Shekspirit, apo Tolstojt. E nëse shkruan për Haki Stërmillin, që është i panjohur për të huajt, si mund të mendosh se do të ta publikojnë shkrimin në ato revista të huaja?

Prandaj, që të mos dukeni qesharakë, në vend të artikujve me impact factor e me autorësi kolektive, merrni në konsideratë monografitë dhe artikujt shkencorë të publikuar në revistat tona. Vlerësojeni performancën e mësimdhënies (dhe hiqni dorë nga ai internimi i profesorëve tanë në vende të tjera, ose para komisionesh ad hoc, për trajnim në mësimdhënie, kur profesori ka më shumë se dhjetë vjet, e nganjëherë mbi tridhjetë vjet, që jep mësim. Është komedi, ta dini!). Për artistët dhe shkrimtarët, llogaritni edhe benefitet që i vijnë universiteti nga prania e tyre, nga fama e tyre. Janë disa emra që i sjellin famë fakultetit, me shfaqje, filma, performanca, vepra e çmime. Ata meritojnë jo vetëm avancime të menjëhershme, por edhe mirënjohje e dekorata. UP-ja ka nevojë për njerëz të njohur për të zgjuar interesimin te gjeneratat e reja, të cilat formohen duke ndjekur modele. Studenti do të thotë: unë do të studioj këtu, sepse këtu ka studiuar i madhi Filan Fisteku, apo se këtu jep mësim profesori me famë tejkombëtare, apo ndërkombëtare. Nuk më duket zgjedhje e mirë ajo që bëni ju, duke i promovuar kolegët që kanë publikuar në revista ndërkombëtare, por që s’kanë famë as kombëtare, as lokale. Ç’rëndësi ka nëse një revistë e huaj ka impakt, kur profesorët e tu nuk kanë impakt?

Unë mund t’ju ofroj shembuj kur universitete shumë të njohura, vetëm për të tërhequr vëmendjen e studentëve potencialë, kanë angazhuar në cilësinë e profesorit njerëz që nuk kanë as titullin bachelor, por që me punën e tyre e kanë dëshmuar veten se janë më të rëndësishëm se të gjithë ata që kanë tituj. Le ta bëjmë edhe universitetin tonë ashtu: ta vlerësojmë suksesin, famën, prestigjin e dikujt, e jo vetëm titullin dhe artikullin shkencor! Rënia e interesimit për studime në Universitet të Prishtinës ka arritur në shkallë shqetësuese. Ju duhet të bëni çmos ta ktheni besimin në këtë institucion, duke vlerësuar punën e atyre që janë, dhe duke angazhuar shumë të tjerë që meritojnë të jenë.

Departamenti i Letërsisë Shqipe, që sot është më i shpërfilluri, ka nxjerrë figura të njohura të Kosovës: shkrimtarë, studiues, akademikë. Ka nxjerrë edhe kryeministër dhe president. Ky departament jo vetëm që ia ka krijuar identitetin Fakultetit të Filologjisë, jo vetëm që në vitet ’80-’90 ka nxjerrë intelektualë të shquar që ia kanë ruajtur fytyrën këtij vendi, por edhe kthesat historike kanë filluar nga ky fakultet, figurat më ndikuese të të cilit kanë qenë nga ky departament. Kështu që, Departamenti i Letërsisë Shqipe, asnjë vlerë në mos e pastë, e ka një që s’mund t’i mohohet: vlerën historike.

Para njëzet vjetësh, në Letërsinë Shqipe pranoheshin 120 studentë. Konkurronin dyqind e më shumë. Tash, në afatin e parë, konkurrojnë 20 vetë, dhe të njëzetët pranohen, sepse rektorati dhe dekanati aplikojnë kritere sasiore, jo cilësore. Ata duan të kenë studentë, s’ka rëndësi nëse ata studentë janë vetëm numra. Sipas këtij kriteri, nuk ka rëndësi a mësojnë ata, ne duhet t’i pranojmë, pastaj edhe t’u lëmë nota të mira (nëse profesori e rrëzon nga provimi një student, formohet komisioni, i cili atë student jo vetëm që e kalon, por edhe i jep notë të lartë). Kështu, sot kemi një gjendje alarmante (në sasi, se në cilësi e kemi moti), që, sigurisht, s’mund ta zgjidhin platformat tuaja me pagesë, as “profesorët akademikë” që do t’i detektojnë plagjiaturat e për të cilët ju do të kërkoni shuma të majme nga buxheti i shtetit.

Ju ndoshta jeni i shqetësuar nga rangimi i UP-së në ato listat e vlerësimit të universiteteve në botë, por më shumë se për këto toplista e ranglista, duhet të shqetësoheni për kushtet që i kanë stafi dhe studentët. Për shembull, makinat e fotokopjimit prishen zakonisht në afat të provimeve, printeri s’punon prej para Covid-it, interneti punon një javë në vit, testet i printojmë dhe i fotokopjojmë te Lesna, termot na pjekin verës e na ngrijnë dimrit, dhe ndërtimet me burmashin, çekiç e buldozer, zakonisht bëhen gjatë orarit të mësimit. Ju do t’i keni parë sallat, pra edhe karriget e tavolinat në fakultetet evropiane (madje edhe fakultetet tona private), si dhe kampuset universitare, prandaj vetëm krahasoni me këto tonat!

Ju lutem, mos merrni vendime nën presion të shtypit, apo të shoqërisë civile! Kur ta shohin që ju po punoni, edhe ata do t’ju përkrahin.

Përmbushni kushtet elementare për punë, pastaj nënshkruani vetë marrëveshjet e platformave arsimore kontinentale, dhe, në fund, flasim për publikime në revista ndërkombëtare.

Unë e di që universiteti është përballë dy pushteteve, shtypit dhe shtetit, që qe njëzet e kusur vjet përndjekin e linçojnë si në Mesjetë. Por, duhet ta keni parasysh që universiteti, që u shpik në Mesjetë, e vrau Mesjetën, atë të vjetrën, dhe do ta vrasë edhe këtë tjetrën. Kjo vrasje nënkupton iluminimin e tyre.

Përqendrohuni te rritja dhe fuqizmi i universitetit. Angazhoni njerëz: të rinj të sapodiplomuar dhe të vjetër të shquar. Disa mund të jenë lodhur nga mësimdhënia, transferojini në Institut Albanologjik, disa nga Instituti sillni në Filologjik (ndërkohë shteti duhet të kujdeset për hapje laboratorësh e institutesh të tjera). Krijoni alternativa, freskojeni stafin! Futeni Institutin Albanologjik nën ombrellë të universitetit publik, së paku për t’i mentoruar temat e masterit dhe doktoratës! S’e merrni me mend çfarë ndihme do të ishte për fakultetin tonë, për degët kombëtare. Për një profesor që mentoron (domethënë lexon e kontrollon, shpesh edhe rilexon) 10 tema diplome, 5 tema masteri, 3 tema doktorate, dhe është pjesë e komisionit në po aq të tjera, si dhe lexon e kontrollon seminare, analiza, përkthime etj., të gjitha këto brenda vitit akademik, paramendoni se çfarë lehtësimi do të ishte sikur t’i vinte një ndihmë nga një institut me të cilin ka një histori bashkëpunimi, që është ndërprerë në vitet e fundit. Dhe, hapeni një diskutim mbi statusin e Fakultetit të Filologjisë (departamentet nacionale) në relacion me Fakultetin e Edukimit! Ky duhet të jetë një diskutim serioz, përfundimet e të cilit mund të çojnë te konsolidimi i Letërsisë Shqipe, ose te transformimi i saj në Letërsi Komparative, ku letërsia shqipe do të jetë vetëm pikë fillestare e përqasjes. Është një opsion që gjithsesi mund të gjejë mbështetje. Rregulloni me ligj këto gjëra, definoni këto statuse, para se të shuhet një departament! Më mirë një transformim sesa një dështim.

Ju jeni rektor, unë jam profesor. Ju jeni jurist, unë jam shkrimtar. Juristi bën e mbron ligjet (shpesh) në kurriz të lirisë. Shkrimtari promovon lirinë (gjithmonë) në kurriz të ligjeve. Në shkencë, një plus një bëjnë dy. Në letërsi, një plus një shpesh bëjnë një, ose tri. Nëse kjo është e vështirë për t’u kuptuar, s’keni pse shqetësoheni. As Ajnshtajni, që ishte gjeni, nuk arrinte ta kuptonte Kafkën. Mjafton që të kuptohet se ajo që u kërkohet disa profesorëve, nuk mund t’u imponohet disa të tjerëve. UP do të thotë Universitet i Prishtinës, jo “Under Pressure”. Hiqni dorë nga presioni! Nga përvoja personale dhe nga përvojat historike, e di që më efikas është përparimi nga shpërblimi sesa përparimi nga ndëshkimi.

Që të jemi krenarë

Ju merreni me plagjiatura e platforma. Pra, doni të përhapni panik, duke i parë të gjithë profesorët si plagjiatorë potencialë dhe duke i urdhëruar ata të botojnë vetëm aty ku thoni ju, sikur t’ju kishim jo rektor, por gjeneral. Por, kjo përpjekje juaja do të dështojë. Të gjithë profesorët e vërtetë, përveç atyre sharlatanëve që i ka sjellë politika (siç i sjell zakonisht edhe rektorët, mjerisht), më parë do t’i prisnin duart sesa të vidhnin pronën intelektuale të dikujt tjetër; gjithkush duhet ta dijë se më i rëndësishëm është një libër studimor individual sesa një artikull kolektiv. E thashë dhe po e përsëris: artikujt me dy e më shumë autorë, përveç në mjekësi, fizikë, kimi dhe ndonjë shkencë tjetër laboratorike, janë artikuj me autorë që s’kanë as autenticitet, as autoritet; janë pseudoartikuj. E, pseudoartikujt janë po aq të dëmshëm sa edhe plagjiaturat.  

Prandaj, formulojeni listën e prioriteteve të universitetit:

  • nga non-factor bëjeni factor, pastaj kërkoni publikime me impact factor;
  • merruni me reforma (se ato janë baza), jo me platforma (se janë thjesht databaza);
  • mos u bëni rektor-polic që kontrollon e gjobit, por bëhuni rektor-promotor që përkrah risitë;
  • mos kërkoni botime në revista Q1 e Q2, kur ju vetë s’mund të vendosni jo nënshkrim, po as gisht, në Marrëveshjen e Bolonjës;
  • mos e pengoni avancimin e profesorëve, por thirrni edhe ata profesorë, avancimi i të cilëve është penguar nga ata para jush, dhe kërkojuni falje (dhe, mundësisht, jepuni një dëmshpërblim);
  • ofroni programe të shkëmbimit akademik e studentor jo vetëm në planin nacional, por edhe kontinental (siç sugjeron, fundja, edhe Bolonja që e duam e s’na do);
  • rishikojeni dhe reduktojeni listën e lëndëve për të arritur normën, dhe mos e lejoni mbinormën (në fakultetin ku ligjëroj, unë jam profesori me më së paku lëndë, domethënë kam vetëm katër lëndë obligative, ndërsa shumica kanë nga 10-13, e ndonjëri ka deri në 18. Ma shpjegoni, ju lutem, si mund t’i ligjërojë dikush 18 lëndë! Megjithatë, faji nuk është gjithmonë te profesorët, por te të gjithë rektorët deri tani të cilët, në kohën e specializimeve, nuk e mbështesin konceptin “një profesor, një lëndë”, por e promovojnë idenë “një profesor, njëzet lëndë”. Po të krijohej koncepti i profesorit të lëndës, a e merrni me mend sa vende pune do të hapeshin? Sa asistentë, bashkëpunëtorë, profesorë do të punësoheshin? Unë e di që qëllimi i UP-së ka qenë t’i pengojë të tjerët të hyjnë brenda, përveç kur kanë “rastisur” akraba të pushtetit);
  • bëjeni UP-në edhe ent botues (secili profesor librin, apo librat, për lëndën e tij t’i botojë në universitetin ku punon, siç bëjnë jo vetëm universitetet e Sistemit të Bolonjës, por edhe shumica e universiteteve të botës);
  • themeloni revistat e universitetit (bëjini shumicën në gjuhën angleze që artikujt e universitetit tuaj të citohen gjithandej nëpër botë, meqë e shihni sasinë si cilësi);
  • ndaloni përdorimin e skriptave (ja një veprim që duhet gjobitur);
  • kthejeni titullin professor emeritus/professor emerita (se ai titull është aureola e universitetit);
  • ftoni profesorë vizitorë të mbajnë ligjërata në UP, me kontrata semestrale, vjetore, ose trevjeçare (profesorët vizitorë, që, si rregull, duhet të jenë të shquar, janë fama e fakulteteve; ardhja e tyre rrit dukshëm interesimin e studentëve dhe e përmirëson imazhin e departamenteve, fakulteteve dhe universitetit)!  

Mos harroni: databaza nuk është vlerësim, protektorati nuk është shpëtim. E, meqë reforma nënkupton ndryshim, ju lutem, ndryshojeni këtë gjendje të mjerë sa më parë, përndryshe, me ato dy platformat tuaja, do të jemi, siç thonë në Shqipëri, “të dhjerë, por krenarë”./KultPlus.com

Të ngjajshme