7 Mars, 2018 - 3:00 pm
Aleksandër Novik
Paraardhësit e shqiptarëve të sotëm të Ukrainës kanë ikur nga trojet amtare në shekujt XV-XVI. Territoret nga të cilët kanë ikur shqiptarët diskutohen në shkencën moderne. E folmja e shqiptarëve të Ukrainës, d.m.th. të dhënat linguistike, dëshmojnë qartë që paraardhësit e këtij grupi etnik kanë ikur nga territori i Toskërisë, dhe më saktë nga zona e të folmeve toske veriore [Sharapova 1990; Zhugra, Sharapova 1998]. Por më saktë nuk mund ta përcaktojmë rajonin e vendbanimeve të mëparshme.
Afërsisht prej tre shekujsh ky grup etnik ka jetuar në lindje të Bullgarisë. Gjatë kësaj periudhe shqiptarët kanë huazuar shumë në fushën e kulturës tradicionale edhe në jetën ekonomike e shoqërore nga bullgarët dhe gagauzët [Derzhavin 1948].
Luftërat midis Rusisë dhe Turqisë gjatë shekullit XVIII ishin aq të ashpra, që si pasojë kishin përforcim të sjelljes së egër nga autoritetet osmanë ndaj popujve dhe grupeve etnike krishtere. Perandoria Ruse në shekujt XVIII-XIX ka fituar në luftrat me Turqinë, jo vetëm teritoret në brigjet e detit të Zi dhe të detit Azov, por edhe hapësirat tokësore shumë të mëdha në zonat fushore në jug të Ukrainës së sotme, në Besarabi, në Moldavi, në Krime ashtu me radhë.
Bashkë me veprimtarinë luftarake qeveria ruse kanë shfrytëzuar mundësi diplomatike për propagandën e politikës së shtetit në gadishullin Ballkanik ashtu edhe në rajonet dhe teritoret fqinje. Rusia ka pasur kushte ekonomike për publicitetin e veprimtarisë dhe të politikës së saj në këtë pjesë të Evropës. Perandoresha ruse Katerina e Madhe zotëronte politikë të stimulimit të mërgimit të pjesës së popullsisë ortodokse nga vendet ballkanike në Rusi. Hapësirat e paskajshme të jugut të Ukrainës, të Besarabisë, të brigjeve të detit të Zi dhe të Azovit kishin tokët e përshtatshme për bujqësi dhe blegtori, kishin pasuri natyrore, kishin kushte për zhvillim të lartë ekonomik. Por në këto hapësira tokësore pothuajse mungonte popullsia.
Në kohën e Turqisë në këto territore ka jetuar etnosi nogaj. Fshatrat e tyre nuk ishin të shumta. Me fitoren e Rusisë në luftërat me Turqinë popullsia nogaje në shumicën e saj ka ikur në Rumeli ose në Azinë e Vogël. Nganjëherë ky mërgim ishte pasojë të politikës qeveritare dhe bëhej me dhunë; në shumë raste nogajët iknin tek atdhetarët myslimanë në Turqi sipas vendimit të vet. Por jo pak nogajë kanë mbetur në vendbanimet e tyre dhe me kalimin e kohës janë asimiluar.
Në vitin 1811 në Buxhak, kanë arritur kolonistët e parë nga lindja e Bullgarisë, nga krahina e Varnës. Buxhaku është teritor i madh midis dy lumenjve të lumit të Dnestrit dhe të lumit të Prutit.
Kolonia Karakurt është themeluar afër liqenit të Jallpuhut në vend të ish fshatit me popullsi nogaje. Karakurti është toponim turk. Karakurt do të thotë krimbi i zi, merimanga e zezë (krimbi është përkthim më i saktë, merimanga është përkthim më i pëlqyer në etimologjinë popullore). Themeluesit e Karakurtit ishin shqiptarë, bullgarë, gagauzë. Në fillim plani i fshatit përbëhej nga lagja shqiptare (e cila ishte më e madhe dhe më e mirë nga pikëpamja mikrogjeografike), nga lagja bullgare (e cila ndodhej në qendër dhe në një skaj të fshatit) dhe nga lagja gagauze (e cila ndodhej pas lumit dhe konsiderohej si lagja më e varfër dhe pa prestigj). Me kalimin e kohës territori i fshatit ndryshoi. Megjithatë tiparet e planifikimit të atëhershëm janë ruajtur deri në ditët tona. Madje gjithë banorët e fshatit mbajnë mend ku kanë jetuar shqiptarët, bullgarët dhe gagauzët në dhjetëvjetorët e para pas themelimit të fshatit.
Kemi në dispozicion të dhëna për sasinë e kolonistëve ballkanikë në vitet e para pas themelimit të Karakurtit. Sipas dëshmive arkivore në rrethin e Bollgradid (qyteti kryesor në këtë zonë) kanë shpërngulur disa mijë bullgarë, shqiptarë dhe gagauzë. Midis tyre afërsisht tri mijë kanë qenë shqiptarë. Shifrat e porsa përmendura nuk mund të konsiderohen si të sakta sepse në atë kohë zyrtarët me shumë vëmendje fiksonin fenë e kolonistëve dhe jo etninë e tyre. Në fillim të shekullit XIX politika e brendshme pothuajse në çdo vend evropian kishte për qëllim konsolidim fetar dhe shtetëror të popullsisë dhe shumë rrallë ajo ndërhynte në thelb të veçorive etnike. Për njerëzit e epokës kalimtare më shumë rëndësi ka pasur vetëdija lokale, d.m.th. regjionale. Etnitë dhe grupet etnike ishin detyruar të jetonin në kushtet e kufijve të ngushta të vendeve të Evropës në të cilat kujtimet për kohën mesjetare edhe pasojat e kësaj epoke ishin shumë të forta. Themelimi i kombeve evropiane në kuptim të sotëm të fjalës ka filluar në mes të shekullit XIX kur varka e historisë botërore u nis me shpejtësi të papashme kah formimit të shteteve etnike (që është problemi i cili nuk mund të diskutohet në këtë studim më plotë).
Shqiptarët ashtu si kolonistët e tjerë nga Ballkani kishin të gjitha të drejta të qytetarëve të Perandorisë Ruse, ndoshta edhe më shumë. Sipas ligjit shtetëror kolonistët në Buxhak merrnin tokët bujqësore falas, çdo familje kishte një copë tokë 50 desjatina. Kolonistët merrnin ndihmë në të holla nga shteti. Ata mund të merrnin kredi në banka të rezervuara. Çdo kolonist mund të punonte si zejtar ose tregtar si në fshat ashtu edhe në qytet, mund të ndërtonte fabrikë ose uzinë me ndihmën e shtetit, zakonisht familjet çliroheshin nga tatimet dhe taksat shtetërore. Kishte edhe një pikë shumë të rëndësishme në këtë urdhër qeveritar. Çdo kolonist çlirohej nga shërbimi ushtarak naveçno (rusisht), d.m.th. për gjithmonë. Është interesant që në fillim të shekullit XX qeveritarët rusë kanë përpjekur ta hiqnin këtë të drejt të kolonistëve duke shpjeguar se naveçno në rusisht është jo për gjithmonë, por për vjek, d.m.th. për një shekull. Mirëpo qëndresa e fortë dhe e arsyetuar kundër shtrembërimit të ligjit u ndihmoi kolonistëve të fitonin në ballafaqim me burokracinë qeveritare.
Në Buxhak shqiptarët merreshin me bujqësi dhe blegtori. Më shumë kultivohej gruri [Ivanova 1981]. Gruri prodhohej në sasi të mëdha, kështu kolonia e parë shqiptare në Perandorinë Ruse pasurohej nga viti në vit. Në blegtori rolin kryesor luanin delet, më pak dhitë ashtu edhe lopët. Kafshët dhe zogjtë shtëpiake ishin përkrahje të fortë të ekonomisë fshatare. Shqiptarët ishin zotë të prodhimit të rrushit dhe të verës. Para themelimit të kolonive ballkanike popullsia në këtë zonë nuk domestikonte rrush fare. Me ardhjen e shqiptarëve tokët përreth Karakurtit u pasuruan me vreshtat e paskajshme. Verën e prodhonin, e pinin dhe e shitnin. Nuk kam në disponim të dhëna për sasinë e prodhimit të verës në çdo familje në atë kohë por mund të parafytyrojmë që ky prodhim ka qenë i dukshëm. Për shembull në ditët tona një familje mesatare (e cila përbëhej nga 5-6 veta) prodhon 600-1000 litra verë dhe kjo verë konsumohet kryesisht në familje. Duke pasur parasysh që dy shekuj më parë familjet ishin të mëdha mund të bëjmë konkluzione që prodhimi i verës ishte më i përhapur.
Karakurti shumë shpejt u bë një fshat i pasur në të cilin u ngrit kisha ortodokse fare luksoze që është shkatërruar fatkeqësisht në kohën socialiste (më 1984). Familjet e pasura shqiptare kishin zakon të vizitonin tokët e shenjta, d.m.th. Palestinën, Jerusalemin etj. Ata vizitonin objektet krishtere por pelegrinazhi i tyre quhej haxh (nga arabishtja) – fakti që vë në dukje motivet ballkanike në të cilat janë gërshetuar dukuritë gjuhësore, kulturore, fetare, shpirtërore ashtu me radhë të etnive të ndryshme. Njerëzit të cilët ktheheshin nga tokët e shenjta merrnin emër haxhi. Shpesh herë në haxh niseshin jo vetëm burrat por edhe familjet e tera. Háxhi mund të zgjatej 3, 4, 6 muaj, nganjëherë bile edhe një vit. Kjo tregon që familjet (kuptohet jo të gjitha) kishin mundësi ekonomike për udhëtime aq të gjata dhe të shtrenjta.
Në ditët tona fshati i Karakurtit quhet Zhovtnevoe. Ndryshimi i emrit u bë pas luftës së dytë botërore, më saktë në vitet 40 të shekullit XX, kur qeveria ukrainase vendosi të zëvendësonte toponimet dhe emrat greke, turke, tatare, armene etj. me ato ukrainase. Toponimin e ri Zhovtnevoe mund ta përkthejmë si fshati i Tetorit, d.m.th. ky neologjizëm ka të bëjë me Revolucionin socialist të tetorit në Rusi.
Aktualisht Karakurti ka 2597 banorë (të dhënat nga data 5 maj 2011). Përbërja etnike e popullsisë së fshatit është e tillë: 1269 shqiptarë, 462 bullgarë, 387 gagauzë, 182 ukrainas, 181 rusë, 78 të tjerë.
Në ditët tona në fshatin e Karakurtit flitet shqip dhe gjuha është ruajtur pas pesë shekujsh të shpërnguljes nga trojet shqiptare. Njerëzit vazhdojnë traditat shqiptare dhe ballkanike. Prej tyre propagandohet origjina e tyre etnike shqiptare. Ruhen tiparet e vetëdijes shqiptare – dhe kjo është kryesorja [Ivanova 1999]. Gjatë periudhës 200-vjeçare në teritorin e ish Perandorisë Ruse / të ish Bashkimit Sovjetik / të Ukrainës së sotshme shqiptarët e Buxhakut kanë ruajtur simbolet dhe markerët etnike. Kjo dukuri duhet të studiohet me zell edhe në drejtimet e ndryshme – linguistike, etnografike, historike, antropologjike ashtu me radhë. Studimet në terren për krahasime dhe analizë shkencore duhet të kenë vend edhe në perëndim të Ballkanit.