19 Mars, 2020 - 10:30 am
Nga Elizabetë Qarri
Të bëhesh pjesë e një ankthi global dhe një pafuqie njerëzore për ta dominuar atë, të bën të replikosh me jetën dhe dashurinë, të bën të besosh në fuqinë e të besuarit, pa u orvatur ta kërkosh objektin e tij, ndërlikueshmërinë e tij. Mbyllja, izolimi e vetmia padyshim janë antitezë e qëllimeve pozitive të jetës, por ndryshimi i kushteve të jetës për shkak të rrethanave që mund të imponojnë krizat e ndryshme shoqërore, shpeshherë ndërgjegjësojnë vetëdijen njerëzore, na bëjnë t’i shohim gjërat më ndryshe, na bëjnë të mendojmë më ndryshe, madje shumë më ndryshe se që mund të kemi menduar qoftë edhe një ditë më parë.
Pritja e heshtur përballë një tragjedie globale si kjo pandemi e trishtë, që dita ditës po tronditë gjithë globin, nuk amnistoi as shqiptarët. Nga çasti në çast, të njohur e të panjohur po solidarizohemi e bëhemi bashkë, për tu përballur me pritjet e hidhura të lajmeve të rënda, duke radhitur ç’do ditë numrat rendorë, që pamëshirë listës së viktimave i shtohen një nga një.
Të bësh pakt me frikën është pothuajse e pamundur, sepse nuk mposhtim dot frikën me pakte. Por, frikën duhet mposhtur me përballje, e të përballesh me të do të thotë të kesh zbuluar sekretin tënd madh, forcën e guximin.
Në këtë periudhë rraskapitjeje morale e shpirtërore, të gjendur në mes lajmesh të virusit famëkeq Korona, në mes tjerash, u gjendëm në rrethana të një reflektimi të thellë social, padashje.
Më shumë se kurrë, të zbrapsur e të rënduar nga dinamika e egër për një jetë ekzistenciale, kuptuam se me sa shpejtësi ikin çaste të bukura të jetës. Sa egoistë ishim bërë duke harruar të mendojmë në vlerat më sublime të jetës, në virtyte të cilat në ç’do rrethanë komode ose jo, mbajnë gjallë shpirtin njerëzor.
Kishim harruar se e humbur quhet ç’do ditë, në të cilën nuk kemi falur dashuri. Kishim harruar se e humbur quhet edhe një ditë e vetme që nuk kemi njohur respektin për njëri tjetrin. Kishim harruar t’i jemi mirënjohës secilit mëngjes të zbardhur, që nis ditën tonë të re. Kishim harruar se jemi me fat që merremi me problemet e përditshmërisë sonë, e njësoj mendova edhe unë sot për veten time, po thoja: “sa me fat jam që kam problemet e mia të ditës” punën, miqtë, familjen. Thënë ndryshe, kishim harruar të jetojmë të sotmen duke menduar se çfarë na pret të nesërmen.
Të dashurosh, do të thotë të jesh mirënjohës edhe ndaj gjërave të vogla, të ridimensionosh qoftë edhe një mirësjellje kurtoazie, që nis nga përshëndetja e mëngjesit me fqinjin tonë të parë, pra një “mirëmëngjes” që ngrys ditën tonë, tek jemi nisur për në punë.
Të dashurosh do të thotë t’i falësh buzëqeshje edhe një fëmije në rrugë, një riu a një të moshuari të panjohur, ndoshta buzëqeshja jonë i zbukuron ditën, e lumturon atë.
Të dashurosh do të thotë akoma më shumë, të ndjesh, të përjetosh, të kuptosh se shkëlqimin e jetës duhet sublimuar tek dashuria e pakushtëzuar ndaj atyre që nuk duan kthim për atë që falin, ndaj atyre që me dashurinë e tyre na kujtojnë përse ndjehemi me vlerë, prindërve, fëmijëve, familjes e miqve, ndaj atyre që pohimin për dashurinë nuk e masin me kufijtë e egos së tyre, por me dashurinë e manifestuar që lartëson e ngroh shpirtin tonë njerëzor.
Të dashurosh do të thotë të pohosh këndvështrimin e drejtë që mbart fjala dashuri, të pohosh aftësinë tënde për të bindur se ne lindim të barabartë edhe pse të ndryshëm. Të mos turpërohemi kurrë pse qajmë, por të krenohemi kur kemi kuptuar se lotët tanë nuk i meritojnë ata që na bënë të qajmë. Të dashurojnë ia dalin vetëm ata që kanë mësuar kuptimin e vetëm të saj, vërtetësinë.
Të shprehësh dashurinë nuk është kurrë vonë. Nuk është vonë të shprehësh edhe mirënjohjen. Sot, ndërkaq po reflektojmë të mbyllur në karantinë, një armatë njerëzish humanë e guximtarë, po dëshmojnë në vepër betimin e tyre të shenjtë kur i thanë “po” profesionit të tyre fisnik e human.
Mjekë e infermierë që prej kohësh kishim harruar t’i bëjmë vendin meritor në shoqëri, më shumë se kurrë dëshmuan se ka diçka më të shtrenjtë se sa injoranca shpërfillëse e cila harroi ata për dy dekada me radhë. Mësuam leksionin më të mirë se ndërgjegjja e lartë njerëzore bashkë me dinjitetin e dashurinë për punën, sfidojnë ç’do betejë e paaftësi njerëzore.
Me zellin e tyre par excellence, këta profesionistë humanë na mësuan se çfarë do të thotë ta duash njeriun tënd e popullin tënd, t’i dalësh ballë premtimit tënd dhe betimit të dhënë, siç bëjnë heronjtë e vërtetë.
Në një të nesërme të afërt, do të dalim më të fortë e të ndërgjegjshëm për të kuptuar mesazhin më të madh që mund të na mësojë jeta, e ajo është forca e dashurisë njerëzore, kjo forcë që shfaqet në paqe dhe në beteja të rënda të jetës, na bën pjesë të saj dhe nuk pushon kurrë së ekzistuari. Por, të dalësh i fortë nga betejat, do të thotë të kuptosh mesazhin e madh për jetën atë që mund ta gjesh edhe në dromcat e dashurisë, sepse aty nis gjithçka dhe përfundon në një të nesërme të papritur, që mund të mos e kemi më kurrë.
Unë dua që nesër të më zgjojë dielli i mëngjesit, të takoj njerëzit e mi, e t’i përqafoj ata. Jetën time të thjeshtë, nuk dua ta këmbej me asgjë, këtë jetë që nis me ritualin modest të kafes së mëngjesit, e me problemet e mia të ditës. Dua të sodis lindjen e perëndimin e diellit dhe t’i gëzohem natës me hënë. Dua të nis e mbaroj punën time me nder, pastaj në mbrëmje të kthehem sërish në “karantinën” time, e të bëj replikë me jetën e dashurinë! / KultPlus.com