Katedra Albanologjike në Shkup – pa profesorë

25 Dhjetor, 2017 - 10:00 pm

Shkruan: Delvina Kërluku

Vazhdon mungesa e kuadrit ligjërues në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Universitetin “Kiril dhe Metodij” të Shkupit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës arsyetohet se konkursi nuk shpallet, sepse Ministria e Financave duhet të sigurojë buxhet për pagat e mësimdhënësve. Udhëheqja e Katedrës thotë se nuk është shtuar numri i lëndëve, por mungesa e kuadrit vjen si pasojë e shkaurjes së disa profesorëve në pension, kurse njëri ka ndërruar jetë. Kjo është arsyeja e mungesës dhe çuditen se si nuk gjejnë mirëkuptim te Ministria. Katedra dhe studentët nuk mund të veprojnë kundër ligjit në fuqi, kurse vetë ministria nuk e respekton. Ministria e Financave duhet ta ketë mëse të qartë se Katedra nuk e ka shkaktuar mungesën, por ligji. Ky problem nuk është i sotmi, por zvarritet prej dy vitesh, kurse pësojnë studentët, pa fajin e tyre. Por është barrë e madhe edhe për ligjëruesit e atyshëm. Që të jetë absurdi edhe më i madh, Ministria e Arsimit madje ka rekomanduar dhe kushtëzuar që të pranohen bashkëpunëtorë të jashtëm, ekspertë të fushës së letërsisë, nëse nuk ka kuadër në Maqedoni!!! Po këta të Katedrës pyesin: me çfarë mjetesh do paguhen këta të jashtmit. Ose: për të jashtmit ka para, për të brendshmit – jo!!! “Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare edhe këtë vit akademik po e realizon me vështirësi të mëdha plan-programin mësimor. Siç është bërë e ditur, për shkak të politikave arsimore në shtet, vite të tëra nuk është lejuar zëvendësimi i kuadrit arsimor që u pensionua. Në ndërkohë te ne, për fat të keq, edhe një koleg, i cili mbulonte një fond të konsiderueshëm të orëve, u nda nga jeta. Edhe në këtë rast nuk u bë zëvendësimi me kuadër të ri. Për pasojë, Katedra funksionon duke e ngarkuar stafin aktual me fond tejet të madh të orëve. Deri sa e lejonte ligji, angazhonim edhe bashkëpunëtorë jashtë fakultetit, ekspertë të fushave përkatëse dhe gjendja përballohej disi. Por, dy vitet e fundit, mungesa e kuadrit ka ndikuar dukshëm në mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thotë për Almakos, Valbona Toska shefja e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, në UKIM.

Pengesat në zhvillimin arsimor paraqiten në disa lëndë mësimore, si atë të Didaktikës së Gjuhës Shqipe dhe Didaktika e Letërsisë Shqiptare. Por, edhe në lëndë të tjera, të drejtimit të përkthimit dhe interpretimit. Nga katedra thonë se deri më tani është shtyrë mësimdhënia, por kjo çështje duhet të zgjidhet menjëherë, nga ministria përkatëse. “Këto lëndë, deri në pensionimin e tij, i ka mbajtur prof. dr. Avzi Mustafa. Disa rrethana shoqërore (organizimi dhe realizimi i vazhdueshëm i zgjedhjeve në vend) ndikuan që të mos miratohen kërkesat për shpalljen e konkursit për këtë kuadër më se të nevojshëm. Në drejtimin e përkthimit dhe interpretimit procesin mësimor e kemi organizuar në formë që studentët të mos kenë ngecje në ecurinë e studimeve. Por kjo është vetëm një zgjidhje e përkohshme dhe kjo gjendje në asnjë mënyrë nuk duhet dhe nuk mund të vazhdojë kështu. Drejtimi i përkthimit dhe interpretimit, për shkak të specifikave, kërkon një qasje shumë serioze, por njëkohësisht edhe mbështetje të madhe institucionale dhe financiare”, tha Valbona Toska. Ajo shton se për tejkalimin e problemit të kuadrit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare dhe organet udhëheqëse të Fakultetit të Filologjisë ,,Bllazhe Koneski” , i kanë informuar disa herë institucionet përkatëse dhe tani janë në pritje të zgjidhjes pozitive të kësaj çështjeje. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se është obligim i MASH-it, por për këtë çështje përgjegjës kryesor është Ministria e Financave, ku MASH-i ka bërë kërkesë, për t’u shpallur konkursin për plotësimin e kuadrit, por me vite nuk kanë marrë përgjigje mbi këtë kërkesë. “Kërkesat për punësime të reja, apo edhe për plotësimin e vendeve të zbrazëta të punës (pensionime dhe ngjajshëm) bëhen nga ana e vetë institucionit të lartë të arsimit, deri tek MASH. MASH, në raste të tilla, është vetëm urë përcjellëse e kërkesës deri tek Ministria e Finansave. Ministria e Financave është organi kompetent, i cili jep pëlqime për financim për punësimet e reja. Sa për informim të Juaj, ne si Ministri e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të kompetencave tona, i kemi dhënë përkrahje dhe mendim pozitiv kërkesës për punësim, duke pasur parasysh rëndësinë e plotësimit të vendeve të punës dhe të rrjedhës normale të procesit të arsimit të lartë”, tha për Almakos, Agim Rushiti, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Financave, për Almakos thotë se për mediat nuk japim përgjigje, për këtë çështje. Madje, kjo ministri ka harruar t’i japë përgjigje edhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. “Ne nuk japim përgjigje të këtilla, si përshembull një institucion kërkon mendim procedurial. Bëhet fjalë për raste individuale dhe në këto raste Ministria nuk jep përgjigje. Pra, nuk japim përgjigje për asnjë media”, tha N.S, nga Ministria e Financave. Nga Katedra e Gjuhës dhe Letërsië shqipe shtuan se sivjet në vitin e parë në drejtimin arsimor, janë regjistruar 50 studentë të rregullt dhe 3 me korrespondencë, kurse në drejtimin e përkthimit dhe interpretimit 26 sish. Përafërsisht ky numër përsëritet çdo vit. Pra, sipas tyre studentë ka mjaft. Dhe kjo katedër ofron atë që një institucion i mirëfilltë i arsimit të lartë, pritet ta ofrojë.

Të ngjajshme