Kënga fituese “Toy” në kohë dhe në vend të duhur

13 Maj, 2018 - 9:48 pm

SIBEL HALIMI

Në kohën e sotme, vajzat rriten me idenë që qenia e tyre reduktohet në trup. “Trupi ideal” i shpërfaqur në kukulla dhe i promovuar nga media ka arritur të krijoj mitin e së bukurës. Në saje të modelit të tillë, shumë vajza në botë bien në anoreksi dhe sëmundje të ndryshme mendore, sidomos në kohën e adoleshencës, pikërisht për faktin se ky ‘tip ideal’ duhet të ndiqet dhe të realizohet nga shumë vajza, përndryshe ato nuk mund të gëzojnë feminitetin e tyre e rrjedhimisht statusin e privilegjuar.
Duke e analizuar këtë gjendje në të cilën janë shumë vajza në botën moderne, të instrumentalizuar nga sisteme të ndryshme ekonomike, sociale dhe politike, trupi i tyre shfrytëzohet për çështje marketingu, mode për qëllime përfitimi dhe bëjnë thirrje të vazhdueshme për rikthim në rolin e tyre tipik për ato. Prandaj, Naomi Wolf shkruan se “Definimet “e bukur” dhe “seksuale” ndryshojnë vazhdimisht për t’i shërbyer rendit shoqëror dhe lidhja mes tyre është një shpikje e fundit”.

Derisa, Norbert Elias në veprën së tij “The Civilizing Process”, vendos theksin në proceset shoqërore dhe politike që shpalosen nëpërmjet trupit. Duke analizuar gjenezën e formave moderne të rregullimit të pozitave sociale, sjelljeve, qëndrimeve e emocioneve.
Prandaj, kënga “Toy” nga Netta Barzilai, fituese e Evrovizionit 2018 duhet analizuar nga kjo perspektivë. Performanca dhe teksti i këngës është ironizim dhe tallje duke dhënë mesazhin për një lloj tjetër të së bukurës. Mesazh ky i dedikuar publikut që vajzat nuk janë lodra, madje e paraqitur vet në një figurë jo tipike si figurat e katër prezantueset e kësaj ngjarje. Ndërsa, në anën tjetër, ajo qartë thekson që nuk i interesojnë predikuesit e kohës duke ironizuar edhe me simbolikën e barbit si dhe telefonave smart, të cilat janë edhe metaforat e shoqërisë moderne. Madje, thirrja e saj për t`u shpërngulur nga idea e te qenurit kukull është mesazhi më i fuqishëm i këngës, pavarësisht që komentet nuk arritën ta shohim këtë performancë të saj përtej “pulës” dhe religjionit në këtë rast!

I’m not your toy
You stupid boy
I’ll take you down
I’ll make you watch me
Dancing with my dolls
On the MadaBaka Beat
Not your toy!

Të ngjajshme