29 Tetor, 2019 - 12:32 pm
Nga Doruntina Bylykbashi
Evoluimi i muzikës në përgjithësi ka bërë që edhe në vendin tonë t’i bashkohen shumë artistë kësaj valleje. Ndonëse jo si ‘’trendsetters’’, ata ecin paralelisht me trendet e fundit. Molieri thoshte se nuk ka art të dobët. Çdo vepër artistike që arrin pikën kulminante të gërshetimit të emocionit të autorit krijimin në fjalë s’mund të quhet gjë tjetër veçse art. Në muzikë fjala vlerë nuk ka përkufizim konciz për faktin se arti është liri parasegjithash, e liria imponon mosimponimin e shijes nga të tjerët. Sipas këngëtarit Ismet Bexheti vlera në muzikë duhet të jetë sinteza në mes një teksti të mirë dhe një vokali të mirë, duke mos e harruar dhe folklorin si taban për zhvillimin e gjithë këtyre gjinive muzikore. Në industrinë tonë muzikore tashmë këngët e vjetra po përqafohen nga artistët tanë, ku jemi dëshmitarë të një numri shumë të madh rikrijimesh të këngëve të vjetra.
Këngët legjendare shqipe të artisteve e grupeve të ndryshme si : TNT, Nexhmije Pagarushës, Gjurmët e pothuajse të gjithë krijuesit që kanë vepruar para luftës së fundit, ia kanë ripërtërirë këngët e tyre estrada aktuale, duke ia ndërruar versionin, deri në deformim. Këto rikrijime po mirëpriten edhe nga publiku shqipfolës, këtë e faktojnë klikimet dhe shpërndarjet e shumta të këtyre këngëve, shumica e tyre janë mbi njëzet milion shikime në kanalin Youtube, e ndoshta kjo është arsyeja që ripërtrirja e këngëve të vjetra ka filluar të bëhet trend.
I ka humbur kreativiteti apo kështu po kërkon publiku?
Po, tek e fundit publiku absorbon çka atyre i ofrohet, e artistët që po i ‘kapin’ koncertet, po i ‘kapin’ !
Artisti Genc Salihu këtë e quan retrospektivë të përgjithshme shoqërore nëpër të cilën duhet të kalojmë. Ai mendon që ka motive të ndryshme të ribërjes së një kënge. “Kur motivimi është thjeshtë artistik, kemi të bëjmë me versione të cilat kanë diçka për të thënë, diçka për të shtuar, për të hequr, apo për të vënë në pah në lidhje me këngën, apo me një dukuri ose rrethanë që lidhet me të. Në anën tjetër, qëllimet janë shpesh komerciale. Atëherë kalkulohet me kujdesi dhe lansohet diçka që është vlerësuar se mundë të ketë efekt maksimal në momentin e caktuar”, tha Genci.
Në pyetjen time drejtuar Gencit se a po shndërrohet në trend rikrijimi i këngëve, ai u përgjigj: “Nuk mendoj se është thjeshtë trend, pikë së pari, e shoh si një dukuri më të gjerë shoqërore që ka të bëjë me shqyrtimin e identitetit tonë. Nuk mendoj se është tepruar – në fakt, mendoj se sapo ka filluar. Unë si artist, ka kohë që në mënyra të ndryshme mundohem të risjell këngë të vjetra në skenë. Çka duhet thënë, megjithatë, është se shumë shpesh këto këngë thjesht vidhen nga kompozitorët e tyre pa kurrfarë leje apo kompensimi. Kjo duhet të rregullohet urgjentisht”.
Po ashtu, Salihu tha se ka kohë që muzikës shqiptare në përgjithësi i mungojnë kompozitorët dhe tekst shkruesit e mirë. Shumica dërrmuese e këtyre që sot shesin më së shumti, në të vërtetë nuk janë kompozitorë apo këngë-shkrues fare dhe e bëjnë atë punë në nivel amator. Kjo është pasojë e zhvillimeve të përgjithshme në Kosovë – në secilën fushë ka probleme të thella që lidhen me kapjen, zhvatjen dhe korrupsionin, ndërsa niveli i arsimit është i tmerrshëm. Prandaj, shpeshherë kur ballafaqohemi me këngët e vjetra shqipe na duken jashtëzakonisht të bukura.
Neni 48, pika 1 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës thotë se Liria e krijimtarisë artistike dhe shkencore është e garantuar, por a është e garantuar ajo liri nëse krijimtaria është e vjedhur? Nejse pak e ndryshojnë!
A marrin leje këngëtarët nga kompozitorët për rikrijimin e këngëve të tyre? Në pamundësi të ndonjë kontakti me kompozitorët apo këngëtarët aktual kjo pyetje mbetët pa përgjigje!
Sociologu Ferdi Kamberi, për gërshetimin e këngëve të vjetra me ato moderne, mendon që një gjë e tillë ka të bëjë me dy aspekte: E para një kombinim i tillë pasqyron një dimension socio – kulturor se këngët e vjetra ofrojnë më afër traditën dhe kulturën e popullit tek gjeneratat e reja. Së dyti, shpeshherë këto kombinime që bëhen, bëhen pa ndonjë selektim, pa ndonjë analizë të mirëfilltë se a janë të pranuara për publikun apo jo? Ndoshta një gjë e tillë edhe mund t’i imponohet publikut nga këngëtarët, sidomos pas lajmeve që një pjesë e estradës blejnë klikimet në kanalin e YouTubes dhe në këtë mënyrë domosdo, këngët e tilla edhe bëhen pjesë e realitetit social në të cilin po jetojmë. “Duke parë trendët e zhvillimit të cilat janë duke ndodhur në Kosovë, sidomos konkurrencën e madhe e cila deri më tani nuk ka shpërfaqur dhe aq vlera artistike, konsideroj se shumë pak këngëtarë të estradës matin pulsin e opinionin publik, preferencat, shijen, rreth muzikës ose kombinimeve të tilla, gjë që mund të ketë pastaj efekte negative sidomos për artistët në rënien e ndjekjes apo dëgjueshmërisë së tyre, megjithëse, disa nga kombinimet e tilla të cilat janë bërë deri më tani edhe janë pritur mirë, prandaj nuk duhet përgjithësuar”, u shpreh më tej Kamberi. Duke mos e mohuar faktin se në Kosovë ka artistë të cilët performojnë mirë, kanë këndim, kanë tekste me mesazhe të qarta, kanë reputacion tek publiku. Sociologu Kamberi tha se disa nga artistët e rinjë në mungesë kreativiteti krijojnë muzikë e cila nuk ka ndonjë vlerë të caktuar për publikun apo në disa variante edhe kopjohet nga shtetet Ballkanike. Nëse analizohen me kujdes tekstet ato nuk kanë ndonjë mesazh, ato më shumë janë krijuar për një konsum momental dhe nuk janë të atilla që mund t’i rezistojnë kohës. Në anën tjetër, është edhe publiku ai i cili kërkon një gjë të tillë dhe këngëtarët pastaj përshtaten tregut dhe kërkesave.
Edhe pak këngë kanë mbet pa u rikrijua, jeni vigjilentë “artista”, Kapni! / KultPlus.com