23 Prill, 2024 - 12:30 pm
Naime Beqiraj
Ai përtonte të mendonte për lodhjen, thuaj se këpucët i ecnin vet. Madje, fjalën lodhje, rrallë e kishte stisur në poezi, vetëm atëherë kur nuk gjente fjalë tjetër. Të jetuarit e poezisë për pesë dekada e pesë vjet, të jetuarit shtatë dekada i ishte bërë baraz me të jetuarit e vdekjes për çdo ditë.
Kishte shkruar për vdekjen shumë, shumë, por nuk do ta mendonte se rrymimi mortor, do ta përballte të fundit herë në një cep të një kodrinë në Francë, pak orë pas leximit të poezisë.
Poezia e Podrimjes në milienumin e ri nuk e përfshinte vdekjen, madje as nuk e përmendtte. Ai ishte shoqëruar gjatë me të. E kishte projektuar në dhjetëra mënyra, edhe në biseda e sidomos në poezi; ishte bërë kronikan i saj; vdekja i ishte bërë bashkëudhëtare dhe krah, prandaj nuk e kishte pasur frikë. Ajo ishte bërë edhe thumb i thembrave të tij gjatë tërë jetës. Por çuditërisht, ato gungëza thembrash, kur poeti kishte nisur ta jetonte moshën e tretë, kishin zënë të zbuteshin.
Së fundi, as që dëshironte të shkruante poezi për vdekjen. Ose, ose duke iu afruar asaj moshe kur të gjithë jemi më afër të qenët vdekatar, poeti, zuri ta përjashtonte si ngjarje, si përfundim, si nocion. Vetëm në disa raste pothuaj shakaje kur miqëve u drejtohej me cepin e buzës në gaz: mixhë, po du me vdekë. E dinte që tjetri do të reagonte duke ia përmendur shekullin. Sapo e dëgjonte këtë fjalë, vinte kasketën mbi kokë. E ecte. Ecte shumë, thuase donte ta mbyste nocionin vdekje.
E një pasdite 18 korriku, ai i zbathi këpucët verore, sikur donte ta përjashtonte ditëlindjen e 70-të që do të shenohej pas pesë javësh. Çuditërisht, këpucët zunë t’i binin ngushtë. Jo që mund t’i vidhte dikush në atë qytet turistik ku mund të vidheshin vetëm gjësendet me vlerë monetare e artistike, por i bëri nënkrese të pushonte një copë herë.
Kush e di çka mund ta kishte habitur gjumin e asaj pasdite dhe dëshirën të mbështetej pak në bankën e drunjtë të asaj kodrine. Iu duk pak si Gërmia, pak si Çabrati e pak si parku i vogël i Prishtinës kur një mike, poete, relativisht më e re se ai i kishte thënë me gjysëm shaka: një pllakē me gravim vargjet tua, mixhë, do t’i rrinin bukur pas një shekulli parkut të qytetit.
Do të donte t’i harronte nga e ecura të gjitha këto. Vetja iu duk përngjasim i pasditeve kur kthehej i lodhur nga shkolla nga e cila pas pak do ta përjashtonin; ndoshta pasmesnateve në spitalet e Parisit kur bënte një sy gjum të lehtë pas gjumit medicinal të Lumit.
Atdheu i Podrimjes ishte çliruar. Gungat në thembra nuk ja rëndonin hapin, por të dyjat po i binin ngusht. Aq ngusht, sa këpucët e buta i bëri nënkrese të fundit herë. Aso këpucësh kishte ëndërruar në fëmijërinë e varfër e në rininë e ikur.
U zbath së fundit herë dhe shputat i morën qetësi. Edhe telefonin e la në qetësi. Edhe të gjitha dhimbjet. Vetëm miqëve e familjarëve ua hapi dryrin e shqetësimit pa e ditur as vet. Edhe armatës së mijëra lexuesve.
Gjumi e zuri pa i dhënë udhë mendimeve. Ato mendime nisën të vlonin të nesërmën e ditës kur ai nuk mund të dëgjonte më.
Veshët iu kishin mbyllur përgjithmonë mbi këpucët e blera në Prishtinë./ KultPlus.com