Kisha ortodokse e Shën Gjergjit në Runik, një trashëgimi shqiptare e Kosovës

6 Nëntor, 2022 - 4:59 pm

Në fshatin Runik të Drenicës, në një skaj të mënjanuar, poshtë një peme të madhe të vjetër mani, nën hijen e saj freskuese, gjendet një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë mesjetare kulturore, arkitektonike dhe fetare të Kosovës, kisha e moçme gjysmë e rrënuar ortodokse e Shën Gjergjit, e ngritur rreth shekullit XIV, me afresket e mahnitshme, të shekullit XV, dhe shekujt që akoma i rëndojnë kësaj faltoreje, në altarin e së cilës ende syri i magjepsur, mund të shijojë shenjtorët, shkrimet e vjetra dhe ngjyrat e ndezura, që i bëjnë ballë kohës, krahas gjësë më të çmuar të kësaj kishe, varrezave të saj tejet të lashta.

Në këto varreza që pa dyshim i përkasin një kohe të largët të shkuar, hasim në gurë varri plot simbole pagane e të krishtera, të gdhendura në një mori gurësh shumëshekullorë, që mrekullojnë këdo t’i kundrojë i shtangur nga kjo pamje.

Në veçanti disa prej gurëve të varreve, paraqesin simbole të rralla, shenja të mistershme, dhe skicime të paçmueshme, që i japin një rëndësi unike këtij vendi ku prehen njerëz të shekujve të kaluar, me gjasë shqiptarë arbërorë, që janë groposur me tërë nderimet e rastit dhe madhështi, anës kishës së tyre, të mbrojtur nga rrezet e diellit, nga pema hijerëndë e manit përmbi ta.

Banorët shqiptarë të Runikut, ngulmojnë të gjithë njëzëri që kjo është kisha e tyre e dikurshme, paçka se jo fort matanë gjendet një vendbanim i banuar nga serbë (ose vendas ortodoksë të asimiluar, gjykuar nga mbiemrat e tyre me rrënjë shqipe), dhe sigurisht meremetimi i kujdesshëm i kësaj kishe, afreskeve të saj dhe sidomos mirëmbajtja e datimi i vjetërsisë së varrezës pranë saj, do t’ia rikthenin Kosovës të përtërirë, një vlerë të shtuar në trashëgiminë e saj burimore kulturore.

Prandaj kisha e Shën Gjergjit është mirëfilli kaq e vyer për Kosovën.

Përgatitur nga: ELVI SIDHERI./KultPlus.com

Të ngjajshme