17 Dhjetor, 2020 - 8:56 pm
Shkruan: Arben I. Kastrati
Historikisht, shqiptarët nuk kanë pasur vetëm mungesë budallallëku. Madje në çdo etapë kohore, e kanë pasur me tepri.
Kjo gjë tani (që dikur e quanim Atdhe), përmbanë sasira të mëdha të degjenerimit politik. Dhe kuantitet papërgjegjësie kolektive. Kjo gjë tani, është rezultat i paaftësisë tonë për t’u zhvilluar. Në këtë gjë tani, ne rrojmë të poshtëruar. Prandaj, kudo që ne vemi, bartim me vete sasira të mëdha turpi, që na mveshin politikanët tanë. Unë trajtohem me turp, për shkak të identitetit tim. Unë trajtohem i pshtirë, për shkak të origjinës sime. Jo për shkak të individualitetit tim, por për shkak të përkatësisë time. Sepse kjo gjë tani (që dikur e quanim Atdhe), është bërë strehë e marrisë.
Kjo gjë tani (që dikur e qunim Atdhe), është shndërruar në zonë të lirë përgjegjësise, në të cilën glorifikohet marria dhe vlerësohet paaftësia. Prandaj, shqiptari i sotëm, ka nevojë për më shumë ilaçe se sa për arsim.
****
Përditshmërisë sonë klaustrofobike, së cilës patologjitë dhe difektet i janë shndërruar në vlera, i është shtuar edhe zhdukja e parimeve morale, për t’u zëvendësuar me interesa partiake. Njëmendësia e klasës politike shqiptare, edhe pse e falementuar moralisht, edhe pse e përçarë, e ndërurryer dhe e armiqësuar skjashmërisht me njëra tjetrën, është e bashkuar në luftën ndaj emrave të paktë të përvetshëm parimorë të ngelur, me qëllim që t’i diskreditojë. Është i frikshëm brutaliteti me të cilin partia-institucioni i lufton njerëzit parimorë të përvetshëm.
Dyshimi skajshmërisht i frikshëm (që na ka ndjellë politika) i të qenit i panevojshëm, bënë që individi i sotëm të heqë dorë “vullnetarisht” nga parimet, të ç’bëjë personalitetin e tij, që t’i shërbej partisë-institucionit në këmbim të ekzistencës.
Nga të tëra frikërat, më e trishta është përndjekja nga politika shqiptare për të shuar idealistët. Dhe më e frikshme se vet frika është, servimi i profesionistëve dhe njerëzve të ditur në ushqim për masën. Është turp i shumfishtë, servimi i njerëzve të ditur, në argëtim për masën. Për t’i argëtuar dhe ngopur intriguesit, të pabesët, njerëzit më amoral që rrojnë dhe e udhëheqin këtë gjë tani (që dikur e quanim Atdhe). Këto janë veprime diabolike të krerëve të partive-institucione. Politikanët shqiptarë, në këtë gjë tani (që dikur e qunim Atdhe), as pendesë as turp nuk provojnë prej kohësh.
Animoziteti partiak ndaj mendimit të lirë është shndërruar në qëllim prioritar i të jargosurve të përhershëm partiak. Shembulli që të jargosurit partiakë dërgojnë në popull me këto veprime, është trishtues. Dëshira e frikshme për ta shuar njeriun me parime, është shembull i trishtë se si vendi gradualisht por sigurt, po shkon drejt ç’bërjes së lirisë dhe vendosjes së totalitarizmit.
Ankthi kombëtar, në këtë degjenrim politik në të cilin rrojmë, ngelet shndërrimi i ndërmarrjeve të frikshme joqeverisëse në institucione legjitime. Devalvimi i të jargosurve partiakë, ka arritur shkallë të lartë trishtimi. Instalimi i papërgjegjësisë, në këtë gjë tani (që dukur e quanim Atdhe), i ngjanë një ligësie të madhe dhe jo një gjëje që pretendon të jetë – shtet.
****
Si ndodhi humbja e dhimbshme e dashurisë për atdheun, tani më dihet. Si ndodhi kalimi nga dashuria në urrejtje, për këtë gjë (që dikur e quanim Atdhe), gjithashtu dihet. Kush na e voshi atdheun? E kemi mëse të qartë!
Si mund të transformohet njeriu në një gjendje të tillë, që të mos ndjejë asgjë?!!!
Të ndjejë vetëm neveri, për këtë gjë tani (që dikur e quanim Atdhe)! Të ndjejë urrejtje ndaj çdo gjëje që përfaqëson kjo gjë tani (që dikur e qunim Atdhe)?!
Askush më, nuk rron në atdhe. Njerëzit ka kohë që janë shkëputur nga atdheu dhe vetëm fizikisht qëndrojnë në këtë gjë tani (që dikur e quanim Atdhe)!
Atdheu ishte një e shkuar e bukur. Atdheu ishte një ëndërr e bukur. Atdheu ishte një motiv i bukur. Atdheu ishte një ideal i bukur. Atdheu ishte.
Kjo gjë tani, që na mbulon me turp, vetëm atdhe nuk është. Kjo gjë tani, na bënë të ndihemi të turpëruar. Kjo gjë tani, na bënë të ndihemi të ofenduar. Kjo gjë tani, që dikur e quanim – Atdhe, është.
Ikja, na ngelet mundësia e vetme për ta mundur poshtrimin tonë. Unë kam nevojë për më shumë se për këtë gjë tani. Kam nevojë për atdhe. Sepse aty, mund të krijojë. Unë jetoj për të krijuar. / KultPlus.com