9 Maj, 2019 - 10:30 am
Nga Valmir Behluli
Shumëkush shkruan, por rrallëkush arrin ta krijojë vulën e origjinalitetit, e cila ndihet posa ta nisësh leximin. E ajo vulë, si pika më e fortë e autenticitetit dhe unikalitetit, bëhet e dukshme vetëm atëherë kur secili varg dëshmon për gjuhë, stil e kompozicion të veçantë dhe të dallueshëm. Dhe, përfundimisht, ajo vulë ndihet veç tek ata që, përveçse e pandehin veten për poetë, janë dhe jetojnë si të tillë.
Sabri Hamiti, profesori, kritiku dhe shkrimtari i shquar i letrave shqipe, artikulimin më brilant duket se e ka gjetur pikërisht te poezia, kjo mbretëreshë e lashtë e arteve. Sensibiliteti dhe ashpërsia, dashuria dhe urrejtja, lufta dhe paqja, uni dhe egoja, mërzia dhe lumturia, qetësia dhe egërsia, vaji dhe kënga, jeta dhe vdekja, përkohësia dhe amshueshmëria, janë antipodet të cilat te ky poet marrin semantikë unike e të papërsëritshme për faktin se tisi poetik me të cilat i vijnë ato lexuesit, shquhet për ndjeshmërinë dhe estetikën që përfaqëson.
Libri i fundit me poezi i poetit Sabri Hamiti, “Kukuta e Sokratit”, vjen si sintezë e një dhimbjeje e lëngimi që po sosen drejt amshueshmërisë, sikur edhe vetë jeta që ka mbaruar ciklin e saj rutinor. Kësaj ideje i përgjigjet edhe kompozicioni i librit. Struktura e tij projektohet e tillë që të japë një rend që korrespondon me nisjen e diçkaje, krijimin, rritjen, plakjen dhe fundin. Kështu, kemi fillimisht “Hinin” që në rastin tonë shihet si gjenezë, fillim nga asgjëja, por edhe një fillim që i kthyer kokëposhtë paraqet fund; pastaj kemi ciklin “Prishtina”, që vjen si një intermexo e cila shpreh identitet dhe frymë identitare; e përcjellë nga cikli “Pelini” që sinjifikativisht aludon te ideja e sfidave e sfilitjeve që shtron përpara jeta; e, tash, pasi kjo jetë u jetua vjen “Plaknia”, e cila pason “Lamtumirën”, amanetin dhe porosinë nga dikush që e sheh fundin me sy qartazi të mjegulluar e të përhumbur në rrjetën e ngatërruar të jetës, të cilët fare në fund thonë “Lutjen”, drejtuar nga eternalja e ajo që tejkalon konkreten e kthehet në abstrakte të përjetshme. Cikli i fundit titullohet “Û”, një ‘unë’ tipike gegë, që dëshmon edhe për një fjalë të fundit të dalë nga goja e autorit e edhe për përpjekjen për ta gjetur dhe njohur përfundimisht veten. Mu kjo paraqet edhe idenë që më së shumti, si duket, e ka preokupuar Hamitin: uni, vetja, gjetja dhe njohja e saj. Kujtojmë se të shprehur, idenë e unit e gjejmë fuqishëm edhe ndër përmbledhje tjera me poezi e edhe në romanin e tij “100 vjet vetmi”, e cila e përcjell gjithë librin dhe në fund, shndërrohet në moto të tij. I ngufatur me cektësinë dhe mungesat, Sabri Hamiti i bashkohet un-it të tij dhe përqafuar me të, ikën nëpër terrenet metafizike, të pazbuluara e të pashkelura nga njerëzia. E, nga aty, i mbështjellë me heshtje, klith:
“Palue në heshtje e me mbetëÛ
Tue mos harrue në etje e në û
Përsëritja përsëritet përsëri.”
Pra, shqetësimi si nxitës primar për shkrim, kryekëput i atribuohet idesë së un-it dhe vështirësive për të mbetur vetja, në një lojë vështirë të përballueshme, siç është jeta.
Te “Kukuta e Sokratit”, Hamitin e gjejmë gjithsesi të artikuluar më butë dhe më qetas sesa në veprat tjera me poezi. Diskursi është dukshëm më ndryshe, e gjithashtu edhe gjuha e përdorur. Këtu përjashtohen disa nga togjet e vrazhda apo edhe fjalët e tilla sikur është zhuga, që dominion diskursin e tij poetik, dhe fjalitë e sentencat shkrihen natyrshëm në një gjuhë që tingëllon ëmbël e ndjeshëm, si fjalë e fundit dhe porosi. Kësisoj, kemi poezinë “Letra”, e cila vjen në trajtën e një dedikimi, mbushur me frymë dhembshurie.
“Oj motra ime e madhe, Nexhmije
Nuk pata sy me pa si dhe frymën e fundit
Se kambët m’u ngrinë balli u akullue
Lotët i mëshefa tue i pi se i pata derdhë
Para një gjysmë shekulli fëmijë i humbun
Kur ma vunë plisin në krye si burrë
Krushqit të morën me qerre të mbuluese
Ndër zhurma tupanësh bërtima kangësh
Krisma pushkësh që shituen zemrën.”
Poezia vjen si jeh, si thirrje e gjakim krejtësisht lirik, për dikë që nuk është më, që është shuar në këtë jetë, për të lulëzuar në jetën tjetër, në të cilën beson edhe autori.
Metaforikisht dhe me vargje të papërsëritshme, kur flet për jetën dhe vdekjen, Hamiti shkruan:
“Kur më shihni si grumbull hini
Kujtoni sa i madh ishte zjarri
Tutem nga tuta do të mërdhini
Cili me gishta më prek i pari.”
I madh ishte zjarri, pse e madhe ishte vepra e shkrimtarit, e i ftohtë ishte hiri pse lidhja me këtë jetë ishte e përkohshme çfarë është vetë natyra e jetës: e shkurtër dhe e rrufeshme. Përjetësimi i poetëve bëhet vetëm në vepra, në të gjallë e në të vdekur të tyre.
Si motiv krucial i shtjellimeve të Hamitit, e dimë se ishte kategoria e identitetit, e cila paraqitet në variacione: herë si dhimbje, herë si triumf. As te “Kukuta”, ky lajtmotiv nuk mungon. Niset fillimisht nga njësia më e gjerë, Dardania, për të vazhduar me Kosovën dhe pastaj njësinë më të vogël që është Prishtina, nga ku, siç pohon vetë autori, “nisen të gjitha rrugët” dhe ku “të gjitha rrugët të çojnë”.
Toskërishtja e gegërishtja, dy komponentët që për Hamitin s’janë veç dy dialekte, përplasen për të triumfuar në fund gega, si një “granit i përbetuem”, e “me aromë trëndafili” (këtu, me qëllim bashkohen dy të kundërta, për ta vënë kështu në pah dyanësinë e gegës: bukurinë dhe madhështinë e fortësinë). Pozicionimi i qartë i autorit kah gega, vërehet posa shihet se edhe vetë poezia me titull “Toskërishte”, shkruhet në gegë.
Kur jemi te stili, duhet përmendur patjetër frymën e lehtë lasgushiane që përshkon disa poezi të këtij vëllimi. Madje, edhe pse jo deklarativisht, një poezi duket se i kushtohet atij:
“Ishe në fund e lype përjetësinë
Ishe në teh jete preke përjetësinë
Ishe në skaj e lype paskajsinë
Ishe pa fjalë e gjete asnjanësinë…”
thotë poezia e titulluar “Mjeshtri”, që vërtet s’lë shteg tjetër interpretimi kur e gjithë poezia ndërtohet mbi bazën e koncepteve poetike të Lasgushit, e edhe titulli që vërteton gjithçka në këtë mes kur dihet sa shumë e çmon autori i poezisë poetin në fjalë. (Sa për ilustrim, mund të shërbejë edhe poezia “Zemërzia”, e ndonjë tjetër.)
Përgjithësisht, poezitë janë lirika të kulluara të cilat duket se kanë qëndruar gjatë nën penën e Hamitit, pasi vijnë si absolutisht të latuara në një masë sa lexuesi stepet përballë pjekurisë dhe maturisë së tyre artistike. Vetëm një vrojtim i çastshëm i poezisë “Lidhja”, dëshmon për këtë fakt:
“Më kishe kujtim ishe ëndrra ime
Kur qyqja e zezë më këndoi në prak
Përtypa hapësirat kohët në vajtime
Kur nuk plasi zemra në hundë doli gjak.”
Pra, çdo kund e kemi më subjektiven, më intimen, më të fshehurën e thellësisë së shpirtit, që del në pah e shndërrohet në varg. Sepse poezia jeton nga intimja, ndjenja dhe ndjeshmëria. Nga emocioni, dhimbja e dashuria. Të gjitha këto sillen pafundësisht e pambarimisht në një rreth vicioz të quajtur jetë, ku “Fundi i fundit asht nji fillim”, e ku “Koha nuk e kursen askënd”, sikur shprehet vetë autori. Ky rreth me emrin jetë, sipas Hamitit, “Bahet nji trillim”, e në të “Ndodh veç ajo që mbahet mend”.
E, mend do të mbahen këto vargje e poezi të Hamitit, poetit të pashembullt, si gurë rrezatues që reflektojnë të pazakontën e të veçantën, sa jeta do të bëjë rrathët e saj të gjatë trivialë, e sa përsëritja përsëritet përsëri.
(Klithja e un-it – Recension për veprën “Kukuta e Sokratit” të Sabri Hamitit)