19 Korrik, 2020 - 10:54 pm
Shkruan: Besnik Mustafaj
Javët e fundit ka dalë në qendër të vëmendjes së opinionit tonë publik një debat lidhur me jetën ekstraletrare të dy prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Shkak u bë një shkrim i një askushi, i quajtur Auron Tare, botuar në portalin “Peizazhe të fjalës”.
Kanë qenë të shumtë ata që iu përgjigjën autorit. Pjesa më e madhe e tyre, të motivuar vetëm nga emocionet, iu kthyen Auron Tares me të njëjtën gjuhë që kishte përdorur edhe ai, domethënë, spekulative, sharëse, revanshiste. Por, fatmirësisht, pati edhe mjaft dijetarë, të cilët morën penën për të treguar se bëhej fjalë për një shkrim diletant, mediokër, falsifikues faktesh, qesharak në sytë e një historiani, sepse pa asnjë themel shkencor e as metodik, një shkrim thjesht spekulativ e provokativ, i cili nuk meritonte asnjë vëmendje. Pa qenë aspak cinik, do të kisha thënë me kënaqësi se ky rast duket sikur ka ngjallur megjithatë një tërheqje të re, plotësisht të merituar, drejt veprës letrare të Koliqit e të Camajt. Shpresoj se kjo tërheqje do të vazhdojë e do të sjellë një përqendrim të vërtetë të lexuesit të sotëm shqiptar te kjo vepër madhore.
Gjithsesi, do pranuar se Auron Tare ia arriti njërit nga qëllimet e tij kryesore: të zienin thashethemet rreth emrit të tij, pavarësisht cilësimeve poshtëruese, që i shtoheshin më së shpeshti nga pas. U botua, madje, edhe një fotografi e tij nga pranvera 1997, ku ai, – produkt kulturor i shkollës ushtarake – me kallashnikov në dorë, shfaqet në Vlorë (sipas atyre që e botuan) me pjesëtarë të bandës së Zanit. Pandjeshmëria e tij morfologjike ndaj sharjeve e fyerjeve shpesh të skajshme, nxit ta përfytyrosh si një njeri pa sedër e pa nder. Me vjen ndër mend një tjetër orvatje e tij, në të njëjtin stil, për të cilën kam shkruar në librin tim me ese “Bishti i kometës”. Në dhjetor 2011, një nga televizionet tona kombëtare më të rëndësishme transmetoi me disa vazhdime një intervistë të Auron Tares me një ish-emigrant politik çek në SHBA, të quajtur Robert Buchar. Të paktën me këtë identitet na u paraqit i intervistuari, sipas të cilit përmbysja e sistemit komunist në lindjen europiane ishte mirëfilli zbatim i një projekti politik të Juri Andropovit, paraardhës i Gorbaçovit në krye të Bashkimit Sovjetik dhe më parë shef jetëgjatë i KGB-së. Sipas këtij Robert Buchar, Katovica, e përfolur shpesh edhe në mediat shqiptare, ishte gjithashtu një etapë e këtij plani.
Duke u ndalur më gjatë në historinë e vendit të tij të origjinës, Republika Çeke, ky farë Robert Buchar thoshte, pa iu dridhur syri, se Vaclav Havel dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, që bënë në Pragë revolucionin e kadifenjtë, ishin agjentë në shërbim të KGBsë. Ky pohim i padëgjuar vinte posaçërisht për publikun shqiptar, pikërisht nëpërmjet mikrofonit të Auron Tares. Dhe intervista, jo rastësisht, publikohej pikërisht më 11 dhjetor, në 22-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Ka edhe raste të tjera, më pak të zhurmshme se kjo intervistë apo sulmi kundër Koliqit e Camajt, ku Auron Tare, ky sovjetik i vonuar, por konsistent, përpiqet, me aq sa ka në dorë, të hedhë baltë mbi lëvizjet popullore dhe protagonistët e tyre, të cilat sollën lirinë në gjysmën e Europës. Sepse unë, edhe kontributet letrare e kulturore të Ernest Koliqit pas Luftës së Dytë Botërore dhe ato të Martin Camajt deri në fund të jetës i shoh tërësisht të integruara në angazhimin e palodhshëm kulturor të disidentëve të emigruar polakë, çekë, rusë, hungarezë, kontributi i të cilëve do të ishte pararendës i përmbysjeve historike të shënuara në fund të viteve ‘80. Në afat të gjatë, historia pa dyshim që do t’i hedhë në koshin e plehrave këto lloj shllapashitjesh alla Auron Tare. Mëdyshja tani është nëse duhet t’u kushtojmë vëmendje dhe kohë për t’iu përgjigjur flakë për flakë. Duke u marrë me sojin e Auron Tares, kam përshtypjen se gjithsesi biem pak në kurthin e tij. Por edhe duke e shpërfillur si të mos ekzistonte, ka rrezik gjithashtu ta ndihmojmë atë në rolin për të mbjellë konfuzion në mendjen e një pjese të opinionit publik, atij “të palexuarit”, siç shprehet në këtë rast njëri nga polemikët seriozë.
Sidokudo, spekulimet dhe falsifikimet e Auron Tares nuk do të arrinin te lexuesi pa botuesin e tij, në këtë rast Ardian Vehbiu. Parë nga interesi publik, më duket se këtu shfaqet një problem më vete dhe që është i mprehtë. Tani së fundmi, fare pak kohë para botimit të shkrimit të Auron Tares, Ardian Vehbiu u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ai jeton në Nju Jork dhe rregullorja e detyron të jetë anëtar i jashtëm. Por në përmbajtje kjo nuk ndryshon asgjë në statusin e tij. Ai ka të gjitha të drejtat dhe privilegjet e një anëtari të brendshëm, përjashtuar pagën mujore. Në parim, çelja e derës së Akademisë së Shkencave shënon, për një njeri të librit, kurorëzimin e një ngjitjeje jo të zakonshme në rrugën e dijes, të shkencës apo të artit e të letërsisë, me kusht që kjo rrugë të jetë e pandarë nga interesat e kombit. Pra, anëtarësimi në Akademinë shqiptare të Shkencave është njëherësh edhe vlerësim i madh moral, sepse parakuptohet medoemos edhe si mirënjohje e veçantë, sipërore nga ana e kombit për shërbimet e shquara, që akademiku i ka kryer me veprën e tij.
Më duket me vend të shtrohet në këtë rast pyetja se çfarë vepre ka Ardian Vehbiu për ta merituar këtë nderim të lartë? Dhe sa kjo vepër u ka shërbyer interesave thelbësore të kombit? Fjala është për një bilanc të domosdoshëm, i cili do ta përligjte zgjedhjen e tij në Akademinë e Shkencave. Edhe pse i ka kapërcyer të gjashtëdhjetat, Ardian Vehbiu nuk është dalluar absolutisht për asgjë as në fushën e dijes, as në fushën e kërkimit shkencor dhe as në atë të letërsisë. E vetmja gjë pak a shumë e dukshme për një publik të caktuar, e lidhur me emrin e tij, është portali “Peizazhet e fjalës”. Dhe, në fondin e këtij portali, i cili ekziston prej disa vjetësh, më të zhurmshmet kanë qenë dhe mbeten fejtonet e pandërprera kundër shkrimtarit më të shquar shqiptar, Ismail Kadaresë, nën mbulesën e çmitizimit.
Unë nuk jam kundër procesit të çmitizimit. Përkundrazi. Pra, kjo që po them nuk ka të bëjë aspak me vlerësimin që mund të ketë secili akademik për libra të veçantë apo edhe për krejt veprën e një shkrimtari, qoftë ky edhe Ismail Kadare. Por çmitizimi, sipas kuptimit që del nga botimet në “Peizazhet e fjalës”, ka synuar të godasë në vazhdimësi Ismail Kadarenë për veprimtarinë e tij ekstraletrare. Po ky argument, “çmitizimi”, është përdorur si justifikim nga Ardian Vehbiu edhe në rastin e botimit të sulmeve ndaj Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Çmitizimi, në kuptimin që postmodernizmi i jep këtij koncepti, synon në thelb të analizojë mirëfilli me mjetet dhe metodat e estetikës një vepër të caktuar letrare apo edhe një korpus të tërë të imponuar ndaj opinionit publik në një periudhë të dhënë të historisë me mjetet e politikës apo të pushtetit, apo edhe nga rrethana të tjera gjithnjë ekstraletrare, për t’i dhënë kështu kësaj vepre vendin që ajo meriton në peizazhin letrar kombëtar apo edhe ndërkombëtar. Unë besoj se kaq gjë Ardian Vehbiu e di. Spekulimi i tij me “çmitizimin” është krejt i vetëdijshëm dhe i shënjestruar me kujdes. Ai fsheh qëllime të tjera, aspak estetike, dashje pa dashje të përfytyrueshme për një person të zakonshëm privat, por të papajtueshme me figurën publike të një akademiku.
Nuk po bëj hamendje fantaziste lidhur me prapamendimet që motivojnë pronarin e portalit “Peizazhet e fjalës”. Vetë Auron Tare pranon publikisht me një qetësi, që vetëm ai mund t’ia lejojë vetes, se nuk e njeh fare veprën letrare të objektit të hulumtimeve të veta arkivore, domethënë veprën letrare të Koliqit e të Camajt dhe se nuk ka interes për të. Pyetja më e thjeshtë në këtë rast është: Atëherë, çfarë çmitizimi po synon ai me gërmimet e tij selektive? Po botuesi (akademik), që është prapa tij, në shërbim të çfarë çmitizimi e ka vënë veten? Një tjetër shqiptaro–amerikan, profesor universiteti diku në SHBA, Gëzim Basha, i cili një pjesë të kohës së vet ia kushton me shumë fisnikëri promovimit të vlerave të letërsisë shqipe, si atyre klasike, edhe atyre bashkëkohore, ushtruar ky promovim edhe si çmitizim, i përfshirë parimisht në këtë polemikë, portalin në fjalë e quajti “Pezhishkat e fjalës”. Ai kishte parasysh pikërisht rolin e botuesit në mbështetje të përbaltjes së personaliteteve të kulturës tonë kombëtare, rol ky që nuk mund të jetë aspak neutral. Ndërsa Akademia e Shkencave (tempulli), në reagimin e saj as mish, as peshk, nuk tha asnjë fjalë lidhur me rolin e njërit prej anëtarëve të saj në këtë përdhosje, duke shpërfillur faktin bazik deontologjik se veprimtaria publike e akademikëve nuk mund të jetë kurrsesi çështje e tyre private. /Panorama /KultPlus.com