28 Dhjetor, 2017 - 2:00 pm
Shkruan: Ragip SYLAJ
Veteran i arsimit dhe njohës i arsimit shqip në Komunën e Kamenicës, në Kosovë dhe më gjerë, Isë Hasani (Tygjec, 1940), duke qenë i përkushtuar dhe i mishëruar me këtë traditë e me këto procese dhe, gjithashtu, duke e çmuar rolin iluminist a ndriçues të arsimit për popullin dhe vendin tonë i ka hyrë hartimi të librit të karakterit monografik “Arsimi në Komunën e Kamenicës (Retrospektiva dhe perspektiva)”. Përpilimi, mbarështimi, respektivisht hartimi dhe shkrimi i këtij libri është rezultat i punës trevjeçare të autorit.
Librit i paraprijnë tri thënie aforistike që kanë të bëjnë me kuintesencën e arsimit, respektivisht vlerën dhe rëndësinë e tij për mirëqenien dhe perspektivën e popujve. Ato janë tri thënie të tre emrave të njohur të arsimi, kulturës e të letrave të hapësirën sonë nacionale dhe të asaj ndërkombëtare: Naim e Sami Frashëri dhe shkrimtarit të madh Rabindranath Tagora. Për ta ilustruar kalimthi rolin civilizues të arsimit dhe vlerën e tij të pakontestueshme për shoqërinë me këtë rast po e sjellim thënien e Sami Frashërit: “Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë”.
Për vendbanimet, respektivisht lokalitetet, duke filluar nga Kamenica, por edhe për shkollat në veçanti është paraqitur një historik i shkurtër, gjendja konkrete (sa i përket infrastrukturës, gjendjes së kuadrit, numrit të nxënësve etj.) dhe janë dhënë edhe objektivat dhe nevojat e tjera për përmbushjen e synimeve në të ardhmen. Për të ofruar dëshmi, respektivisht faktografi për gjendjen e arsimit të kësaj treve, qoftë në të kaluarën, qoftë në situatën e përtashme, tekstet e librit në akëcilin kapitull janë ilustruar me tabela të ndryshme, harta dhe fotografi.
Lënda e librit është strukturuar në këtë mënyrë: Komuna e Kamenicës, për të cilën është dhënë një këndvështrimi historik e gjeografik, por edhe demografik, pastaj Fshati Tygjec, Shkolla e mesme e ulët “Metush Krasniqi” në Roganë, Shkolla e mesme e ulët “17 Shkurti” në Muçiverc dhe paralelet e ndara në Dajkoc e Krenidell, Shkolla “Abdullah Krashnica Presheva” në Koretin, Shkolla fillore “Skënderbeu” në Hogosht dhe paralelet e ndara në Kopernicë, Lisockë, Dazhnicë e Gjyrishec, Shkolla fillore në Desivojcë dhe paralelet e ndara në Poliçkë, Tërstenë, Lajçiq, Velegllavë e Sedllar, Shkolla fillore “Rexhep Mala” – Topanicë, Shipashnica e poshtme dhe Shipashnica e epërme, Karaçeva e epërme, Karaçeva e poshtme, Fshati Hodonoc, Fshati Busavatë, Shkolla fillorre “Idriz Seferi” në Strezoc, Shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Xhelal Sopi” në Petroc etj. Ndërkaq, në fund të librit janë evidentuar ata që kontribuuan në kompletimin e kësaj monografie
Për ta pasuruar këtë vështrim monografik në fund të tij është sjellë edhe një fotoalbum mjaft i pasur, i përbërë nga fotografitë e lokaliteteve të Komunës së Kamenicës, të objekteve shkollore dhe të personaliteteve kontributdhënës që kanë të bëjnë me arsimin në komunën e përmendur. Si i tillë andaj ky libër ofron mundësi të krijohet një imazh më i qartë, qoftë rreth të kaluarës (vështirësive e peripecive të ndryshme), qoftë për gjendjen e tashme që paraqet gjendjen faktike në arsim, rrjedhimisht edhe për të krijuar një vizion për perspektivën e tij.
Libri është shkruar me një gjuhë të qartë dhe të rrjedhshme dhe si i këtillë është një ndihmesë e mirë sa për ta njohur arsimin shqip në trevën e përmendur po aq për ta dashur dhe për ta ripërtërirë atë edhe në të ardhmen.
(Ky tekst është botuar si parathënie e librit “Arsimi në Komunën e Kamenicës: Retrospektiva dhe perspektiva”)