24 Mars, 2019 - 12:30 pm
Në numrin e sotëm të gazetës Franfkfurter Allgemeine Sonntagszeitung (FAS), me rastin e 20 Vjetorit të Bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, Beqë Cufaj, ka botuar shkrimin me titullin: “Kosova është Pjesë e Historisë së Gjermanisë”. Në vijim mund ta lexoni tekstin e përkthyer në gjuhën shqipe:
Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung
Kosova është pjesë e Historisë së Gjermanisë
Para njëzet vitesh NATO filloi me sulmet ajrore kundër Serbisë. Një kthim prapa me shikimin përpara.
Nga Beqë Cufaj
Mbrëmjen e 23 Marsit të vitit 1999, në hapësirat e sallave të konferencave të Bundestagut ishte parashikuar një diskutim mes deputetëve gjermanë emrat e të cilëve nuk më kujtohen tashti dhe Sekretarit Shtetëror të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Wolfgang Ischinger. Pjesë e atij diskutimi isha edhe unë, si gazetar dhe në një formë apo tjetrën edhe përfaqësues i popullit tim i cili nuk kishte as shtet por as të ardhme. Kjo vlente edhe për mua. Në Bonn punoja si gazetar i akredituar. Në të njejtën kohë, prindërit e mi ishin refugjatë në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, motra me fëmijët dhe bashkëshortin e saj kishin nisur rrugën drejt Austrisë ndërsa vëllau ishte luftëtar në njësitet e Komandantit të UÇK-së Daut Haradinajt, njërit prej vëllezërve të Kryeministrit të tashëm të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt.
Kurrë nuk do ta harroj shikimin e Ischinger: diçka mes keqardhjes por edhe një shprehjeje kurajoje. Të dy e dinim që atë natë do të hapej kapitulli i edhe një lufte të re. Do të ishte lufta e fundit në territorin e Europës, Kontinentit i cili prapa kishte shekullin më të përgjakshëm të historisë së ekzistencës së vet. Dhe pjesë e kësaj lufte do të ishin edhe gjermanët të cilët pas betimit për “Kurrë më Luftë” sërish ishin pjesë e një lufte. Por për këtë më vonë.
Në mëngjesin e datës 24 Mars të vitit 1999 Europa u zgjua me sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë dhe frika e tmerri ishin futur në dhomat e çdo qytetari europian. Por kjo luftë nuk vinte as rastësisht e as befasisht. Në fakt, lufta e Kosovës ishte përfundimi i një zinxhiri të gjatë të shkaqeve dhe pasojave të një politike e cila fillet e saja i kishte qysh në pjesën e dytë të viteve 80, saktësisht në vitin 1986 kur Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë kishte hartuar Memorandumin e famshëm. Aparatçiku serb Slobodan Milosheviq e nisi “betejën” e tij të parë nacionale duke ndërruar petkun nga komunist në mbrojtës të të drejtave të popullit serb të Kosovës. Nga koha e pushtuesve turq deri tek “kroato-slloveni” Tito serbët ishin gjithnjë të shtypurit. Kështu propagonte Akademia serbe dhe i njejti ton dëgjohej nga goja e demagogut serb.
Goditja që Milosheviqi me regjimin e ri i bëri Kosovës ishte e
tmerrshme dhe me pasoja afatgjata: heqja e autonomisë dhe përjashtimi i
shqiptarëve nga Shkollat, Universitetet, jeta publike, gazetat, televizionet e
burokracia dhe çdo gjë që kishte të bënte me ta, ngjalli rebelimin pasiv të
udhëhequr nga Shkrimtari dhe Presidenti i Parë i Kosovës, Ibrahim Rugova.
Europa ishte e ballafaquar me problemet e veta dhe e kishte pothuajse të
pamundshme të merrej me periferinë e saj, Ballkanin. Ishin të shumta problemet
qendrore të saj duke filluar nga rrëzimi i perdes së hekurt dhe rënia e
blloqeve komuniste e deri tek bashkimi gjermano-gjerman.
Lufta dhjetëditore në Slloveni, vazhdimi i saj për katër vite në Kroaci, tmerri për tre vite e gjysmë në Bosnje e Hercegovinë, të gjitha këto zgjatën nga vitet 1991-1995 dhe shkaktuan vdekjen e 150.000 njerëzve. Mirëpo Jugosllavia ende nuk kishte vdekur. Gjatë këtyre luftërave për masën e konkursit shqiptarët vazhdonin të protestonin paqësisht. Ata mbijetonin si refugjatë në Europë, mirëpo edhe duke e ngritur sistemin paralel të jetës në Kosovë: arsim, media, kulturë. Në të njejtën kohë shpresonin dhe prisnin për ndihmën e Perëndimit, në mënyrë që europianët dhe amerikanët ta ndalnin sistemin vrastar të Milosheviqit. Politika e pritjes për të cilën angazhohej Ibrahim Rugova zgjaste tashmë pothuajse një dekadë.
Mirëpo dalngadalë shqiptarët e ri, gjenerata e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt, filluan ta humbasin durimin. Në Bonn pak a shumë kjo ishte marrë vesh. Nuk do ta harroj kurrë, sesi Klaus Kinkel, Ministri i Jashtëm i asaj kohe, në një Konferencë Donatorësh pas paqes njëvjeçare për Bosnjen e Hercegovinën para gazetarëve paralajmëronte sesi Milosheviqi nuk do të ndalej me luftën e Bosnjes, i pëlqeu kjo dikujt apo jo. Fjalët e folura të Kinkelit në vitin 1997, do të dilnin të vërteta.
Gjatë gjithë këtij kapitulli të shkatërrimit të Jugosllavisë
kisha fatin të jetoja në Gjermani. Kështu që edhe sot e kësaj dite pas njëzet
vitesh kam mirëkuptim të plotë për atë se çfarë emocionesh Lufta e Kosovës
ngjallë në politikën por edhe në diskursin emocional në Gjermani.
Pas rënies nga pushteti të Përmendores Helmut Kohl në vitin 1998, ende në Bonn,
në nivelin federal në pushtet u vendos eksperimenti kuq-gjelbër, me Gerhard
Schröderin dhe Joschka Fischerin në krye. Pikërisht e majta gjermane për herë
të parë prej pas Luftës së Dytë Botërore- mirëpo këso radhe së bashku me
amerikanët, britanikët, francezët dhe italianët- do të futej në një luftë dhe
do niste me bombardimin e caqeve ajrore në Serbi dhe Kosovë. Kjo ndërmarrje, të
cilën Frank Schirrmacher në debatin e madh të hapur në Frankfurter Allgemeine
Zeitung (FAZ), do ta quante “Kryqëzata Perëndimore” kurse Jürgen
Habermas në “Die Zeit” do ta përkufizonte si tension mes
“Bestialitetit dhe Humanitetit”, ngjallte emocione të cilat edhe sot
e kësaj dite vibrojnë sa herë që përmendet fjala Kosovë dhe Luftë.
Sa herë që në Gjermani përmendet Kosova, secili mendon në luftë.
Mund të jetë që ky asociacion vjen edhe si pasojë e aliteracionit. Mund të jetë
pokështu që hapja e fronteve të reja të luftës në Afganistan, Irak dhe
gjithandej në botë e ka shkallëzuar kujtimin e luftës së Kosovës si një moment
kujtimi. Mirëpo edhe pas njëzet vitesh, në Berlin si atbotë në Bonn,
politikajë, gazetarë, qytetarë dhe ndërmarrës gjermanë më shtrojnë pyetjen me
frikë: a është e rrezikshme të udhëtohet në Kosovë?
Këtyre dy “K”-ve (Kosovo dhe Krieg) u janë shtuar edhe dy K të reja:
Kriza dhe Korrupcioni. Mirëpo në Kosovë nuk ka krizë dhe aq më pak luftë.
Korrupcion ka- por ky është sikurse në vendet tjera të rajonit të cilat duan të
bëhen pjesë e BE-së dhe aso që tashmë janë bërë pjesë e BE-së. Megjithkëtë
vetëm këtu, në Kosovë, lidhen ato dy “K”-të me një kompleks frike.
Edhe më shumë se 50.000 ushtarë të Bundeswehr-it dhe mijëra nëpunës gjermanë në
misione ndërkombëtare që kanë jetuar e punuar në Kosovë për krejt këto vite nuk
kanë mundur ta zgjidhin këtë nyje të lidhur në kokat e njerëzve në Gjermani.
As ne kosovarët nuk mund ta zgjidhim këtë nyje. Sepse lufta e Kosovës, sado i dhembshëm që mund të jetë ky mendim, nuk është vetëm e Kosovës, por edhe e historisë së Gjermanisë. Ja që Gjermania nuk don apo nuk mundet që për këtë luftë ta gjejë një formulë të përbashkët, nuk po mundet ta sheh si të kaluar por para së gjithash nuk po e pranon si pjesë të historisë së saj.
Nëse kjo është barriera që Gjermaninë e ndalon të bëjë atë që tashmë është mëse e tejkaluar dhe përkrahë në liberalizimin e vizave? A është kjo arsyeja pse Kosova si vendi i vetëm i Europës është izoluar nga bota? Apo është ky shkaku pse Kosova kundër çdo evidence të mundshme në Gjermani është e vendosur në listën e vendeve që paraqesin shkallë të lartë të rrezikshmërisë, siç e thotë Ligji për shtetetet që paraqesin rrezik për Gjermaninë?
Njëzet vite pas luftës dhe njëmbëdhjetë vite pas shpalljes së
pavarësisë më shumë se 400.000 kosovarë janë pjesë e pashkëputshme e shoqërisë
gjermane- njerëz të vyeshëm, që punojnë fabrika të NRW, zejtari të Bavarisë, si
“italianë” në Berlin apo Hamburg… pa përmendur këtu fëmijët e tyre të
gjermanizuar, mijëra studentët, akademikët, sportistët e artistët. Të gjithë
këta njerëz kanë të afërm në Kosovë. Dhe si tatimpagues të devotshëm ata
vazhdojnë të privohen nga e drejta që të vizitohen prej familjarëve të tyre nga
Kosova.
Një kompleks i çuditshëm na çon tek përfundimi që askush më shumë se vet
qytetarët e Kosovës janë duke paguar çmimin edhe njëzet vjet pas përfundimit të
luftës prejse u hoqën qafe forcat Milosheviqit! A është kjo e drejtë? Jo. Dhe
kjo duhet të marrë fund. Kosova dhe banorët e saj- shqiptarë, serbë, romë dhe
të gjitha grupet tjera etnike- do të duhej që në Europën e vlerave demokratike
ta kenë vendin e tyre, thuhej atëbotë. Pse pra nuk po u ofrohet ajo karrigë?
Pas njëzet vitesh, në këtë besoj fort, ka ardhur koha, që Gjermania ta hedh një
shikim të ri dhe ta njeh: paqen, rezultatin dhe para së gjithash forcën e
jashtëzakonshme integruese të kësaj shoqërie. Kurse nëse doni të flasim edhe
njëherë për luftën: Urdhëroni!
*Beqë Cufaj (1970), i lindur në Deçan të Kosovës është shkrimtar kurse nga vera e vitit 2018 Ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin. Teksti është botuar në Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung (FAZ am Sonntag). / KultPlus.com