24 Korrik, 2019 - 4:28 pm
Sibel Halimi
Kosova është vend i ditëve të jashtëzakonshme, mbase edhe kështu po mbijetojmë, kushedi! Të gjithë të ekzaltuar i dalim në ballë situatave a ngjarjeve dhe më pas i tejkalojmë duke mos e kthyer kokën më.
Kosova ka nevojë për liderë që e duan vendin e tyre jo vetëm deklarativisht, por që mendojnë për qeverisjen e mirë, luftojnë korrupsionin e nepotizmin. Mendojnë për të rinjtë, gratë e burrat, fati i të cilëve nuk manipulohet e instrumentalizohet vetëm në kohë fushatash, e sigurisht ky do të ishte patriotizmi i vërtetë i tyre.
Kosova ka nevojë për liderë që e braktisin kullën, mentalitetin farefisnor e frikësimin e çdoditshëm të qytetarëve të saj me idenë e armikut të jashtëm, duke na kujtuar çdo ditë përkatësinë e jo qytetarinë.
Kosovës i duhen liderë që udhëheqin vendin e i gëzohen qeshjes së vajzave e grave kudo që janë ato!