Kraki: Edhe regjimet më brutale e më të forta kanë rënë pikërisht kur popujt ‘nuk mund të qëndronin më aty ku i kishin lënë e harruar’

15 Shkurt, 2021 - 2:53 pm

Profesori universitar në Francë, Nezir Kraki nëpërmjet rrjeteve sociale ka reaguar sot pas zgjedhjeve që u zhvilluan ditën e djeshme. Sipas Krakit dje u rikthye shpresa dhe dinjiteti.

Kraki ndër të tjera shprehet se edhe regjimet më brutale e më të forta kanë rënë pikërisht kur popujt ‘nuk mund të qëndronin më aty ku i kishin lënë e harruar’.

Ky është statusi i plotë i Nezir Krakit:

Dje u rikthyen shpresa dhe dinjiteti

Erdhëm deri këtu sepse aty ku ishim s’mund të rrinim më.

…thoshte René Char në një tekst monumental me titull « nga momenti në moment ».

Populli i Kosovës u mobilizua masivisht për ndryshimin sepse ashtu siç ishte s’mund të duronte më. Aty ku e kishin lënë e harruar s’mund të qëndronte më.

Është e vërtetë që njeriu duron më shumë se guri por dallimi është se guri nuk ka vetëdije për revoltë dhe as instinkt për mbijetesë. Njeriu i Kosovës i ka të dyja këto veti dhe këtë e faktoi dje. Dje njeriu i nëpërkëmbur i Kosovës tregoi se është i aftë të heq dorë nga parimet partiake në favor të parimeve njerëzore, në favor, thjesht, të dinjitetit njerëzor. Dje votuesi i lirë u çlirua përfundimisht nga presionet partiake dhe u pavarësua në mendim e synim. Dje iu rikthye edhe kuptimi nocionit të legjitimitetit, nocion aq i panjohur për tuxharët e vullnetit qytetar, të cilët politikën e shohin veç si pazar korridoresh. Sepse s’mund të këtë demokraci funksionale pa u respektuar lidhja burimore e legjitimitetit të atyre që qeverisin. E ajo lidhje është vota, është liria e zgjedhjes.

Miq, edhe regjimet më brutale e më të forta kanë rënë pikërisht kur popujt ‘nuk mund të qëndronin më aty ku i kishin lënë e harruar’. Edhe në demokraci vlen i njëjti parim. Ekziston një vijë e kuqe në brendinë tonë e cila nuk na lejon të heqim dorë nga vetja. Qindra mijëra qytetarë të Kosovës dje iu rikthyen vetes së tyre dhe s’lejuan të kalohej ajo vijë. Sepse ajo është vija përtej së cilës s’ka më as dinjitet, as liri dhe as shpresë.

Prandaj dje u rikthyen liria, shpresa dhe dinjiteti i secilit.

Prandaj dje nuk fitoi politika as partitë por fitoi njeriu i Kosovës i cili vendosi ta rimarrë fatin e vet në dorë duke mos qëndruar më aty ku e kishin lënë.

Urime cikli i ri. Cikli i bërjes. / KultPlus.com

Të ngjajshme