Kraki: Sa duhet të jetë thellësia e injorancës tek ata që mendojnë se Zotit i flitet veç arabisht

2 Qershor, 2019 - 12:30 pm

Nga Nezir Kraki

N’luftë me injorancën kolektive
(A e urren Zoti gjuhën shqipe?)

PO! Mendoj që Shaqiri në aspektin fetar është injorant sepse nuk e kupton as praktikën e tij fetare dhe as fjalët arabisht që ia drejton adhuruesve të tij anglezë e botërorë. Për dallim nga Salah (arab nga Egjipti) që i drejtohet publikut në anglisht me respekt dhe motivim, Shaqiri e sheh të nevojshëm rikujtimin e etiketës së tij fetare edhe kur fiton ligen e kampionëve.

Se Shaqiri dhe shumë komita tjera injorantësh këtu në arenën gjigante të Mark Zuckerbergut, mendon se Zoti kupton veç arabisht se ashtu i ka thënë dikush. Unë jam nga ata që nuk janë bindur se Zoti e urren gjuhën shqipe dhe jam në përpjekje të përhershme për mirëmbajtjen, forcimin dhe respektimin e gjuhës sonë.

Për ata që kanë google dhe dy neurone në gjendje aktive në kafkë, mjaftojnë dy klikime për ta kuptuar që folës të gjuhës arabe sot janë diku rreth 400 milionë persona nga 7,8 miliardë sa mendohet se jetojnë në planetin Tokë. Tash sa duhet të jetë thellësia e injorancës tek ata që mendojnë se Zotit i flitet veç arabisht kur dihet që shumica absolute e pjesëtarëve të fesë islame nuk flasin arabisht dhe nuk janë arabë.

Pas publikimit tim mbrëmë, sikur u aktivizua liga e injorancës kolektive dhe u harrua liga e kampionëve. Endacakë të Zckerbergut dhe analistë e analiste të portaleve 6 mujore, zbriten në arenë me shpata n’dorë në mbrojtje të fesë që unë sipas trurit të tyre të ngrirë e kisha ofenduar kur kërkova përshëndetje SHQIP nga Shaqiri. Unë i kuptoj, prandaj i vajtoj çdo mëngjes dhe e di mjerimin intelektual në të cilin jetojnë të tillët. Janë të njëjtit që i denoncova para disa ditëve kur thash se e shihnin ramazanin si luftë dhe vitrinë fetare për foto.

E kam thënë edhe më herët që profili im nuk është klinikë psikiatrike as qendër edukimi intensiv për ata që “s’kanë pshtim”. Megjithatë unë me sa mundem, edhe kur jam duke përgatitë prezentim për konferencë shkencore, gjej kohë t’i përgjigjem secilit që i respekton minimalisht parimet e korrektësisë në debat.

Nuk jam i izoluar në 2km katror duke fol për Kashmir e për Kolumbi. Jam person i lirë, i formuar me mund dhe pa asnjë argatllëk ndaj bandave fetare apo politike. Emrin e kam Nezir, trashëgim të gjyshit por zemrën dhe mendjen i kam shqip të trashëguara nga 3 gjenerata atdhetarësh që janë vrarë e internuar që shqipja të flitej dhe të mësohej në trojet tona.

U bëtë ju tash komitat e injorancës kolektive të vini e të më tregoni se cilën gjuhë e flet Zoti e cilën duhet ta flas Shaqiri, prindërit e të cilit e kanë lënë Kosovën të shtypur nga ata që e urrenin shqipen.

Për portalet ushqyese të injorancës që e bënë lajm reagimin tim duke ia devijuar esencë, s’kam koment se niveli i tyre intelektual nuk e kupton as komentin tim.

Ju paça shqip,
nk . / KultPlus.com

Të ngjajshme