Kraki: Si shqiptarë historinë e kemi, por për t’ardhmen kurrë ujdi s’kemi arritë

2 Mars, 2021 - 10:31 pm

Shkruan Nezir Kraki

S’jemi NJË por një nga një

Kombi shqiptar ende është n’formim e siper prandaj bashkimi ‘gjeografik’ nuk mund të ndodhë së shpejti.

Kur them ende n’formim, nënkuptoj mendësi dhe projekt të përbashkët ende të padefinuar. Sepse kombet i krijon vizioni për t’ardhmen më shumë se historia edhe pse historia ka peshë të madhe pikerisht në përcaktimin e projektit të përbashkët, mendësisë kolektive, ndjesisë së përkatësisë.

Si shqiptarë historinë e kemi por për t’ardhmen kurrë ujdi s’kemi arritë sepse e tashmja vazhdimisht na ka nxjerrë jasht projektit kolektiv, jasht vizionit përbashkues. Kjo është edhe arsyeja pse ne krenohemi me historinë dhe turpërohemi me të tashmen. Tash i kemi dy opsione:

– ta vazhdojmë dhe ta mbyllim ciklin e kombformimit si shqiptarë, pavarësisht ku gjendemi gjeografikisht dhe t’ia mendojmë një t’ardhme t’përbashkët historisë sonë t’përbashkët ?! Apo…

– të heqim dorë nga historia dhe ta konsiderojmë si normale idenë sipas së cilës kombet krijohen me nënshkrime politike, aty per aty, në çdo moment?!

Opsioni i parë nuk nënkupton bashkim shtetesh por bashkim mendësishë në synime – Besëlidhje dmth, sepse pa u bashkuar shqiptarët n’mendje njëherë asnjë bashkim s’ka kuptim. E ne n’mendje ende nuk jemi NJË, jemi një nga një dhe këtu gjendet sqarimi i dështimeve tona si shtete dhe si shoqëri. Një nga një dhe secili për veten e vet.

Opsioni i dytë mund të imponohet nga koha dhe sa më shumë të zgjasin dështimet tona si shtete aq më e thellë do jetë kriza jonë identitare si komb. Nese ndodhë kjo, dhe sinjalet e para veç hetohen tashmë, atëherë kombi shqiptar nuk do formohej kurrë plotesisht.

Sidoqofshin fatet tona, qendroj i bindur se shqiptarët meritojnë të krenohen edhe me të tashmen e tyre, jo veç me historinë.

Prandaj na duhet një Besëlidhje e re./ KultPlus.com

Të ngjajshme