Krasniqi: Jemi rritur në një ambient shoqëror tmerrësisht të dhunshëm, fëmijët duhet të mbrohen edhe nga virusi i bulizmit

12 Shtator, 2020 - 9:51 pm

Fëmija i ditëve tona, i mbyllur në dhomë, me aiped në dorë ose para kompjuterit, është nën presion të hapësirës së ngushtë. Deri sa lexon mesazhet a postimet tallëse ndaj tij, nuk ka nga ia mban, nuk ka ku të ikën. Prandaj, mund t’i rritet dëshpërimi, t’i zihet fryma si një klaustrofobi në ashensor.

Milazim Krasniqi

Para më shumë se gjysmë shekulli, kur kam filluar ta njoh botën jashtë oborrit të shtëpisë, logun ku rrinin barinjtë dhe rrugën e shkollës, kam filluar ta shoh edhe dukurinë e ngacmimit, provokimit, poshtërimit dhe madje ndëshkimit, që u bëhej disa fëmijëve nga bashkëmoshatarët, një dukuri e cila atëherë nuk kishte ndonjë emër. Më të shumtën cilësohej si “hajgare”, ose “zajebanci”- term serbisht.) Vetë fakti që ajo dhunë e përditshme e fëmijëve dhe e adoleshentëve ndaj moshatarëve të tyre, nuk kishte një emër, është dëshmi se nuk ka ekzistuar ndërgjegjësimi se ato veprime ishin jokorrekte, jonormale, kriminale.

Si bëheshin ngacmimet e moshatarëve në fëmijërinë time

Të gjithë do të kenë menduar se veprimet e tilla janë pjesë normale e hokave dhe lojërave, një lloj tharmi që i ushqente ditët me frymën e garës. Ata që kanë qenë cak i sulmeve të kësaj natyre, poashtu më të shumtën kanë menduar se e gjitha ishte pjesë e lojërave, (“hajgare”) dhe e kanë përballuar, ndonëse jo pa vuajtje, si pjesë të zakonshme të hokave e të lojërave. Fakti që ajo dhunë nuk ka pasur një emër të qartë dhe një kuptim negativ si dukuri, nuk e ka bërë bulizmin e para më shumë se gjysmë shekulli më të padjallëzuar e kriminal më pak se sa që është sot. Jo. Tash e kuptoj qartë se ajo ka qenë pjesë e djallëzisë dhe prirjeve kriminale të disave, për të kënaqur prirjet e tyre sadiste, ose thjesht për ta kamufluar primitivizmin e tyre, gjoja si shaka, si lojë.

Kur i kujtoj gajasjet, zgërdhirjet, gjestikulacionet triumfale të tyre, përballë stepjes, zbehjes, dorëzimit të viktimave të atyre ngacmimeve e të asaj dhune, e kam edhe më të qartë se jemi rritur në një ambient shoqëror tmerrësisht të dhunshëm, veçmas me dhunë verbale e psikologjike. Kam drojë se ky model komunikimi, ku sadistët dhe primitivët e imponojnë versionin e vet, ende është dominant në shoqërinë tonë. Pa i pasur rrënjët të forta e të thella në të kaluarën, kjo mujshari sadiste e primitive në jetën tonë politike e shoqërore, nuk do të ishte e mundshme. Ata fëmijë me sjellje sadiste e primitive, tashmë janë plakur, ka që edhe kanë vdekur, por trashëgimia e tyre e mbrapshtë është prezente edhe sot, sigurisht e ndryshuar, kameleonike, por në esencë e njëjtë – dhunë ndaj Tjetrit.

Fatmirësisht, nuk e kam përjetuar kurrë atë lloj dhune në lëkurën time, prandaj nuk di ta përshkruajë saktësisht përvojën e dikujt që ka qenë cak i ngacmimeve të tilla. Nuk e kam përjetuar në lëkurën time dhunën e moshatarëve as në fëmijëri e as në adoleshencë për dy arsye, e para, sepse vazhdimisht arrija të imponohesha si njëri nga të rëndësishmit dhe e dyta, sepse e pata bërë zakon të mbaja gur në xhepa dhe ta qëlloja secilin, pa menduar dy herë.

Nuk e kam kuptuar kurrë pse moshatarët e mi që dhunoheshin me fjalë e me gjeste nga disa të tjerë, nuk e përdornin këtë mënyrë të vetëmbrojtës. Edhe pse u mvisheshin nofka si: magjup, harap, gabel, tapall, çelë, salibudallë, çakar, qorr, dhamq, etj., të cilat dinin të përcilleshin edhe me ngasje fizike, me ndonjë shtyrje, ndërskamca, futje bërrylli në ije, shprishje flokësh e ngasje të ngjashme, ata nuk reagonin.

Atëherë nuk mund të them se jam çuditur, por tash vërtet çuditem se si ata djem e duronin aq qetësisht atë provokim, atë presion, atë ngasje! Disa u mësuan deri në atë masë me poshtërimin, sa filluan të talleshin edhe vetë me veten e tyre. Mirëpo, ka pasur raste që pas njëfarë kohe, shfaqej ndonjë burrë i familjes së ndonjërit nga të ngacmuarit dhe i zmbrapste ngacmuesit e familjarit të tij, me kërcënime. Pra, kujdesi më i shtuar i familjarëve, dinte ta zbuste atë ngacmim dhe presion ndaj ndonjërit nga viktimat e atij bulizmi primitiv. Ka pasur edhe raste ekstreme, kur për shkak të ngacmimeve të kësaj natyre, kanë ndodhur edhe përleshje mes të të rriturve. Grindjet e grave veçmas kanë qenë të shpeshta lidhur me fëmijët. Prandaj, ka mbetur fjala e urtë që thotë: ” Fëmijët i hanë mollët, të rriturve u mpihen dhëmbët”.

Bulizmi sot dhe pasojat tragjike të tij

Me përvojën time të gjatë jetësore, sot e vrojtoj me shumë shqetësim dukurinë e bulizmit në mesin e fëmijëve dhe të të rinjve. Meqë tash jetojmë në një botë që është nën llupën e medieve, rastet e bulizmit po raportohen, veçmas rastet që përfundojnë fatalisht, gjë që sigurisht e ka rritur edhe shqetësimin. Rastet tragjike janë si maja e ajsbergut dhe dëshmojnë se dhuna e kësaj natyre mes moshatarësh, është prezente dhe mbase bukur e përhapur në çerdhe e në shkolla. Meqë kjo dukuri është e përhapur edhe në rajonin tonë e edhe në përmasa globale, kjo do të thotë se duhet të jemi edhe si shoqëri të shqetësuar. Edhe pse provokimet buliste sot nuk janë të ashpra si në fëmijërinë time, kur përcilleshin edhe me ngasje fizike, tash pasojat mund të jenë më të rënda. Pse?

E para, ngase tash fëmijët janë më të ndieshëm, më të brishtë. Në familje zakonisht mësohen të mos ua prishin tekat, ashtu që nuk aftësohen sa duhet për një ballafaqim jomiqësor me njerëzit e tjerë në botën jashtë familjes. Të pamësuar me privime, me etiketime, me ngacmime, ata kur u ekspozohen ngacmimeve dhe sulmeve të moshatarëve, ndihen të hutuar. Ata janë të paimunizuar për rezistencë.

E dyta, ata nuk e kanë dhe nuk e ndiejnë sigurinë që prodhonte familja e gjerë shqiptare në të kaluarën. Pra, janë fëmijë të vetmuar, sepse shumë prej tyre nuk kanë vëllezër më të mëdhenj, nuk kanë djem axhallarësh, kusherinj në afërsi, gjë që realisht i bën të ndihen e të jenë më të pambrojtur. Poashtu ka rëndësi edhe ky fakt: ngarkesa e bulizmit në jetën reale, në fusha, male ose në rrugën e shkollës, duket të jetë përballuar më lehtë, sepse efektet negative të saj mbi psikën e të ngacmuarit, janë neutralizuar nga jeta reale. I ngacmuari në fushë, në mal ose në rrugë, ka mundur ta shikojë horizontin ose qiellin dhe të ndihet disi i çliruar. Ka mundur thjesht të largohet nga ai grup moshatarësh me vrap dhe deri dikund është ndier i çliruar nga presioni i moshatarëve.

Fëmija i ditëve tona, i mbyllur në dhomë, me aiped në dorë ose para kompjuterit, është nën presion të hapësirës së ngushtë. Deri sa lexon mesazhet a postimet tallëse ndaj tij, nuk ka nga ia mban, nuk ka ku të ikën. Prandaj, mund t’i rritet dëshpërimi, t’i zihet fryma si një klaustrofobi në ashensor. Nga ana tjetër, komunikimi virtual, mund t’ia deformojë përfytyrimet e përjetimet dhe t’ia zmadhojë frikën nga të tjerët, qoftë dhe vetëm nga një fjalë ose vetëm nga një figurë shpotitëse e fb. Pra, ky fëmijë i izoluar nga bota reale, i zënë në rrjet të një komunikimi virtual, është më i ndjeshëm, më i paaftë, që të mbrohet nga sulmet reale e edhe nga ato virtuale. Tipi i tillë edhe sulmet më të lehta i përjeton rëndë, deprimohet dhe mund të thyhet shpirtërisht. Rasti i njëmbëdhjetëvjeçares Betany Thompson, e cila e mbijetoi kancerin, por bëri vetëvrasje ngase e tallnin moshatarët për faktin që buza i kishte mbetur paksa e shtrembër nga sëmundja, është shumë indikativ. Presioni i moshatarëve me fjalë e me imitime fyese, në rastin e saj u tregua më vrastar se sa kanceri! Prandaj motoja e fushatës kundër kësaj dukurie do të mund të ishte: “Kujdes fëmijë, sepse fjala e keqe di të vret më keq se sa kaneri!” Fatkeqësisht, raste të dhimbshme vetëvrasjesh të fëmijëve e të rinjve ka shumë në këto vite, kur është zgjeruar komunikimi në rrjetet sociale, ku ka shpërthyer edhe një komunikim i pashpirt bulist.

Si mund të mposhtet kjo dukuri e rrezikshme

Nëse para gjysmë shekulli fëmijët e të rinjtë e duronin në vuajtje atë ngacmim, që bëhej në fusha e male dhe rrugës së shkollës, tash reagimi ndaj fyerjeve që adresohen përmes komunikimit virtual, është shumë më impulsiv dhe mund të jetë krejtësisht iracional. Prandaj, familjet duhet ta rikthejnë vëmendjen ndaj fëmijëve të vet, të dinë se me kend shoqërohen, me kend komunikojnë, a kanë probleme të natyrës së ngacmimit, si komunikojnë edhe ata vetë, etj. Nëse nuk komunikohet drejtaz me fëmijët dhe nëse nuk mbikëqyren, ata mund të futen në probleme ngulfatëse, prej ku mandej nuk është lehtë të nxirren. Gjithsesi, roli i shkollës, mësuesve/arsimarëve gjithsesi është i rëndësishëm në evidencimin e rasteve të nxënësve që bëhen pre e ngacmimeve në shkollë po edhe jashtë saj. Mundësitë e mësuesve/arsimtarëve që të depërtojnë te të fshehtat që ndodhin mes nxënësve janë evidente, vetëm varet a e kanë vullnetin që t’i mësojnë e t’i përdorin për evitimin e të keqes. Ndërsa, ka ardhur koha që në librat shkollorë të trajtohen përmbajtje që e denoncojnë bulizmin si dukuri joetike dhe jonjerezore.

Në një front më të gjerë të luftës së shoqërisë kundër kësaj dukurie, besoj se duhet të kërkohet edhe kontributi i dijetarëve të besimeve fetare, që të plotësohet shpjegimi se shpifja, thashethemi, intriga, nxjerrja e të metave të të tjerëve, vënia e nofkave, janë vepra të shëmtuara./ KultPlus.com

Të ngjajshme