31 Gusht, 2018 - 9:30 pm
Ilir Muharremi
Për një shkrimtarë të suksesshëm romani i tij duhet ta ketë rrallësinë, të prek më shumë fantazinë se sa historinë. Historitë janë rrëfime, tregime dhe jo romane. Çka janë romanet e mira? Ato që lindin nga shpirti i revoltës, bëhen personale, posedojnë plane estetike dhe po ashtu i referohen të njëjtës ambicie. Shpesh janë histori të rreme, të shndërruara në fjalë estetike, të përgjithësuara, nganjëherë kanë qëllime që edhe Zotit t’i bëjnë konkurrencë. Këtu romani veç arrin edhe kulmin e cilësisë.
Nëse romani shpreh unitetin e njeriut ose civilëve të thjeshtë kjo konkurrencë në raport me Zotin është më e dobët. Duhet t’i vejmë vetes imazhet e mëdha, të gjurmojmë në to. Nëse romani ndërtohet mbi faktet e vërteta, atëherë sipas Albert Camus nuk ka gjë të paevitueshme e as të nevojshme. Atëherë, nga kjo del se veprimet ekstreme, skenat ekstreme të çmendura të krijuara për kënaqësi të autorit dhe lexuesit, dhe gjithmonë pyes veten përse lexuesit gjejnë kënaqësi më shumë në ngjarje të rrejshme? Më shumë më duket tregim gënjeshtar i një ngjarje të madhe brenda. Por, prapë mbetet madhështia te trajtimi, zbërthimi, lidhja ndërmjet ngjarjes, befasia në fund.
Edhe pse temën e zgjedh autori, i zakonshëm mbetet nëse nuk e dërgon në konkurrencë me Zotin. Po kthehemi te shkrimtari jonë i madh shqiptar Ismail Kadare. Letërsia e tij sa është në konkurrencë me Zotin dhe pse çmimin Nobel nuk e fitoj asnjëherë? Letërsia e tij ka marr fund në vitet e ’90-ta. Letërsia e tij ndodhet ndërmjet logjikës socrealiste, veprat janë si katedrale të cunguara nga koha, të rëndomta, pak të ndara nga jeta, ose të shtrembëruara e të zbukuruara. Njeriu i sotëm nuk gjen ushtrim ikje nga kjo botë në romanet e Kadaresë. Ai kthehet prapa, nuk shkon ka e ardhmja. Realitetin gjykues të asaj kohe, e bëri shumë gjykues, në fakt me romanin iket nga realiteti gjykues. Shkrimtari Rexhep Qosja është kritik i zëshëm ndaj romaneve të Kadaresë. “E lexova romanin më të ri të Ismail Kadaresë, Dasma. Si të mos e kishte shkruar i njëjti shkrimtar që ka shkruar romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Dasma është roman shumë i dobët. Në të vërtetë, Dasma nuk është roman në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale: është një reportazh i shkruar në trajtë e gjatësi romani. A mund të quhet roman – reportazh? Apo, ndoshta, reportazh – roman?Si merret vesh, Dasma ka zgjuar interesim të madh në Shqipëri. Ç’është e vërteta, Dasma po zgjon interesim, ta quaj të madh, edhe këtu, në Prishtinë.”, shkruan Qosja. Gjithmonë është interesim i madh për krijimtarinë e Kadaresë qoftë edhe e dobët ajo, por pak po kuptohet përse njerëzit shkruajnë në superlativ për të.
Jo veç ky roman, shumë romane të Kadaresë nuk mund të quhen romane, por reportazhe, e shumë pak të kohës. Edhe po të ndërtosh një kritikë për veprën e Kadaresë, gjithmonë ajo keqkuptohet. “Romani “Dasma” mund të ushtrojë ndikim të padëshiruar, të dëmshëm në letërsinë shqipe jo vetëm në Shqipërinë shtetërore, por edhe në Kosovë. Panegjirikët që po shqiptohen e po shkruhen për të e dëshmojnë pa dashje këtë ndikim të dëmshëm të “Dasmës” në letërsinë shqipe në përgjithësi.”, thotë Qosja. Sipas tij, Nuk ka dyshim se “Dasma” është prozë e shkruar me qëllim të mohimit, madje të zhvlerësimit të traditës kulturore kombëtare që në Kinë, sot, po quhet traditë borgjeze!Ismail Kadare në këtë vepër kritikon shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë, domethënë kolegët e vet, të cilët, si e thonë, po sjellin “shumë myk dhe vjetërsi në literaturë”. E myk dhe vjetërsi ai quan përkushtimin ndaj traditës, ndaj kulturës dhe ndaj zakoneve të popullit.
Por, vepra e Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, është shumë realiste, me shprehje të vjetruar, por që tema është interesante dhe kjo nxjerrë nga dobësia veprën. Romani a mund të shquhet për nga tema apo mënyra se si është shkruar tema? Temat i gjejmë në realitet, ndërsa shkrimin në estetik dhe fantazi. Atëherë shkon kjo shprehje e Friedrich Nietzsches: “Arti dhe vetëm arti, kemi artin për të mos vdekur nga e vërteta”. Jemi kërkues të harresës, por jo foshnjarak, por njerëz bashkëkohor. Më bukur dalin në vepër kur njeriu i ngulitë aventurat e tij se sa kur pretendon të bëhet historik, vendin gjithmonë ja zë tema. Ky roman i Kadaresë është mesatar. “Megjithatë, ky roman i shkruar në mënyrë të vjetruar, prandaj edhe me një vlerë artistike rreth mesatare, është pritur mirë, pas përkthimit, në Francë. E kuptueshme. Popujt e mëdhenj, zakonisht, janë të prirë të tregojnë disa konsiderata jashtëletrare për shkrimtarët e popujve të vegjël dhe të letërsive të vogla. Sigurisht kësi konsiderate kanë treguar francezët ndaj romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Kritika e shkruar për këtë roman në Francë nuk mund të çmohet, prandaj, kritikë objektive sepse nuk është kritikë letrare e mbështetur në kriter estetik, po në kritere jashtëletrare. Të mëdhenjtë, kur nuk janë të pamëshirshëm, nuk ngurrojnë të jenë përkëdhelës ndaj të vegjëlve. Çka krejt nuk prodhojnë paragjykimet historike qoftë në politikë, qoftë në kulturë” tregon Qosja. Krahas pak romaneve të mira Shqiptare, ky mund të konsiderohet si romani më i mirë Shqiptar. Kadare më shumë është politikan se sa shkrimtar në krijimtari. Trajton koncepte socreliaste, ndërsa vepra e mirëfilltë ka kahe të kundërt. I mungon koncepti intelektual dhe ai humanist paqësor. Por, edhe këta shkrimtar që i kemi përpiqen të imitojnë, të përsëritin e të rikrijonë realitetin e tyre. “Ne gjithmonë marrim pamjen e të vërtetave tona”, shkruan Camus. Në fund edhe krijimi bëhet një lloj imitimi, por imitim i lartë.
Pse Shqiptarët Nobelin e shohin gjithmonë rreth Kadaresë?
Ne shqiptarët Nobelin e shohim të rëndësishëm vetëm rreth Kadaresë. Në këtë kohë Kadare nuk mund ta merr çmimin, ndoshta para ’90-tave mund ta merrte, e jo në ditët e sotme, ndonëse mesazhi i tij në këtë kohë nuk është më aktual. Pak kush e ka të qartë këtë dhe duhet ta pranojmë këtë realitet. Kadare harron se në botë po lindin problemet e reja, nuk ngjajnë njëra me tjetrën. Vitin e kaluar Nobelin për letërsi e morri shkrimtari anglez Kauzo Ishiguro. Krijimtari e tij ka forcë të madhe emocionale për të ardhmen. Sjellë një prurje të re për letërsinë botërore.
Cilat janë arsyet përse Kadare nuk e fiton çmimin Nobel për letërsi? Cila është veçantia e shkrimtarëve të tjerë krahas me Kadarenë. A ka ndonjë racizëm ndaj Shqiptarëve? Unë mendoj që jo, ngaqë po i paraqes disa motivacione nga disa shkrimtarë që kanë fituar çmimin Nobel e po ashtu janë nga Ballkani dhe Evropa: Ivo Andric si motivacion ju dha çmimi Nobel për forcën epike me të cilën ai kapi temat dhe pikturoj fatet njerëzore që i skicoj në historinë e Ballkanit. Dario Fo, pasqyroi klounët e mesjetës në fshikullimin e autoriteteve të asaj kohe dhe në përkrahjen që u jep dinjitetit të të nëpërkëmburve. Odysseus Elytis, për poezinë e cila përkundrejt traditës greke, pasqyrohet pastër lufta e njeriut modern. Czeslaw Milosz, tregoi përballjen e njeriut në botën e konflikteve të egra. Orhan Pamuk, zbuloi simbole të reja të qytetit të lindjes i paraqiti përplasjet dhe ndërthurjet e kulturave. Alice Munro u cilësua si mjeshtre e tregimit të shkurtër dhe bashkëkohor.
A do ta fitojë ndonjëherë Kadare Nobelin?
A do ta fitojë ndonjëherë Kadare Nobelin? Cili është ai motivacioni kundër tij? A i mungon talenti i mjaftueshëm? Për çka shkruan ky shkrimtar? Ai është i talentuar, por ka shkruar dhe lavdëruar Enver Hoxhën duke e ngritur në majat e pastërtisë, dhe ujin e turbullt të tij e pastronte Kadare. Kadare ka shkruar për të kaluarën dhe personazhe kryesore qenë pashallarët, bejlerët, veçoheshin vetëm pse kishin orgjinë shqiptare. Nuk mjafton vetëm kjo për të qenë na majat, vepra duhet të ketë shpjegim edhe pse shumë herë shpjegimi është i kot, po ndjesia mbetet dhe ajo universin e bën të pashtershëm. Këtu arti bën vendin e tij. Arti në një anën e bënë vdekjen e përvojës dhe shumimin e ndjesisë, sepse përvoja shpesh është monotone, kurse ndjesia gjithmonë e re. Nuk duhet të mërzitemi se vepra a propozon ndonjë zgjidhje për brengën e mendjes, përkundrazi nëse mendjen e vendos përballë të tjerëve, tregon saktësisht si më gisht rrugën pa dalje në të cilën futen shumë shkrimtar mediokër. Nuk është qëllimi të zbulojë, por të nxjerrë ndjenjën nga thellësia e cila shpjegohet, por vetëm duhet rreshtuar bukur fjalitë. Romanit ende nuk i ka humbur estetika e fjalisë, por më shumë po thellohet në konceptin.
Shtrohet pyetja se vepra reale dhe ajo e fantazisë a janë të mundura? Më shumë besojmë në veprën reale, mirëpo të dyja nëse i referohen artit janë të rreme. Mund të themi se të dyja kanë një klimë të veçantë e kjo është e vërtetë.
“Njerëz si Enveri lindin rrallë dhe i duhen vendit”
Kadare shkroi për kryengritësit shqiptar, legjendat shqiptare, por këto njëherë u shkruan nga të tjerët, Kadare vetëm i analizonte bënte reportazh për to, një lloj gazetaria e avancuar, por në strehim të artit shumë e ngathtë. Normal që përdorte stilin e tij të të shkruarit mbi mitologjinë shqiptaro-ilire. Nuk e përdori nevojën e ripërtëritjes siç përdor çdo shkrimtar bashkëkohor. Stili i tij i të shkruarit është shumë i vjetruar e i gabuar. Disi arti i tij më duket sikur i shkëputur nga krijuesi. Kadare nuk e di se arti kërkon gjithmonë ripërtëritje që të përkryhet. Shkrimtari i ngjanë pak mendimtarit sepse duhet ta ndryshoj vetveten në veprën e tij.
Kadare ishte drejtues i një nga organizatat më të mëdha të vendit në kohën e komunizmit nën/kryetar i Frontit Demokratik. Çfarë mesazhi mund të japë sot një shkrimtar i tillë? Është pak për keqardhje.
Për jetën e tij, shkruan në internet se ishte shkrimtar oborri thurte lavde diktatorit dhe sunduesve të tjerë komunistë, dhe me veprën e tij ai zgjati jetën diktaturës duke e gënjyer popullin dhe dashamirët e tij, me të gjitha ato që i përdorte në romanet. A kemi humanizëm këtu? Nobeli këtë e di. Madje, dikund shkruan se Kadare ka thënë: njerëz si Enveri lindin rrallë dhe i duhen vendit. Atëherë, shtrohet pyetja, për çfarë motivacioni duhet dhënë Kadaresë Nobelin? Vetëm për talentin e tij. Miliona të talentuar ka në botë shkrimtarë. Ai talentin e përdori për komunizmin, u bë shkrimtar servil. Ndoshta edhe gëzoi privilegje gjë të cilin e kanë në gjak shqiptarët. Emri i tij i takon të së kaluarës komuniste të hidhur, na dalka si shkrimtar lavdërues i sunduesve dhe mohues i së vërtetës pikante.
Gjuha shqipe e vogël për çmimin Nobel
Motoja sipas Kadaresë do të ishte: “Gënjeni, gënjeni sa të mundi popullin tuaj”. Atëherë Nobeli shërbren për shijet e mira estetika, edukative dhe humane. Lexuesi botëror është serioz kërkon mendim të kthjellët dhe krijimtaria e Kadaresë nuk duhet të shfaqet fare. Testamenti i Alfred Nobelit ishte se çmimi prestigjioz t’i jepet shkrimtarit që sjellë risitë dhe arritjet më të mira në fushën e letërsisë. Kishte edhe shumë emra të mëdhenj që nuk e morrin si: Lev Tolstoj, Anton Çehov, Virxhinia Vulf, Xhejms Xhojs, D.H. Lourens, etj.
Vlerësimet a janë tendencioze? Të gjithë fituesit kishin prurje të reja dhe rrallësinë e shkrimit. Ndoshta ka infiltrim politikash, por prapë letërsia e fituesve ka thelbin e fuqishëm. A i lexojnë me vëmendje veprat e pretendentëve? Natyrisht që po, sepse gjithmonë jepet arsyeja e dhënies së çmimit.
Njerëzit në Kosovë dhe Shqipëri mendojnë se Kadare po dështon për shkak se është krijuar rrjetë paragjykimesh, të ushqyera edhe nga letrat e liga denoncuese të qarqeve të ulëta shqiptare e antishqiptare, me alibinë se “një pjesë e veprës së Kadaresë ka qenë konformizëm me realizmin socialist”. Edhe pa u krijuar kjo, a nuk qe e vërtetë në të kaluarën e Kadaresë? Nuk mendoj që është skepticizmi i Nobelit për gjuhët e vogla siç është shqipja, sepse edhe gjuhët e vogla të tjera nga Ballkani gëzuan çmimin Nobel (Ivo Andric.) Bindja shkon në atë se pengesë për Kadarenë nuk qe gjuha por mendimet e tij për kohën e komunizmit. As kjo nuk mund të jetë e saktë. Kadaresë i mungon përshkrimi dhe thjeshtësia bashkëkohore e shkëlqyeshme. Kadare harron se shprehja fillon aty ku mbaron mendimi. P.sh Pablo Neruda poezitë ja kushtoi Stalinit dhe regjimit të Stalinit. Është ajo tjetra që e përmenda e cila e nxjerrë nga kriza këtë shkrimtar. Tjetra modelet socrealiste të Mihaill Shollohov. Pastaj vazhdon edhe Sartri ose Brehti me stilizimin dhe nuk u kërcënua asnjëherë me jetë, jetuan të lirë. Nuk qëndron fakti pse ata e morën e Kadare pothuajse i njëjti shërbyes i regjimit nuk po e gëzon. Jo. Kadare përdorë matematikë të vjetruar për kohën që kërkohet. Komisioni i Nobelit asgjë nuk ka kundër veprës së Kadaresë dhe letërsisë shqipe, por kërkon romane të moderuara të kohës së sotme. Tek e fundit nuk është shqetësuese gjuha në të cilën shkruhet romani, por thelbi çfarë trajton romani, si e trajton dhe sa ka prurje të reja ai roman. Shkrimtari duhet ta kuptoj kohën në të cilën jeton, e jo koha shkrimtarin. Nuk e besoj se komisioni i Nobelit krijon shkarje, pengesa, paragjykime ndaj Kadaresë.
Si duhet të jetë shkrimtari i madh?
Shkrimtari i madh i së ardhmes është njeri i dhënë shumë pas jetesës sepse të jetosh do të thotë të ndiesh edhe të mendosh. Andaj, krijimi i tij letrar mishëron një dramë mendore. Vepra bashkëkohore fillon të ilustrojë heqjen dorë nga patetika, historia, dhe ajo se nuk është vetëm mendja që e vë në veprim krijimin duke e mbuluar me figura pa arsye. “Nëse bota do të ishte e qartë arti nuk do të ishte”, thotë Camus. Ai nuk përkushtohet vetëm të artet e formës në të cilat mbret bëhet përshkrimi, por te shprehja e cila lë anash mendimin. Për mua të dyja bashkëveprojnë vetëm se më e thellë është ndjenja se sa mendimi.
Edhe Kadare duhet ta di se romani në të vërtetë është një univers ku veprimi e gjen formën e vet, aty ku prononcohen fjalët e fundit, personazhet u dorëzohen personazheve, dhe ngjarja, jetët e tyre marrin pamjen e fatit. “Bota romaneske është vetëm korrigjim i kësaj bote në funksion të dëshirës së thellë të njeriut”, klithë Camus. Ndonëse bëhet fjalë për të njëjtën botë.
Ky shkrim është opinion dhe nuk përmban qëndrime të redaksisë së KultPlus-it./ KultPlus.com