28 Janar, 2018 - 3:20 pm
Shkruan: John Updike
“Me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, lexojeni këtë recension të njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë, John Updike, i cili e kishte lexuar romanin e Kadaresë të përkthyer nga Arshi Pipa. Përkthimi në gjuhën angleze ka dalë pa emrin e përkthyesit, për shkak të një grindjeje mes Pipës dhe botuesit, prandaj Updike thotë “përkthyesi anonim””, publikoi Ag Apolloni.
Shqiptarët njihen për ashpërsinë e tyre, izolimin, ultra-komunizmin, por jo për letërsinë moderne; e megjithatë, Ismail Kadareja, i lindur më 1936, gëzon një reputacion të konsiderueshëm në Evropë dhe libri i tij i parë i botuar këtu (Chronicle in Stone, përkthyer nga shqipja (përkthyesi anonim), botuar nga New Amsterdam Books / The Meredith Press, $17.95) nuk është një kureshti e radhës, por një roman krejtësisht magjepsës – i sofistikuar dhe i arrirë në prozën e tij poetike dhe në zhdërvjelltësinë e rrëfimit, por gjithashtu i mbështetur në rrënjët e një prej shoqërive më të pazhvilluara evropiane.
Kadarenë e kanë krahasuar me Gabriel García Márquez-in dhe të dy shkrimtarët shkruajnë për qytete që ende vezullojnë me magji dhe që udhëhiqen nga mendësia klanore; qyteti i paemër malor i Kadaresë, pa dyshim, i bazuar në qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën, duket më pak tekanjoz se Makondoja i García Márquez-it, më pak i zhytur në surrealizëm. Qyteti i Kadaresë është i tëri prej guri, “duke nisur nga rrugët dhe krojet e gjer te pullazet e shtëpive të tij të mëdha, shekullore, që ishin të mbuluara me pllaka guri ngjyrë hiri, të ngjashme me ca luspa gjigante”, dhe aq i pjerrët, sa “në nivelin e pullazit të njërës shtëpi gjendeshin themelet e tjetrës” dhe një pijanec që rrëshqiste në rrugë mund të përfundonte mbi ndonjë çati.
Megjithëse ngjarjet zhvillohen gjatë Luftës së Dytë Botërore, qyteti bart zakone të moçme; fytyrat e nuseve zbukurohen me “pikëzime yjesh, degë selvish, shenja qiellore, që notonin të gjitha në misterin e bardhë të pudrës”, ndërsa disa raste magjie i detyrojnë njerëzit të fshehin tufat e flokëve të prera dhe hirin e oxhakut. Vendosja e një shtatoreje në sheshin e qytetit u duket banorëve si një risi ogurzezë: “Një njeri i bërë prej metali! A ishte e nevojshme një krijesë e tillë? A nuk ishte turbulluese? Në kohën që gjithë njerëzit do të flinin, siç e urdhëronte Zoti, shtatorja do të rrinte në këmbë. Ajo do të rrinte ashtu ditë e natë, dimër-verë… Përurimi nuk u bë, për të mos shkaktuar turbullira. Njerëzit shikonin të habitur komitin prej bronzi, me një dorë të vendosur mbi revole, që vështronte i vrenjtur sheshin sikur të pyeste: ‘përse nuk më deshët?’. Gjatë natës, mbi supet e njeriut prej bronzi dikush kishte hedhur një velenxë leshi. Qysh atëherë qyteti u dashurua pas shtatores së tij.” Kur një ushtar grek e qëllon shtatoren në kofshë, njerëzve “u dukej se po shqeponin. Sytë ishin të turbullt. Disa po shqeponin vërtet…”
Animizmi i gjithëpranishëm është dyfish më i fuqishëm te ndjeshmëria e një fëmije pa emër në qendër të romanit. Ai antropomorfizon pikat e shiut tek flasin në ulluk, si dhe rezervuarin poshtë shtëpisë ku ato derdhen: “Unë e doja shumë sternën dhe shpesh i flisja gjithfarë gjërash, duke u përkulur në grykën e saj. Ajo kishte qenë gjithmonë e gatshme të më përgjigjej me atë zërin e saj të zvargur e të thellë…”. Në përfytyrimin e këtij djali qyteti është një krijesë e gurtë që mbahet me thonj pas malit, rrugët kacavirren, rrokullisen, përplasen me njëra-tjetrën (“nga përplasja të dyja ishin shtrembëruar”) dhe aeroplanët e luftës, që stërviten në një pistë diku afër, duket sikur janë personazhe të gjalla. Këndvështrimi egocentrik dhe metaforik i një fëmije krijon poezi të pashterueshme:
“Reja e vogël në qiell ecte si e dehur përpara. Tani ishte bërë e gjatë dhe e hollë. Jeta e qiellit duhej të ishte shumë e mërzitshme në verë. Ngjarjet në qiell tani ishin të rralla. Reja e vogël që kaloi përmes, siç kalon njeriu përmes sheshit të shkretuar nga vapa e mesditës, u tret pa arritur veriun. Kisha vënë re se retë vdisnin shumë shpejt. Kufomat e tyre endeshin për një kohë të gjatë nëpër qiell. Nuk ishte e vështirë të dalloje retë e gjalla nga retë e vdekura.”
Rrëfimi përshkohet nga zëri i pafajësisë dhe nga moria e thashethemeve, por kapitujt gërshetohen me fragmente nga gazetat, njoftime dhe kronika historike. Italianët e pushtojnë qytetin, duke sjellë me vete murgesha, një shtëpi publike dhe një pistë avionësh; pastaj qyteti bombardohet nga britanikët; grekët e pushtojnë përkohësisht; italianët rikthehen dhe sërish zmbrapsen; partizanë shqiptarë të grupimeve politike të ndryshme zbresin nga kodrat; dhe, së fundmi, qyteti pushtohet nga gjermanët. Shumica e banorëve arratisen para se të vijnë gjermanët dhe pastaj kthehen ngadalë. “Mishi i butë i jetës po mbushte përsëri zhguallin e gurtë.” Kronika përfundon me pushtimin gjerman, sikur toni i saj i mrekullueshëm i një fabule fëminore të mos mbahej më dot gjallë nga kujtesa. Një zë i rritur na thotë në fund: “Erdha prapë pas një kohe të gjatë në qytetin gri të pavdekshëm. Këmbët e mia prekën me druajtje shpinën e udhëve të tij të gurta… Nëpër qytete të huaja, duke ecur nëpër bulevarde të gjera dhe plot drita, më ka qëlluar shpesh të më pengohen këmbët atje ku s’pengohet askush. Kalimtarët kthenin kokën të habitur; por unë e dija, ishit ju. Ju dilnit papritur nga asfalti dhe pastaj fundoseshit prapë në thellësi të tij”. Na lind dëshira të dimë ku janë këto bulevarde të huaja dhe se si Ismail Kadareja ka mundur të krijojë një art kaq të rafinuar dhe kaq të lirë shpirtërisht nën regjimin famëkeq, shtypës dhe ksenofobik të Hoxhës. Hoxha përmendet në një kapitull të mëvonshëm si një udhëheqës i rezistencës, që kërkohet për t’u kapur dhe si një ish-banor “i mirësjellë” i qytetit, por pa lajka apo ndonjë nderim të dukshëm.
Valët e fuqive luftuese, që zaptojnë qytetin njëra pas tjetrës, shfaqen, ashtu si edhe tekat e motit vetëm nëpërmjet pasojave në terren, dhe personazhet komuniste bashkohen në brutalitetin shkatërrimtar pa mundur të shkëputen e të dalin mbi të. Copëzat e prozës midis kapitujve, në vetën e parë, e shndërrojnë rrëfimin në një përplasje graduale të armiqësive të vjetra dhe sloganeve të reja. Ngjarja më e zymtë është ekzekutimi nga ana e gjermanëve i kako Pinos , gruas së vjetër që zbukuron nuset dhe që ndalohet nga një patrullë teksa shkon në një nga ato dasmat, që mrekullisht dhe marrëzisht vazhdojnë të bëhen mes bombardimeve dhe pushtimeve. Na krijohet përshtypja se magjia e saj piktoreske, në dukje, zhduket, por edhe në mënyrë të pariparueshme, nga faqja e dheut. Për statusin e autorit në Shqipërinë e Pasluftës dimë vetëm çfarë na thotë faqja e brendshme e kapakut të librit – që romani Kronikë në gur është botuar fillimisht në Tiranë, kryeqyteti i vendit të vogël të mbyllur, në vitin 1971. Kadareja na çon në gjirin e një vendi ku fare pak të huaj mund të shkojnë, por ai nuk u jep shumë rëndësi ekzotizmave myslimane të Shqipërisë – xhamitë, ferexhetë, emrat ortografikisht të çuditshëm, si Xhexho, Selfixhe dhe Vehip Qorri. Madje, qyteti i tij i gurtë paraqitet si një analogji bindëse e fëmijërisë së çdokujt – miqësor deri dhe në misteret e tij, i vyer deri dhe në vuajtjet dhe barbarizmat e rrëfyera. Kujtimet nostalgjike, sigurisht, përbëjnë një strehë të sigurt për një shkrimtar nën totalitarizëm (siç janë edhe përkthimet, librat për fëmijë dhe romanet historike). Ismail Kadareja, na thotë kopertina e librit, pasi ka bërë emër si poet, “ka gërmuar ngjarje historike të mesjetës dhe të kohëve moderne, legjendën dhe realitetin” në nëntë romane. Kur këta libra të botohen në anglisht, do të jetë interesante të shohim nëse ata kanë drejtpeshimin e shkëlqyer dhe larminë e natyrshme të këtij romani, apo, nën presionet e një regjimi vigjilent, kanë rënë në naivitet fals dhe në stilizime të kujdesshme.
“The New Yorker”, 14 mars 1988
[John Updike (1932 –2009), shkrimtar amerikan, ka shkruar poezi, tregime të shkurtra, kritika mbi artin dhe letërsinë, si dhe romane. Vepra e tij më e famshme është seria mbi Harry “Rabbit” Angstrom, që përfshin romanet: “Rabbit, run!”, “Rabbit Redux”, “Rabbit is Rich”, “Rabbit at rest” dhe “Rabbit Remembered”), ku rrëfehet për jetën e “Lepurit” (“Rabbit”) nga rinia deri në vdekje. Është fitues i shumë çmimeve letrare, përfshirë edhe çmimet Pulitzer dhe PEN/Faulkner. Për shumë vjet rresht ka qenë kandidat për Nobel]