2 Maj, 2018 - 2:57 pm
Rrezearta Reka
Janë ca gjëra që nuk harrohen kurrë në jetë, si: simpatia e klasës së parë, kolektive kuptohet, se të njëjtin pëlqenin edhe 27 vajza të tjera; puthja e parë apo përpjekja për një të tillë, e që romantike kishte vetëm sytë e mbyllur; koreografinë e vallëzimit në programin e shkollës fillore me këngën “Let’s talk about sex” të Salt’N’Pepa (jo shumë arsimtarë atëherë dinin gjuhën angleze), dhe ora e parë, pas lindjes. Larg dukjes së jashtë-tokësores Kate, kur je vetëm në dhomën tënde, larg bip-bipeve të aparateve të sallës së lindjes, e veshur me këmishën e natës që mban erë sterile të spitalit, me flokët gjithandej të shpupurisura, porsi mendja, derisa mban sytë ngulur drejt mrekullisë që sapo ke bërë. Gjendje shoku, e përzier me emocione ndër më të fuqishmet që të marrin mendët dhe të ndalin frymën. Pesë vitet e para të fëmijës sikur kalojnë pahetueshëm, mbase edhe të sforcuara me padurim për të parë fëmijët e rritur dhe të hequr doresh. Ndërkaq, pesë vitet e tjera, dhe të gjitha të tjerat në fakt, vijnë shpejtë, pa paralajmërim, të hovshme, dhe çdo vit, marrin nga pak fëmijëroren nga fëmija, për ti dhënë gjithnjë e më shumë madhoren.
Dhe sot, fare pranë ditëlindjës së 9 të Malit, ndjenjë pothuajse e ngjashme shoku. Përpiqem nostalgjinë e viteve të shkuara dhe të tjerave që po vijnë vrullshëm, ta fus nën “tepihun” e ankesës së organizimit të festës së ditëlindjes. Kinse ky është problemi me të cilin preokupohem dhe jo fakti që Mali sot është larg asaj mrekullie fytyrë-bardhë e buzë-kuqe, që me sytë nën vetullat e padukshme, më kërkonte qumështin me vaj këmbëngulës, në dhomën 309. Transformimi ndodh pahetueshëm, me çdo vjet që shkon, me çdo ditëlindje që festohet. Vit më vit, shtohen qirinjtë ndërkaq ndryshojnë gjërat. Sot e vërejta që byrektoren e vjetër, ku haja drekën në punën time të parë, e kishte zëvendësuar një zyre për shitjen e peletit djegës. Shtëpitë e vjetra në po të njëjtën rrugë tashmë i kalojnë së kaluarës, derisa hapësira e boshatisur pret lejen e ndertimit të banesave kolektive. Në shkallët e ambulantës ku kishin përjetuar rininë tash pushojnë farmacistet gjatë kohës së pauzës.
Fizika dhe graviteti na mësojnë që çdo gjë që shkon lartë, detyrimisht kthehet poshtë. Besime të ndryshme pastaj, e kanë thënë që çdo gjë që mbaron, detyrimisht kthehet në formë tjetër pastaj. Madje edhe religjionet kryesore bashkohen rreth postulatit të njëjtë se të Zotit jemi dhe te ai do të kthehemi. Po ditëlindjet ku shkojnë? Sikur mbështillen në vorbullën e kohës, në vërtitje të përsëritshme, për të mbetur pafundësisht në centrifugën e kohës. E kjo e fundit, s’ka gjë më tinzare se kjo. Të jipet, ndërkaq sa e si, nuk t’a thonë. E përvjedhshme, e rrëshqitshme, e pakapshme. Të bëhet sikur e gjatë, e në fakt, s’ndalë asnjëherë tik-taket. Të jep gjithçka, ndonjëherë edhe më shumë se ç’mund të përballohet, derisa një ditë të ndalojë, për të treguar se kush është shefi. T’i ha ditëlindjen një nga një, t’i kapërdinë për të gogësirë më pas kujtimet e mbetura. E mbase këtu dalim fitues. Te kujtimet sepse të njëjta s’mund dot ti përbijë koha. Ato janë tonat, për sa kohë jemi të pranishëm kokë e këmbë në çastet e ditëve. Të pranishëm në netët e paflejtura, kur deri të na bënin sytë xixa, nuk ndaleshim së fërkuari barkun e fëmijëve, në shtrëngimin e dorës korridoreve në ditën e parë të shkollës, në puthjen e vrragëve të gjurit pas përleshjes së parë, në ledhatimin e fytyrës dhe më shumë zemrës, në humbjen e ndeshjes së futbollit, në vitet dhe ditëlindjet për të festuar ato vite. Të pranishëm në çastin dhe jo në dëgjueset që vendosim në vesh. Për të dëgjuar se si tingëllon pllaka e prishur në rrugën që ecën, si qesh fëmija kur blen flokë-sheqerin në Shesh, si pajtohen dy të rinjë pas përleshjes në tavolinën e fundit të lokalit.
E kam me të dëgjuar që në disa kultura, gogësima është shenjë falemnderimi për gostinë e mirë. Atëherë i them kohës, veç a ke ti bark boll, se gosti ka për të patur edhe shumë. Dhe kur t’i rikthehem inçizimeve të kohëve të shkuara, dhe kur me buzëqeshjet ndër lot, do të shoh fytyrat e vogla të mrekullive të mija, do të di që e kam mundur kohën: unë do të kem zemrën plot, e koha, do të vazhdojë të gogësijë! Mal, lëvizja është jetë, prandaj vazhdo të godasësh topin: në fushë dhe në jetë, me zemër!