“‘Kufiri i Kuq’, dokumentari që provon të ndriçojë dhembjen ndërmjet një populli që kishte marrë dy vija të përvojës, dy përvoja të dhunës dhe dy jetë në fund të fundit”

16 Shkurt, 2025 - 4:17 pm

“Kufiri i kuq – T’huej mes t’vetve”, me regji të Rrezart Shehut

Ky dokumentar është pjesë e projektit “Kultura dhe kreativiteti për Ballkanin Perëndimor që është i financuar nga Bashkimi Evropian. Ky projekt është i fokusuar në ngritën e dialogut në Ballkanin Perëndimor duke rritur sektorët kulturor dhe krijues për rritjen e ndikimit socio – ekonomik.

Ballsor Hoxha

Janë të një ndjenje dhe tragjedie të jashtëzakonshme historitë e përçarjes dhe të trushpërlarjes si që ka ndodhur ndërmjet shqiptarëve, si që ka ndodhur ndërmjet Shqipërisë së regjimit të Enver Hoxhës, dhe Kosovës nën regjimin e Titos. Shkëputja e kufirit të Shqipërisë nga tërësia e globit, në njërën anë, dhe në anën tjetër vullneti dhe dashuria e verbër e kosovarëve ndaj po të njëjtit regjim monstruoz, megjithëse pa një informatë mbi atë. Një histori tejet e gjatë e dhembjes dhe dhunës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova pra kishte mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë administrative dhe komuniste monstruoze. Kishin mbetur të përgjysmuara familje e individë, një popull ishte ndarë në dy pjesë.

Është pikërisht kjo, tema e projektit të realizuar prëmes këtij projekti nga kujto.al, që provon të ndriçojë këtë dhembje ndërmjet një populli që kishte marrë dy vija të përvojës, dy përvoja të dhunës, dhe dy jetë në fund të fundit.

Në dokumentarin në fjalë i është dhënë fjala e rrëfimit të kësaj përvoje të çarë në dy vija, një morie të intelektualëve, historianëve, shkrimtarëve e artistëve që flasin për këtë periudhë.

Përmbajtja e dokumentarit hedhë dritë mbi arratisjen e një morie të shkrimtarëve kosovarë në Shqipërinë e Enver Hoxhës, me ç ‘ rast dyshohen dhe dhunohen deri në skajshmëri, dhe deri në fund të jetës së tyre nga po të njëjtit njerëz të cilët te të cilët kosovarët kishin kërkuar ndihmë. Pastaj flitet për marrëdhëniet e para ndërmjet këtij populli të përçarë në dy përvoja jetësore, importimin e letërsisë së Shqipërisë në Kosovë. Pastaj edhe takimet e para, ndërmjet artistëve dhe shkrimtarëve të këtyre dy përvojave jetësore, e tutje deri tek vizitat e njërës palë tek tjetra, dhe anasjelltas. Por ajo që vihet në theks, e që është ndër historitë më të dhembshme është ndalimi i botimit, qarkullimit dhe leximit të autorit më të madh kosovarë Anton Pashkut në Shqipërinë komuniste, për shkak të dekadencës së supozuar të veprës së tij.

Kjo përmbajtje duke pas zgjedhur artin dhe letërsinë si udhë të rrëfimit të kësaj përçarjeje të një populli në dy, përmes vëzhgimit të historive individuale dhe grupore përmbledhë fragmentet dhe fragmentarizimin e historisë së shqiptarëve në një frymë, shpirt, e kulturë që megjithatë si një plazma shpirtërore pas një prerje të dhunshme në historinë e saj, rigjeneron trupin e këtij populli në një shpirt të ringjallur si që është dhe si që ishte.

Mirëpo pas përfundimit të të shikuarit të dokumentarit, shikuesii tronditur nga këto histori, menjëherë dhe me automatizëm tronditet dhe përballet me pyetjet që lindin në mendjen e tij/saj:

Si i shohim të gjitha këto histori dhe historinë e një shkëputje ndërmjet nesh, sot?
Çka ka ndodhur tërë këtë kohë,  fjala është për kohën pas rënies së regjimit monstruoz dhe aq më shumë pas lirisë së Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Çka mund të bëjmë në këtë drejtim, dhe si mundet të rikthehet frymimi i njëkohësishëm dhe i njëjësuar ndërmjet këtyre dy republikave të artit shqiptarë?

Sigurisht, arti dhe letërsia shqiptare (siç edhe u tha m lartë) janë një plazma tanimë. Frymojnë njëra në tjetrën, dhe së bashku si një, por pyetjet që shfaqen, janë po ashtu valide duke qenë se jemi ende aq afër kësaj dhe këtyre historive, nën ethet e kësaj historie sa që shpesh harrojmë këtë dhembje dhe në këtë harrim ngjanë sikur jemi të vetëm dhe të shkuar nga kjo dhunë historie.

Të qenit kaq afër një historie kaq të dhembshme, kërkon edhe zemër dhe vullnet, që të ballafaqojmë një padrejtësi kolektive, të bërë ndaj të dy përvojave të popullit shqiptarë, dhe aq më shumë të sublimojmë këtë paradoks të dy historive të një populli./KultPlus.com

Të ngjajshme