22 Qershor, 2019 - 10:00 am
Nga Mikaela Minga dhe Salian Çullhaj
Ka shumë mënyra si ngjarje historike që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive e atë individuale rikthehen në vëmendjen tonë. Kur bëhet fjalë për episode të rënda të lidhura me luftën, këto mënyra marrin një valencë disi më të veçantë sa i takon asaj çka kujtojmë, si zgjedhim ta kujtojmë, me kë e kujtojmë. E themi këtë pas një udhëtimi në Bavari të Gjermanisë, në kuadër të një serie aktivitetesh të cilat kishin në fokus masakrat e bëra në Shqipëri dhe Greqi nga trupat e divizionit të parë malor të ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më njohura dhe më e rënda në tokën shqiptare ka qenë Masakra e Borovës (6 korrik 1943) gjatë së cilës u vranë, pushkatuan dhe dogjën të gjallë 107 njerëz. Kjo u pasua nga të tjera në Greqi – aty ku u vendos batalioni alpin (Lingiades, 1943; Distomo, 1944; Pyrgi, 1944). Në total, ky batalion ka bërë rreth 150 masakra, të cilat numërojnë afërsisht 10 mijë viktima (ndonëse ende nuk kemi një studim që të japë shifër të saktë për këtë).
Aktiviteti organizohej nga IGMetall (Sindikata e industrisë së përpunimit të metalit) dhe Arbeitskreis Angreifbare Traditionspflege (që mund ta shqipëronim si Grupi i punës për tradita që vihen në diskutim), e cila prej kohësh angazhohet në drejtim të njohjes dhe ndërgjegjësimit ndaj krimeve të nazizmit. Këtë vit, për herë të parë, ata kishin ftuar edhe një grup nga Shqipëria që përfaqësohej prej një të mbijetuare të masakrës së Borovës, znj. Pandora Ndoni.
Shoqëria e sotme shqiptare duket e distancuar prej kohësh nga Lufta e dytë Botërore. Në një masë të madhe kjo ka ndodhur për shkak të mënyrës si erdhi e u legjitimua kjo luftë brenda shablloneve ideologjike e manikeiste të periudhës komuniste, kur regjimi, synoi që të vërtetat e luftës, t’i kthente në një të vetme, atë të tijën.[1] Sa ia arriti qëllimit, e tregojnë vitet post-diktatoriale: debatet për çka ishte, apo nuk ishte lufta, apo edhe pasiviteti i të shumtëve, mbase edhe sepse këtyre i kanë zënë radhën ngjarje të tjera, jo më pak traumatike për shoqërinë tonë.
Ndërkaq, rasti i Pandora Ndonit iu përket atyre që e jetuan këtë luftë në dhe nën lëkurë, pa qenë të angazhuar drejtpërdrejt në konfliktin primordial dhe, po ta mendosh hollë-hollë, pa e ditur ende se kush do dilte i fituar apo i humbur prej saj. Njerëz si ajo e kanë kujtuar atë tragjedi të jetës së tyre përtej ligjërimit zyrtar mbi Borovën “martire”, muzikës pllakateske apo lapidareve pompozë. E bënë këtë duke e rrëfyer në intimitetet e jetës: herë si përrallë të trishtë për nipat e mbesat e herë për të ndarë muhabetin mes familjarësh, miqsh apo të njohurish. Janë ata njerëz që vazhdojnë ende, çdo 6 korrik të rikthehen në atë vend, duke mëkuar me praninë e tyre shpirtrat që prehen aty, në një ritual që shkon përtej lakonizmit të ceremonialit përkujtimor zyrtar, gjithashtu të përvitshëm. I tyri është një ritual që lidhet me një kujtesë sa komunitare, aq edhe individuale dhe shpërfaqet ngahera si një akt dashurie i njeriut për njeriun.
Premisat e aktivitetit në fjalë e patën zanafillën pikërisht në këtë vend, në 6 korrik të 2018, kur pjesëtarë të Arbeitskreis Angreifbare Traditionspflege vizituan për herë të parë Borovën dhe u takuan me disa prej të mbijetuarve, ndër të cilët ishte edhe Pandora Ndoni. Njohja e një vendi që për ta deri atëherë kishte qenë një terra incognita krijoi mundësinë për ta ftuar në Gjermani. E ndërsa historia shqiptare përmend sporadikisht Borovën, në historinë gjermane, masakrat e batalionit alpin nuk kanë pasur ndonjë vëmendje specifike; edhe aty ku përmenden, trajtohen si gjëra dytësore, ose më keq akoma, thjesht si raprezalje dhe luftime ndaj banditëve. Arbeitskreis Angreifbare Traditionspflege, duke bërë bashkë historianë e aktivistë, kërkon të ndërgjegjësojë shoqërinë gjermane për këto krime. E tyrja është një kauzë që kërkon të kujtojë e njëkohësisht të luftojë; të vendosë në pikëpyetje dhe të kundërshtojë tradita që mund të duken të paprekshme; një kauzë ku ka rëndësi të flasësh, po aq sa edhe ta bësh zërin tënd të dëgjohet.
Kjo karakterizoi në vija të përgjithshme aktivitetet në fjalë: I pari, një forum në Schliersee ku u shfaqën dokumentarë mbi masakrat në Greqi, u mbajtën workshop-e gjatë të cilave të mbijetuarit nga Shqipëria dhe Greqia ndanë përvojat e tyre, si dhe u diskutua mbi çështjen e dëmshpërblimeve; të gjitha në motto-n: Erinnern heißt kampfen (Të kujtosh do të thotë të luftosh). Momenti i dytë ishte një pelegrinazh kujtese dhe proteste gjatë të cilit historianë e aktivistë gjermanë, bashkë me përfaqësuesit nga Shqipëria e Greqia ndaluan në vende që mbartin e trashëgojnë peshën e Nazizmit dhe të luftës. Tre prej tyre janë për t’u veçuar: Qendra e dokumentimit të viktimave të Nazizmit në Mynih, vendosur afër Königsplatsz, sheshi ku dikur organizoheshin mitingjet masive naziste; Monumenti kushtuar atentatit në Reichenbachstrasse[2] dhe sidomos Mittenwald-i, qyteza ku çdo vit Batalioni Alpin feston ekzistencën e vet me një ceremoni ushtarake, në të cilën në disa raste kanë marrë pjesë edhe përfaqësues qeveritarë përkatës.
Qëndrimi aty nxori në pah më shumë se në çdo vend tjetër, tensionin dhe ngarkesën emocionale të asaj çka po ndodhte; diçka që nuk ishte tamam e dukshme, apo e prekshme, por që e ndjeje nën rogoz, diçka që godiste së brendshmi. Nga një anë, ceremonia e përvitshme ushtarake në gjithë pompozitetin e vet celebrativ; nga ana tjetër, The Balcony: Memories of Occupation film dokumentar kushtuar masakrës së Lingiades, nga Krysanthos Kostantinidis; nga një anë fjalime normalizuese në nder të një batalioni i cili ka qenë përgjegjës për krime lufte, nga ana tjetër rrëfime publike të një të mbijetuare shqiptare. Vetë Mittenwald-i kishte filluar ta ndjente peshën e rëndë të kësaj kundërvënieje. Nuk ishin vetëm reagimet plot irritim të tipit “ata bënë thjesht detyrën”. Ky tension duket se kish arritur të minonte thelbin e ekzistenës së një vendi, atë pasivitet të organizuar deri në nivel institucional të kësaj qyteze (që nuk ishte e vetmja), për të penetruar atë çka mbante prapa ky vend si kartolinë, ngrirë nga rregullsia e përkorë dhe nikoqirllëku.
Në një atmosferë të tillë arrin të kuptosh se në të nëntëshmen e rrëfimit të gjyshes Pandora ngërthehet diçka gati sakrale; me qetësinë që e karakterizonte të linte të kuptoje se të treguarit ka qenë dhe do vazhdojë të jetë për të një përpjekje për të reaguar ndaj atyre gjërave që nuk mund të marrin shpjegim apo të pranohen lehtë, por që nuk mund të na lënë që të na marrin energjinë për jetën. Rrëfimi nga ana tjetër, i bën njerëzit bashkë dhe dëgjimi i ngjarjeve të tilla mes një audience gjermane kishte sa kërshërinë për të mësuar, aq edhe rëndesën e fajit, peshën e përgjegjësisë. Dhe kundërvënia mund të jetë goxha e fortë po ta shtyjmë pak tej mendimin se mbase gjyshi i ndonjërit prej atyre që dëgjonin mund të ketë qenë “njëri nga ata”… gjendeshim në Bavari, vendin ku Nazizmi gjeti folenë më të ngrohtë dhe mbështetjen më solide. Kjo na kthen gjithashtu te universaliteti i fatkeqësisë: Nëse paqja dhe mirëkuptimi nuk na kanë bashkuar gjithmonë me grekët, fatkeqësia e përbashkët tregon, në fund të fundit, se jemi njerëz dhe vuajmë, tregojmë e përpiqemi njësoj.
Ky itinerar vendesh, ngjarjesh, protestash, historish arrin të shënojë kështu një akt historik me të vërtetat e të gjithëve atyre që u bënë bashkë për të rrëfyer në emër të të gjithëve forcën shëlbuese e rijetëzuese të kujtesës: nga Pandora Ndoni që edhe për shumë kohë vazhdoi të shihte te çdo burrë me kapele babain e saj Lekën dhe që u rrit një grua të fortë e kapur fort pas jetës; nga Perikli Minga që e gjeti të shuar familjen e vet dhe e mbajti si një ishull të patrazuar brenda vetes deri sa mbylli sytë; nga Ralph Klein-i, që edhe pse nuk mundi ta bindte babain e vet se bindjet dhe mbështetja ndaj nazizmit e luftës ishin fatalitet, gjeti motivim për ta luftuar atë si historian, profesor e aktivist; nga Efrosini Chasaki, një 99 vjeçare vllahe – sarakaçane që ende kujtonte se masakrën në Lingiades e shkaktoi dasma e saj; nga Maximilian Fichtner-i që beson ende se idealet e një politike të majtë mund të përfaqësojnë njerëzoren dhe pozitivitetin; dhe më në fund nga Mikaela dhe Saliani që duke e përjetuar thellë këtë udhëtim, menduan që ta rrëfenin për ju. /PF/KultPlus