Kulti i fjalës poetike

14 Dhjetor, 2020 - 1:47 pm

Violeta Allmuça

(Vëzhgim mbi vëllimin poetik të Sali Bashotës, “Në fillim ishte drita”)

          Pas disa botimeve të vlerësuara nga kritika letrare dhe lexuesi, këtë herë poeti tashmë i mirënjohur Sali Bashota na sjell përsëri një element hyjnor në këtë vëllim polivalent, dritën, e cila përbën tërësinë e kohës njerëzore si term për artin e poezisë. Të shprehur si përfytyrim artistik autori operon me vargjet lirike, nëpërmjet një shtresimi të veçantë filozofik. Ndoshta duke e adhuruar dhe konsideruar dritën si diçka hyjnore, ai mediton dhe përqendrohet mbi ndjenjat dhe emocionet pikërisht tek energjia e dritës, duke e përdorur këtë burim për të ndriçuar vargjet e tij. Jo rastësisht e ka përdorur një element tjetër ekzistencial (zjarrin) edhe në librin: “Rruzullimi i zjarrit”), me prozë poetike, po ashtu një vepër Unike në krijimtarinë e tij letrare. Poeti është i lirë të përjetësojë e afirmojë pafund në një vepër letrare bashkëkohësinë, pikëvështrimin dhe fjalën artistike.

Vëllimi poetik “Në fillim ishte drita” është ndarë në tre cikle të ndryshme: SI, NËSE, KUR. Mesa duket poeti i mbetet besnik traditës së kësaj paraqitjeje të poezisë së tij. Le të njihemi me poezinë: “Si pagjumësia e fjalës”. /Nuk dua të fle sonte pa të kujtuar ty/Duke i ujitur lulet në kopshtin e qiellit/E kam të vështirë t`i këpus kujtimet përsëri/ Në javën e parë të prillit/ Nuk dua sonte fare gjumë në sy/Jam bërë kopshtar që lulet i çel/ Kur në damarët e mi të kam ty/Klithma e dashurisë ndihet thellë/.

Të gjitha këto vargje metaforike i paraprijnë kultit të fjalës poetike dhe janë përshkuar  nga një shpirt i vetëm nëpërmjet të cilit krijuesi atribuon frymën e dashurisë. Pra çdo varg poetik është krijuar në shpirt, ku dëgjohet fryma e tij. Autori ka ecur përtej vargjeve derisa ka ndjerë klithmën e dashurisë. Muza e dashurisë nuk pyet për rastësinë por duke zgjedhur të priret me pasurimin e krijimit të çdo fjale poetike. Dhe ia arrin deri në shpirtin e fjalës hyjnore kur agu shkrihet në dritë. Ka ndodhur që pothuajse shumica e poezive me të cilat poeti ka shkrirë edhe vetveten të vijnë për lexuesin me adhurimin e fjalës së përzgjedhur. Të jesh poet i vlerave artistike dhe estetike duhet të frymëzohesh nga dashuria. Asnjë qenie njerëzore nuk mund të jetojë pa dashuri. Poetët, jo se jo. Mesa shihet edhe në këtë poezi, derisa të jetë drita poeti Sali Bashota do të shkruajë vargje të larmishme dhe magjepsëse, si poezitë: “Si mosha e dashurisë”, “Si pritja e zemëruar”, “Si paraloja”, etj.

Në poezinë tjetër , “Si melankolia” krijuesi shkruan: /Nuk të shoh as në kopshtin me lule/Duke ujitur trëndafilët blu/Kumbon zëri yt kur u përkule/Si pulëbardhat e detit gjithashtu/Kjo poezi e harroi vapën e verës/Si akrepat e ndalur në orë/Çelësin e dyshimit mos ia vë derës/Letrat e dashurisë tani i shkruan me dorë/.

Qenia e poetit është e përshkruar gjithashtu në këto vargje dhe poezia ka esencën e vet, respektivisht qenësinë e tij poetike që shkrihet me qenien letrare artistike dhe estetike. Simboli i dritës ashtu si liria i ndihmon poetët t`i qasen dritës. Secili e pikturon dritën me ngjyrën shpirtërore. Në vetëdijen e poetit shfaqen vargje që lindin thellë në shpirt bashkë me relacionin semantik. Figuracioni letrar e zbulon fjalën në imagjinatën e krijimit të botës së brendshme shpirtërore artistike në kohë dhe hapësirë. Poeti mediton rreth dritës duke u bashkuar me qenien njerëzore dhe poezia nëpërmjet frymëzimit shpirtëror kthehet në materie.

Lexojmë poezinë emocionuese që lind në universin e imazheve. “Nëse zgjohen kujtimet e tretura”. /Zgjohen kujtimet e tretura/ Në shtegun e vet/Ngrihen dallgët e fjetura/Që as hija nuk i pret/ S`ka gjë më të bukur sa ta gdhend portretin tënd/ Në ashtin e shpirtit tim/Jeta pa vdekje tashmë aty ka zënë vend/ Deri në amshim/.

Forca e krijmit të kësaj poezie gjallon në forcën e vargut 1-3, 2-4 duke shprehur vetveten me zërin e vet dhe duke u shkrirë në zërin kujtesës njerëzore. Poeti bashkon dy zëra duke komunikuar artistikisht me të vërtetën e dritës artistike-poetike. Gjithashtu në këtë cikël lexojmë edhe poezi me metafora të rralla: “Nëse klith për secilën fjalë”, “Nëse mbaron prova e zjarrit”, “Nëse ngjallet vetmia”, “Nëse këndojnë zogjtë at ty” etj.  

Vijojmë me poezinë, “Kur heshtin zogjtë”. /Mjafton të vish e buzëqeshur/ Duke e shkundur qerpikun e zi/Edhe zogjtë tashmë kanë heshtur/Ashtu siç hesht nganjëherë ti/Mjafton ta përqafosh mëngjesin/Me mallin e përshëndetjes/Të dashuruarit gjithnjë presin/Lojën midis shkrumbit dhe etjes/Mjafton të jesh zgjuar/Deri në mesnatën e vonë/Me lulen e dashurisë në duar/Ashtu siç ëndërroje gjithmonë/.

Në këtë cikël lexojmë edhe poezitë: “Kur zgjohen engjëjt”, “Kur ti vjen në vjeshtë”, “Kur fiken qirinjtë”, e të tjera, ku mendimi lexuesit mbetet po aq i vlerësuar.

Në poezitë e vëllimit “Në fillim ishte drita”,  Sali Bashota është mjeshtër i fjalës për dashurinë sublime, me një lirikë sa shpirtërore po aq me nuanca erotike dhe ndjesi humane, ku përpos mesazhit poetik, figurave letrare, metaforave befasuese, simbolit, krahasimit dhe një strukturë gjuhësore letrare, plot lirizëm të hollë shpreh pasurinë e përjetimit artistik. Bashota duket sikur i largohet reales ndërkohë që zbulon më shumë botën e imazheve. Brendësia shpirtërore-metafizike e këtij poeti dallohet pikërisht për vlerat e përzgjedhjes së fjalës artistike që na sjell po ashtu edhe vlerat estetike të një vepre poetike. Krijuesit nuk kanë mision të qartësojnë motivin, por fjalën. Poezia nuk mund të jetojë pa dritë, as në hije. Në ciklet poetike: SI, NËSE, KUR shkrimtari i dashurisë Sali Bashota, priret nga krijuesi tipik modern për të zgjedhur artin e fjalës së përsosur. Ky burim magjik për ta ngritur fjalën e shkruar në kultin e saj i sjell leximit të librit një risi të re. Vetë poeti si idealist ka imunitetin e fjalës së vërtetë artistike. / KultPlus.com           

Të ngjajshme