4 Maj, 2018 - 3:27 pm
Mirela Kumbaro
“Unë jam në origjinat e mia myslimane, babai juaj është ortodoks, ju jeni të lirë të zgjidhni besimin tuaj si ta ndjeni dhe kur të doni, rëndësi ka të jemi bashkë ” u jam përgjigjur fëmijëve të mi sa herë që më bënin pyetje për fenë kur gëzonim nga një familje në tjetrën çdo sebep festiv në ditë të Bajramit apo të Krishtlindjeve a Pashkëve.
“Nuk duhet shumë art, e as fjalë shumë të kërkuara për të vërtetuar se njerëzit e Zotit duhet të tolerojnë njëri-tjetrin. Do të shtoja dhe më tepër: do të shtoja se duhet t’i konsiderojmë të gjithë njerëzit si vëllezër. Po si? Si na qenka vëlla turku? Vëlla kinezi, hebreu apo tajlandezi? Po, pa pikë dyshimi: a nuk jemi të gjithë fëmijë të një ati, krijesa të të njëjtit Zot?” Këtë thirrje do të bënte, pas Erazmit të Roterdamit e Xhon Lokut, dhe Volteri më 1763-n, duke parë që Europa e krishterë e kishte të vështirë të hapte dyer për qytetërimet dhe besimet e tjera, duke parë se ndër shekuj fanatizmi fetar kishte derdhur lumenj gjaku.
Sot më shumë se kurrë kjo thirrje e Volterit është këmbanë për Europën që po përjeton shekullin e ri të lëvizjeve masive, në kohën që emigracioni nga vendet myslimane në luftë, i kanë zënë në befasi vendet perëndimore me një qytetërim të lashtë dhe besim fetar të ngulitur. Kavafis e kishte parashikuar shumë më herët që “barbarë”, “të huaj” nuk do të kishte më.
Ne vetë jemi tashmë barbarët, të huajt e këtij shekulli të lëvizshëm. I huaji që jeton ndryshe prej nesh, që mendon ndryshe prej nesh e që beson ndryshe prej nesh, është tashmë komshiu ynë, kolegu ynë, bashkëudhëtari ynë. E në përballjen me të huajin të ndryshëm për nga besimi në fe, për fat shqiptarët e kanë pasur një traditë dhe nuk gjenden të papërgatitur. Edhe pse vendi më i izoluar i botës për gati pesëdhjetë vjet, vendi i vetëm që i shpalli luftë Zotit dhe ktheu idealet në perëndi, përsëri farën e besimit në të mirën, farën e besimit te njëri-tjetri, farën e bashkëjetesës me të ndryshmin prej nesh e ruajtëm si të shenjtë dhe ky është mësimi më i mirë që mund t’i japim botës. Shumë historianë, studiues kanë ngulmuar të gjejnë rrënjët e kësaj harmonie fetare të ngulitur herët në këtë vënd. Dhe shkaqet e arsyet mund të jenë nga më të ndryshme: në fund të fundit furtuna e historisë me luftrat e copëtimet, imponimet e besimit prej pushtuesve padyshim ka lënë gjurmët e veta. Por e rëndësishme është që te shqiptarët nuk u kultivua fara e urrejtjes për sivëllanë, komshiun, të afërmin që besonte ndryshe. Rreziku i shuarjes, copëtimit dhe asgjesimit të një kombi të vogël, të një gjuhe të rrallë e bëri të ndërgjegjshëm shqiptarin shumë herët se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Pa këtë fe të parë të gjitha të tjerat do të ndjeheshin të rrezikuara.
Për shqiptarët ishte më i rëndësishëm arsimimi, ruajtja e gjuhës shqipe se ndarja në besime. Pikërisht pra te domosdoshmëria e mbijetesës së kombit e të gjuhës shqipe, duhet kërkuar dhe arsyeja më e qenësishme e një harmonie fetare mes shqiptarëve.
Sot vetëm në një unazë të ngushtë qark sheshit të Tiranës ngrihen Xhamia muze e Ethem Beut, si gur themeltar dhe i qytetit të vjetër, Kisha e fisme Katolike pak metra më tutje, Kisha e bukur ortodokse që krijon trekëndëshin barabrinjës dhe Kryegjyshata e bektashinjve në kodrinë. Si një tavolinë e rrumbullakët ku të gjithë ndjehen njëlloj të respektuar dhe të nderuar.
Shqiptarët kanë gëzuar bashkërisht festat e besimeve të ndryshme: Krishtlindjet, Pashkët, Bajramin, Ramazanin apo Nevruzin, kanë lidhur kryshqi, miqësi e kanë krijuar familje duke vënë parësore dashurinë për njeriun pa dallim feje. Ky do të ishte mesazhi më i mirë për të cilën ka nevojë sot bota e qytetëruar: parësore është dashuria për njeriun.
Po kjo e mirë e trashëguar nga të parët tanë është gjithnjë e brishtë si vazo argjile, nëse nuk e ruajmë, nëse nuk e përmirësojmë, ekziston gjithnjë rreziku për tu thyer. Fanatizmi fetar vazhdon të shkaktojë viktima edhe sot në kohërat modern ku informacioni dhe dija nuk mungojnë. Rreziku është gjithnjë te porta.
Ndaj dhe ju përgëzoj për nismën për një konferencë për tolerancën fetare. Nuk mjafton anjëherë të flitet, të komunikohen mesazhe të qarta, të diskutohen dhe të debatohen mendime.
Çdo shmangie për njohje është burim rreziku për keqkuptime. Çdo paragjykim për cilindo besim është vatër për ndezje flakësh urrejtjeje, çdo etiketim i gabuar është start për konflikte. Gjendja në lindjen e mesme, luftrat e vazhdueshme e terrorizmi i përhapur që abuzon me emrin e fesë dhe besimit, është një dëshmi se rinia e sotme ka nevojë për më tepër ndriçim dhe dialog, pa iu trembur përplasjes së mendimeve. Nuk mjafton vetëm informimi statistikor rreth vrasjeve, shpesh deformues i shkaqeve të qenësishme, nevojitet të kuptohet qartë, të njihemi me historinë e gjithësecilit, për t’u bindur se rruga e vetme e mundshme për të dalë nga kjo “luftë e tretë fragmentare”, rruga e vetme për të shmangur urrejtjen, diskriminimin, dhunën është toleranca.
Do ta mbyllje me porositë që Papa Françesku u dha të rinjve në vizitën e tij historike në Tiranë në shtator 2014 pjesë e të cilës pata fatin e jashtëzakonshëm të jem, ku shembulli i tolerancës fetare ishte dhe kryefjala: “Thuajini PO kulturës së takimit e të solidaritetit, PO bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta, PO jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike dhe në gjërat e vogla. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë”./KultPlus.com