26 Qershor, 2019 - 9:00 pm
Si sot, 27 vjet më parë, 16 anëtarë të Kongresit të SHBA-ve (Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve) i dërguan Ibrahim Rugovës një letër uruese dhe përkrahëse, pas fitores bindëse për President të Kosovës në zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992. Ibrahim Rugova u rizgjodh edhe tri herë President (1998, 2002 dhe 2004) dhe udhëhoqi popullin e Kosovës deri kur dha frymë, më 21 janar 2006. Nga nënshkruesit e letrës nuk jetojnë më: Tom Lantos, William Broomfield, Wayne Owens, Frank Horton, Charles Wilson – shkruan RTKlive.
I dashur President Rugova,
I kemi përcjellë zgjedhjet e 24 majit në Kosovë, me një
ndjenja të përziera të brengosjes së madhe dhe pritjeve të thella: me brengosje
se regjimi i Beogradit, do të përpiqej ta ndalonte me forcë votimin dhe me
pritjen se kosovarët, do të bëjnë edhe një hap të rëndësishëm drejt pavarësisë
dhe demokracisë së papenguar.
Dëshirojmë të të urojmë për fitoren gati unanime për Presidencë dhe të
dëshirojmë gjithë të mirat, për detyrat e vështira me të cilat do të
ballafaqohesh. E morëm vesh, që ju dhe anëtarët e zgjedhur në mënyrë të
rregullt të Parlamentit të sapokonstituuar të Kosovës, jeni të përcaktuar të
qëndroni në Kosovë dhe të veproni hapur me qeverisjen tuaj.
Vështirësitë me të cilat, ju dhe kolegët tuaj, jeni ballafaquar e po
ballafaqoheni, janë shumë të mëdha andaj ne do të bëjmë çka është e mundur,
t’ju përkrahim juve dhe anëtarët e Parlamentit kosovar në këto kohë të
vështira.
Komuniteti ndërkombëtar, përfundimisht ka filluar të kuptojë se çfarë regjimi e
kontrollon ushtrinë serbe dhe ne na mban shpresa se, Millosheviqi dhe
përkrahësit e tij, së shpejti do të fillojnë të ndiejnë efektet e përbuzjes
ndërkombëtare.
Qëllimi ynë është të vazhdojmë të bëjmë presion për liri politike në Kosovë dhe
të kundërshtojmë politikat brutale dhe mashtruese të qeverisë së Beogradit.
Edhe një herë, ju urojmë për fitoren bindëse në zgjedhje dhe mirëpresim
bashkëpunimin me ju, në të ardhmen.
Pasojnë nënshkrimet:
Eliot Engel, Susan Molinari, William Broomfield, Dick Swett, William Zeliff,
Tom Lantos, Frank Horton, Albert Bustamante, Michael McNulty, Wayne Owens, Don
Ritter, James Sensenbrenner, William Dannemeyer, Jolene Unsoeld, Charles
Wilson, Elton Gallegly.