4 Dhjetor, 2019 - 8:23 pm
Vështrim mbi librin “7 Udhë” të autorit Rrahman Paçarizi
Shkruan: Fjolla Hajrizaj
Fundi i një libri gjendet në fillimin e tij, njëjtë si lajmi kryesor që jepet në kre. Te romani “7 Udhë ˝ i autorit Rrahman Paçarizi, çdo gjë rrjedh kështu.
“7 Udhë”, është libër që mund të lexohet prej mesit, fundit a fillimit.
Është rrugëtim jashtëserik mes rreshtash. Udhët- të shtatat çojnë te një gjuhë e thjeshtë dhe rrëfim që rrjedh edhe pasi t’i kesh kthyer faqet. Rrëfimi prapë rrjedh, lehtë, qartë, këndshëm dhe ti duhet të jesh aty.
Tregimet e mëvetësishme, lidhen me njëra-tjetrën në mënyrë të pashkëputshme duke shpalosur penën e autorit që është kalitur në mes gjuhës dhe gazetarisë.
Të gjithë tregimet shoqërohen me përemrin pronor “Ime” që mund të sugjerojë elemente të autobiografisë, por edhe të përkatësisë.
Lexuesi kalon nëpër dilema, sfida, vuajtje, gëzime, dashuri të humbura, mendime, veprime dhe ëndrra që mu për këtë i duken si të ishin të tijat.
Këtu lind një pyetje që lexuesi nuk do mund t’i bishtnojë: sa autobiografik është romani? Përgjigjja ka pak rëndësi, një libër nuk duhet lexuar për të njohur më mirë autorin e tij. Çdo libër i lexuar është humbje dhe rigjetje e vetes. Është njohje e vetes.
7shi është numri që i përgjigjet kapitujve dhe botës së rrëfimeve unike e goditëse, që herë çon në persiatje e herë të kujton gjëra që mund t’i kesh harruar.
Autori ndonëse është edhe gjuhëtar nuk kompleksohet me gjuhën. Me thjeshtësi që do e kuptonte edhe bujku edhe kryetari i akademisë shkruan për: Zotin, Helenën, Çmendjen, Pushtetin, Luftën, Lirinë, Vdekjen.
Përdorimi i beftë i varieteteve të ndryshme gjuhësore bën që rrëfimi të kapërdihet më lehtë duke krijuar një ambient të përshtatshëm prej të cilit lexuesi zor se mund të marr arratinë. Rrëfimi, në të gjitha pjesët e tij nuk i përket regjistrit krejt standart të gjuhës. Gjuha letrare përbëhet nga pjesorja e shkurtuar dhe paskajorja në gegë që janë më të afërta me të folurit e përditshëm. Falë përdorimit të këtillë të gjuhës, në funksion të rrëfimit, leximi bëhet më i lehtë, sikurse edhe përfytyrimi i plakut, fëmijës, gruas, plakës, të riut, të resë, akademikut, fshatarit, qytetarit, mashtruesit, e njeriu qyshdo qoftë ai. Në bazë të mënyrës së të folurit, nga fjalët e zgjedhura ndërtohet edhe ideja se ç’zone a regjioni, i përket personazhi. Duke qenë studiues i gjuhës, autori kujdeset që të fshijë pluhurin e harresës së disa fjalëve të moçme- arkaizmave dhe lexuesi i vëmendshëm, mes rreshtash mundet me “zanë në thua” edhe në fjalët e reja- neologjizmat.
Ka edhe lojë të vazhdueshme me fjalët dhe fusnotat në roman, nuk vijnë nga shpjegimi i bazuar në studim, por nga koka e vet narratorit. Kjo sjell ndërmend faktin se gjuha merr dhe jep, ndryshon dhe nuk duhet pasur frikë nga ajo.
Vjen, aq e mirëpritur bota psikologjike e personazheve pikat ku takohen dhe ndahen karakteret dhe jeta e tyre. Asaj bote i përgjjigjen gjuha dhe të bëmat e tyre.
Narratori që është aty dhe gjithkund, qëndisë çmendjen, shkëlqimin dhe rënien e njeriut, frikën e ankthin, absurdin, dhembjen, njohjen, pushtetin, ndarjen, lamtumirat, të rëndën, të lehtën, gëzimin…
Narratori lëviz në vend, kohë e ndjenja të ndryshme. Nis me sytë kureshtar të fëmijës, keqkuptimeve të fëmijërisë që madhështia e figurës së të rriturit i turbullon edhe më. Lëviz drejt erozionit shpirtëror te të riut që në çast verbërie kërkon Helenën e vet, drejt gjyshes që me tregimet e saj sfidon mësimet e biologjisë e shkencës, dajës që e njofton me Zotin dhe vetes që e largon nga ai… për të përfunduar ashtu si jeta- me vdekjen.
Ndeshja me Helenën nuk është më një mit. Ajo i përket rrëfimtarit dhe kamarierit që ngatërrojnë rolet, në kërkim të Helenës së tyre. Të dy e gjejnë dhe e humbin atë në një çast verbërie. Kërkimi i Helenës i shërben fanitjes dhe rishfaqjes së ndjenjës sublime.
Filozofia që është e thjeshtë (veç në dukje), përmblidhet në dy fraza “Unë jam dy: një që guxoj dhe një që ëndërroj”, dhe “Vdekja është si Helena e Helena është si vdekja: nuk mundesh me i zgjedhë-ato zgjedhin.
Pavarësisht faktit që autori është studiues në roman paraqet një botë veç letrare, diçka të atillë që mund të përkthehet vetëm si fiksion, jo si fakt, jo si e vërtetë dhe diçka që doemos ka bazë të qëndrueshme studimi diku.
Kompleksiteti në zbërthimin e asaj që është shkruar shtohet, kur lexuesi nis e vret mendjen për atë që është, për atë që ëndërron, për atë që (s’)guxon, për vdekjen dhe situatat kufitare.
7 udhët të çojnë aty ku fundi i një libri gjendet në fillimin e tij dhe lajmi kryesor jepet në kre. “7 Udhë” krejt në fund të kthejnë tek vetja jote dhe të kujtojnë fundin e pashmangshëm.
*
Gjatë dhe pas leximit unë isha: një që ëndërroja dhe thellohesha në botën e librit, ndërsa intepretimin e këtij libri u shndërrova në një të tillë që guxoj të marr përsipër këtë mision, jo fort të lehtë.
Për gjërat e pathëna i takon lexuesit të zhbirojë. Fakti që vështrimeve të çfarëdo natyre qofshin u vihet një pikë në fund, nuk do të thotë që gjërat aty kanë mbaruar. Mbase, fakti, se kemi gjithmonë ka mangësi në çkado që bëjmë është si Helena dhe vdekja, nuk e zgjedhim,- ai na zgjedh.