23 Mars, 2022 - 3:07 pm
Përkitazi me premieren e shfaqjes „Muslimani“ autor e regjisor: Enver Petrovci, shfaqur në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës
Kurimi i vetmisë, lot e qeshje
Nga: Agron Gërguri
Shfaqja autoriale e Enver Petrovcit, autor i tekstit, regjisor dhe ne rolin e kryepersonazhit Dinit, na ktheu tek teatri normal, klasik në një ambient kamertal në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar ku u dha si premierë.
„Muslimani“ i Petrovcit i cili jeton i vetëm në n jë banesë njëdhomëshe shtron dilemën se devotshmëria fetare ushqehet nga përckatimi apo nga vetmia, si një ambient ku humbet kontakti me jeten reale, e pastaj të mbetet vetëm rituali fetar i cili e materializon besimin. Në rastin e muslimanit të Petrovcit tundimi i dilemës shkaktohet kur në skenë futet Nita në interpretim Vlora Nikçit, e cila vjen „mashtrueshëm“ dhe provokueshëm si kujdestare e dërguar nga ministria.
Por që e vërteta në fakt është se ate e ka paguar vajza e Dinit Hana e cila është martuar me një amerikan krishter përkunder vullnetit të Dinit apo më sakt mospajtimit të tij që ajo të martohet me një katolik.
Qëndrimi i ngurt fetar i Dinit sa vjenë e thyhet para sharmit, kujdesit dhe sensualitetit të Anitës.
Në fillim kjo thuaja se duket e pamundur por Dinin e tradhëton shikimi pushtues në të pasmet e bëshme të Anites, me arsyetimin se „i di Allahu punët e veta“ ai e gjenë derën për të dalë në jetë.
Fundja hiç nuk është me rëndësi e vërteta, me rëndësi është se Anita arrinë ta nxjerr Dinin nga mbyllja, vetmia që kishte edhe shenja vetmimi. Të gjesh dashurinë si kuptim esencial jetësor është nivel i emancipimit dhe kjo s’ka të bëjë as me moshen, as gjinin, besimin fetar apo bindjet politike.
Natyrshmëria si arritshmëri e artit
Sipas ajeteve kuranore natyrshmëria është arritshmëri me kët thënie mund edhe të cilësohet shfaqja. Kjo ne rastin e Enver Petrovcit dhe Vlorë Nikçit shkon edhe më tutje shprehet me interpretim minaturial ku luan edhe gishti i vogël, drithërimat shqetësuese të trupit, brofja, shikimi i përqëndruar, lëvizjet e duarëve, ecja, rituali i faljes….për të mbërri tek skena më emblematike e shfaqjes, momenti kur Nita del, dera mbetet e hapur dhe fillon të mbyllet ngadal ndërsa Dini i Petrovcit e përcjell me shikim ndjesor të fuqishëm, duke e kalëruar në mënyrë ekspresive gjithë kalendarin e jetës ai me shikim domethënës i vendosur midis dilemës dhe deshirës që të dal apo jo nga vetmimi. Emocioni i kësaj skene pa tekst arrinë kulmin e gjendjes së personazhit që me aq finesa e luan Enver Petrovci e ku partnerja Vlora Nikçi e percjell denjësisht për të krijuar kështu një marrëdhënie të vështirë por tejet domethënëse për temën e shfaqjes krejt natyrshëm rrjedhimisht kësaj edhe besueshëm si interpretim dhe si rrëfim.
Ndoshta dalja e shpesht e Nites nga skena do të mund të evitohej dramturgjikisht duke e ngopur ate me informata ashtu që ajo të mos ketë nevojë me dal e me hy sepse peronazhi del dhe kur ktheht na sjellë informata të reja. Por me gjithatë duke respektuar kompleksitetin emocional të rrëfimit ndoshta është më mirë që ajo vjen e shkon!
Çaji, abdesi, namazi janë aktivitetet e vetmisë së Dinit. Kodit të jetës së tij sikur i mjaftonë devotshmëria si vetëmjaftueshmeri në raport me Zotin. Këtë kod sikur e vë në sprovë ardhja e Nitës sa lozonjare, sa e ashpër, sa e butë e ëmbël me sjelljet e saja krijon situata tragjikomike një përzierje e dëshirave me mundësinë në ndërtimin e marrëdhënies me Dinin ngase edhe ajo bartë në vete një dramë, se është sterile dhe për kët shkak është ndarë nga burri derisa Dinit i ka vdekur gruaja e dashur Sebi.
Midis tyre sado pengesë feja dhe kujtimet megjithatë ata arrijnë të ndërtojnë urën njerëzore e cila reflekton si një marrëdhënie përtej kufirit të moshës. Duke i shoshitur dilemat ata e gjejnë pikëtakimin tek dëshira për të jetuar.
Duke u përpjekur të shkëputen nga kthetrat e vetmisë si një fenomen i shoqërisë moderne, jetojmë afër njeri tjetrit e rrallë e hiq shihemi, ata tjekalojnë edhe raportet fetare, përkushtimin dhe devotshmërinë ndaj besimit si një ushqim për forcimin e moralit, dhe intononojnë bukurinë e jetës përmes dashurisë si kuptimi esencial i saj, njerëzorja.
Aroma e dashurisë si mesazh
Aroma e dashurisë e cila e përshkon dramën është sigurisht pjesa më e bukur e shfaqjes prej ku pastaj del ai tymi i bardhë i mesazhit se njeriu ka nevojë për njeriun.
Gjuha e personazheve është e natyrshme, ku edhe keqkuptimet gjuhësore shkaktojnë dashamirësi që është karakteristikë e ligjërimit të Enver Petrovicit si autor i shfaqjes.
Drama gërmon thellësi emocionale që kanë të bëjnë me familjen, tjetërsimin, tëhuajësimin, hendekun midis gjeneratave, botkuptimet fetare që barten në kode jete, kujdesi i munguar ndaj të moshuarëve, mërgimin.
Mbase përveç thjeshtësisë në shtruarje, e veçanta e kësaj tragjikomedie është mesazhi se njeriu duhet që dhuratën jetë ta gëzoj përditë duke marrë e dhënë dashuri si një përkushtim i vërtetë ndaj tjetrit pa të cilin ne nuk ekzistojmë.
Shfaqja „Muslimani“ e Enver Petrovcit me natyrshmërinë e saj e kthen teatrin në origjinën e tij tek thjeshtësia si arritshmëria kulminante e artit.
Skenografia, kostumet, zëri i Ismet Azemit, dritat, dekori, rekuizitat ishinë pjesë e ambientimit ku vepronin personazhet në interpretim natyralist ku veprimet foljore dhe ato fizike të Enver Petrovcit dhe Vlorë Nikçit ishin në harmoni të plotë me shtjellimin e temës dhe na bënë që t’ju besojmë duke i duarëtrokitur për emocionet që na i dhuruan, përmes lotëve dhe qeshjes./ KultPlus.com