1 Maj, 2021 - 12:28 am
KultPlus ju sjell të plotë fjalimin e Albin Kurtit në Parlamentin Evropian
Fjalimi im para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian
Good evening. Bonsoir. Guten Abend. (Mirëmbrëma)
I nderuar Kryesues, të nderuar anëtarë, të nderuar miq, është nder të jem këtu me ju sot.
Së pari, më lejoni të ju falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme që i keni dhënë vendit tonë dhe gjithashtu për rezolutën tuaj të fundit, e cila mirëpret dhe riafirmon perspektivën e zgjerimit për Kosovën dhe liberalizimin e vizave.
Fluturimi nga Prishtina për në Bruksel zgjat diku më pak se 3 orë, mirëpo për të ardhur këtu ne duhet t’i tejkalojmë disa barriera të mëdha të shkaktuara nga kufizimi i vizave, keqperceptimi, dhe paragjykimet.
E di që nuk jam udhëheqësi i pari që po flas në këtë institucion të nderuar, edhe udhëheqës të tjerë nga Kosova kanë folur para meje, në rrethana dhe kohë të ndryshme. Sot po ju flas si Kryeministër i një shteti sovran e të pavarur, i vogël por i rëndësishëm, i varfër por plot shpresë, i ri por i lashtë në të njëjtën kohë, i cili disa herë ka mbrojtur vlerat tona të përbashkëta evropiane.
Si popull kemi vuajtur pushtime nga perandori dhe regjime të ndryshme, të cilat deshën të na asimilojnë gjuhën dhe kulturën tonë, t’i marrin tokat tona dhe ta shuajnë ekzistencën tonë, fushatë e cila preku kulmin në vitin 1999 nga gjenocidi dhe dëbini i afër 1 milion njerëzve nga Kosova më 1999.
Pas Luftës së Dytë Botërore, bota u bë së bashku për të mos lejuar që mizori dhe tmerre të tilla të përsëriten në Evropë, megjithatë ato ndodhën në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.
71 vjet më parë, gjersa Evropa po pastronte rrënojat e mbetura nga lufta, kohë kur vuajtjet ishin ende të mëdha, urrejtja dhe mosbesimi mbizotëronin dhe drejtësia nuk kishte ardhur në vend, lindi ideja e bashkëpunimit përmes institucioneve të përbashkëta.
Baballarët themelues të Bashkimit Evropian kishin përjetuar shkatërrimin e fuqishëm të luftës, dhe ishin dëshmitarë të anës së errët të arsyes njerëzore. Aty ku të tjerët panë luftë të pashmangshme, ata panë mundësinë për paqe dhe bashkëpunim, dhe kur të tjerët panë konkurrencë, me ç’rast fitorja e njërit është humbja e tjetrit, ata panë mundësinë që të gjithë të fitonin.
Historia është një seri e gjatë mësimesh të vështira. Por mbase pjesa më e rëndësishme për të mësuar është se paqja kërkon edhe drejtësi, por edhe përgjegjësi. Ne e dimë se pa gjyqet e Nurembergut dhe gjunjëzimin e Willy Brandt, pajtimi nuk do të ndodhte kurrë.
Bashkimi Evropian u ndërtua përmes betejës kundër fashizmit, dhe paqja evropiane ka në themel antifashizmin.
Pra, asnjëherë nuk duhet ta marrim si të mirëqenë as BE-në dhe as paqen, dhe duhet të kujtojmë se paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit të dhunshëm, por prania aktive e drejtësisë së vërtetë. Një paqe e drejtë me një shtet të mirëqenies që funksionon për të gjithë pa marrë parasysh kombësinë, fenë dhe gjininë.
Kjo gjë më sjell te Kosova dhe te dialogu i shumëpërfolur me Serbinë.
Kosova e pranon dialogun me Serbinë, dëshiron t’i zgjidhë të gjitha çështjet e pazgjidhura, dëshiron marrëdhënie paqësore dhe bashkëpunim paqësor, në mënyrë që të dy vendet tona dhe popujt tanë të mund të punojnë dhe jetojnë në harmoni, krah për krah dhe së bashku.
Pikërisht për këtë arsye, 13 vjet më parë, pas një procesi negociatash në Vjenë, i udhëhequr nga një i dërguar special i Kombeve të Bashkuara, me pëlqimin e demokracive botërore, Kosova u shpall shtet sovran dhe i pavarur. Pavarësia ishte kompromis i bazuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse e cila shpalli Kosovën, një popull i përbërë nga 95% shqiptarë, si shoqëri multietnike; krijoi komuna me shumicë të komunitetit serb, dhe zona të veçanta të mbrojtura brenda territorit për vendet fetare, dhe shumë të drejta të tjera të zgjeruara dhe të veçanta, sidomos për komunitetin serb.
Sot, në parlamentin tonë, serbët dhe pakicat e tjera nuk i kanë vetëm vendet e rezervuara, por një shumicë të dyfishtë mbi shumë ligje dhe Kushtetutë. Të drejta të cilat as që mund të krahasohen nga afër me shtete të tjera evropiane.
Këto nuk janë vetëm opinione për t’u debatuar, por fakte për t’u përballur.
Ata që më kanë përcjellë mua dhe Lëvizjen të cilës i përkas, e dinë që si aktivist që nga fillimi kam kundërshtuar të drejtat e veçanta dhe zonat e veçanta, dhe kam avokuar për pavarësi dhe vetëvendosje si një e drejtë që na takon neve si popull.
Tani si Kryeministër, i cili ka fituar mbi 50% të votave në vend, detyra ime e parë është të mbroj sovranitetin, pavarësinë dhe kushtetutën tonë. Pra, ne jemi për dialog, por dialog që është i përgatitur mirë dhe me parime, i drejtë dhe i barabartë. Prandaj, më lejoni t’i përmend këto parime:
E para është pranimi i realitetit. Kjo do të thotë që ne nuk mund të kthehemi në kohën para pavarësisë. Pavarësia e Kosovës, bazuar në pakon e Ahtisaarit ishte një kompromis. Hapja e kësaj pakoje nënkupton hapjen e një liste dëshirash e shtysash, gjë që do na çonte në ngjarje të paparashikueshme dhe pasoja të padëshiruara.
E dyta është pranimi i së vërtetës. Serbia duhet të pranojë krimet dhe keqbërjet e saj në të kaluarën në Kosovë. Për të ndaluar gjenocidin, NATO-s iu desht të bombardonte Beogradin në Serbi sepse ishte Beogradi me regjimin e Millosheviqit ai që bëri gjenocid në Kosovë. Ishte aparatura shtetërore me zyrtarët qeveritarë dhe një zinxhir komandues i njohur për të gjithë. Megjithatë, pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe pas regjimit të Millosheviqit, qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe krimet e luftës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës, Serbia po identifikohet më afër me to.
E treta është barazia e përfaqësuesve. Në çdo tryezë ne ulemi si të barabartë për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe jo për të krijuar probleme të reja. Kosova nuk është një çështje në dialog, por një palë e dialogut, dhe kjo duhet të kuptohet mirë para çdo raundi të ri të bisedimeve me Serbinë.
E katërta, qytetarët duhet të jenë përfituesit fundor. Dialogu nuk mund të bëhet për ruajtjen e reputacionit ose karrierës së politikanëve në detyrë, por me përmirësimin e jetës së qytetarëve në terren. Kjo do të thotë që ne ofrojmë zgjidhje reale për problemet reale, siç është fati i personave të zhdukur, prej të cilëve një e treta nuk janë shqiptarë, të tilla si sigurimi i ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike të pandërprerë, ndërtimi i rrugëve dhe urave, dhe afrimi i komuniteteve rreth një qëllimi të përbashkët. Ky është lloji i dialogut që ne duam të ndjekim dhe që është në përputhje me parimet e BE-së mbi përfshirjen, bashkekzistencën, solidaritetin dhe drejtësinë.
Ne duhet të adresojmë borxhet, trashëgiminë dhe reparacionet e luftës;
– Përafërsisht 3 miliard euro në dëmin pasuror dhe jopasuror të pensioneve të papaguara.
– Mbi 400 milionë euro në dëmin pasuror dhe dëmin jopasuror të keqpërdorimit të rrjetit të energjisë elektrike.
– Pasuritë e Kosovës në Serbi dhe të ish-republikave të tjera të RSFJ-së, statusi i të cilave nuk është adresuar ende.
– Reparacionet e luftës të cilat duhet të përfshijnë garancitë e mos-përsëritjes, dëmshpërblimit dhe kompensimit.
Këto janë gjëra për të cilat duhet të flasim dhe t’i zgjidhim, dhe për të cilat qeveria ime është plotësisht e përkushtuar.
Evropa i ka dhënë botës aq shumë, por gjithashtu ka nxjerrë shumë mësime, përmes luftës dhe iluminizmit, shtypjes dhe revolucionit, dhe ka gjetur paqe vetëm përmes pranimit të realitetit dhe të vërtetës.
Kjo është ajo që ne kërkojmë. Një pasqyrë që ne të shohim veten dhe të njohim veten sepse historia nuk mund të injorohet sepse mund të përsëritet.
Çdo pranverë, Kosova mban zi dhe kujton masakrat nga regjimi serb në 1998 dhe 1999, në çdo cep të vendit.
Deri më sot, ne ende kemi 1632 persona të zhdukur dhe 22 vjet pas luftës, familjet e tyre ende nuk mund të vendosin lule në varret e tyre dhe të pikëllohen në mënyrën tradicionale. Plagët e tyre janë plagët tona, vuajtjet e tyre janë vuajtjet tona. Kjo është arsyeja pse çështja e parë që duhet të zgjidhim është fati i personave të zhdukur. Nëse nuk mund të bëjmë përparim në këtë fushë, atëherë është vështirë të bëjmë ndonjë përparim në ndonjë fushë tjetër.
Pra, nuk duhet ta injorojmë historinë, sepse injorimi i saj do të nënkuptojë injorimin e mësimeve që janë shkruar në varrezat e këtij kontinenti.
Bashkimi Evropian është projekti më i suksesshëm në botë për paqe, prosperitet dhe mirëqenie. Por përparimi dhe prosperiteti juaj duhet të ndahen.
Unë e falënderoj këtë institucion që mbështetë Kosovën në kohën e saj më të vështirë dhe që kërkon në mënyrë pro-aktive për ta çuar përpara Kosovën në rrugën e saj të BE-së, por ne duhet të bëjmë më shumë.
Shtetet kombe të BE në Këshill nuk duhet të bllokojnë vullnetin demokratik në parlament. Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave dhe të marrë një rrugë të qartë drejt integrimit në BE pa veto dhe pa bllokime.
Ne nuk duhet të kërkojmë të kopjojmë një BE në Ballkan përmes disa iniciativave të cilat vetëm mund të vonojnë anëtarësimin tonë, por ne duhet të rrisim bashkëpunimin tonë rajonal në mënyrë që ai ta bëjë procesin e anëtarësimit më të lehtë dhe më të shpejtë.
Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga vendet e BE-së dhe ne duhet të trajtohemi si anëtarë të ardhshëm, jo si fqinjë. Sa më shpejt që të ecim drejt BE-së, aq më e sigurt do të bëhet Evropa dhe e lirë nga ndërhyrjet e huaja që kërkojnë destabilizim.
Si përfundim, unë besoj se është në interes të BE-së dhe Evropës që të dalin me një Mini-Marshall, plan i cili do të shpejtonte reformat dhe anëtarësimin e plotë. Plani Marshall i ShBA-së shpëtoi dhe ndërtoi Evropën dhe krijoi mrekulli ekonomike, tani është koha që BE-ja të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor.
Ju faleminderit./ KultPlus.com