12 Shtator, 2020 - 3:30 pm
Nga Shkumbin Miftari
(Ky shkrim i imi nuk ka për qëllim të atakoj persona ose individ të caktuar të cilët mundë të jenë prekur nga ky shkrim i imi)
Unë Shkumbin Miftari, lindur në Gjilan – Kosovë, kam të mbaruar Bachelorin dhe Masterin Profesional të Muzikës, drejtimi: Instrumental – Fizarmonikë Klasike, pranë Universitetit të Arteve në Tiranë (UART). Pasi që unë tashmë kam të mbaruar shkollimin profesional për Fizarmonikë Klasike, si njëri ndër të parët të diplomuar në këtë instrument në Republikën e Kosovës, normalisht që dëshira ime është që të jap kontributin tim në shkollën e muzikës në instrumentin për të cilin jam i kualifikuar.
Dega e instrumentit të Fizarmonikës në Shkollën e Muzikës në Gjilan është e hapur prej themelimit të shkollës në vitet ’80-ta, dhe ka nxënës të cilët gjatë gjithë këtyre viteve, e deri sot kanë ndjekur mësimin në këtë shkollë, ku njëri nga ta jam edhe unë që kam mbaruar shkollën fillore të muzikës në instrumentin e fizarmonikës.
Pasioni dhe dëshira për këtë instrument më shtynë që më pastaj të vazhdoj shkollën e mesme të muzikës e më vonë pas një angazhimi e mundi shumë të madh, mu realizua dëshira që të regjistrohem në Universitetin e Arteve në Tiranë – në instrumentin e Fizarmonikës. Pas një periudhe tre vjecare me plot peripeci përfundova me sukses maksimal studimet bachelor, e më pastaj edhe studimet Master Profesional në po të njejtin Universitet, dhe sot jam – Master i Fizarmonikës.
Pas përfundimit të studimeve vendosa që të kthehem në vendlindje dhe të jap kontributin tim në qytetin e lindjes, duke besuar dhe shpresuar në përkrahjen dhe interesin e shkollës së muzikë që unë të jem një nga kuadrot e kësaj shkolle, dhe të ndaj përvojat e mia të fituara gjatë viteve të studimeve. Por, si duket sukseset e mia, po i pengojnë dikuj! Që nga viti 2017, bëj përpjekje që të marr atë që e meritoj, pra një vend pune, mirëpo përpjekjet e mia disavjecare po hasin në vesh të shurdhër.
Shkolla e Muzikës në Gjilan nuk ka profesor të kualifikuar për këtë instrument. Unë qysh në vitin 2017 kam njoftuar Drejtorin e Shkollës së muzikës dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit se i plotësoj të gjitha kriteret për të ligjëruar në këtë instrument, por akoma sot në vitin 2020 unë nuk kam marrë një përgjigje zyrtare!
Gjatë kohës së studimeve në kontakte me drejtorin aktual, premtimet ishin se shkolla ka nevojë për një profesor të kualifikuar. Përfundova studimet por e njejta histori vazhdon, por me arsyetim tjeter: “Nuk ka mjaftueshëm nxënës që konkurojnë për instrumentin e fizarmonikës” – ose më tregonte për prioritetet e shkollës – për hapjen e disa degëve të reja – gjë e cila nuk kishte aspak interes nga ana ime pasiqë dega e Fizarmonikës është e hapur.
Si ka mundësi që nuk hapet konkurs për mësimdhënës në instrumentin e fizarmonikës që nga viti 2017, kur atë instrument e ligjëron dikush që është i pa kualifikuar (pa diplomë) për atë instrument?!
Pas disa takimeve me drejtorin e Shkollës së Muzikës, vendosa që të paraqes problemin në instanca më të larta, në DKA (Drejtoria Komunale e Arsimit). Por kot, edhe aty kërkesat e mia nuk mirreshin parasysh. Drejtori i DKA, kërkonte që drejtori i Shkollës së Muzikës, të dërgonte kërkesën me shkrim në DKA për hapjen e konkursit në këtë instrument, ndërsa Drejtori i Shkollës së Muzikës, thoshte ”kërkesat që unë po ua dërgoj nuk po i merr parasysh DKA”.
Gjithashtu as njëra dhe as tjetra nuk më kanë kthyer ndonjë përgjigje zyrtare edhe përkundër shumë kërkesave që kam bërë, të paktën të marr një përgjigje ose një dëshmi nga DKA, se ka pasur ndonjë kërkesë nga ana e shkollës së muzikës apo jo. Topi hudhej nga njëra anë te tjetra që plot 3 vite. Ankesat e mia vazhdojnë edhe në instanca më të larta, dhe njëkohësishtë i zhgënjyer nga të gjitha këto institucione: Komuna e Gjilanit, Inspektoriati i Arsimit në Gjilan; në Inspektoriatin e Punës, tek Inspektoriati pranë Ministrisë së Arsimit, por gjitha këto ishin orvatje të kota pa marrë asnjëherë përgjigjje zyrtare nga asnjë institucion ose njeri kompetent për këto çështje.
Si arsye e Shkollës së Muzikës së fundmi kemi marrë një reagim ku thuhet se nuk ka nxënës të mjaftueshëm që unë të jem aktiv. Gjithsesi kjo nuk qëndron fare si arsye aty po vazhdon të bëhet një shkelje ligjore, por unë posedoj dëshmi të cilat tregojnë se në vitin shkollor 2019-2020 ka nxënës të cilët kanë aplikuar në Fizarmonikë. Por, gjatë shpalljes së rezultateve nxënësit të cilët kanë aplikuar në Fizarmonikë figurojnë se nuk janë pranuar, por në listën e kandidatëve të Pianos, kjo do të thotë se janë pranuar nxënës aq sa ju duhen për të plotësuar normat e tyre, në vazhdim do të bëj publike të gjitha faktet me foto dhe video.
Unë personalisht deri sot kam heshtur me padrejtësitë që më janë bërë. Por nga sot do të vazhdoj të bëj publike në të gjitha rrjetet sociale dhe në të gjitha mediat çdo dëshmi dhe nuk do të ndalem deri sa të jem aty ku e kam vendin.
Shpresoj që ky shkrim i imi të arrijë të sensibilizoj sado pak personat përgjegjës të cilët merren me trajtimin e këtyre qështjeve.
Dhe njëkohësisht do të vazhdojë tani e tutje me organet e drejtësisë deri sa ky problem i imi të shqyrtohet dhe të vendoset konform ligjit dhe rregullave në fuqi! / KultPlus.com