30 Mars, 2025 - 11:00 am
Theksime nga fjala në Akademinë përkujtimore në Gjakovë me rastin e 100 vjetorit të vrasjes së Bajram Currit.
Shkruan: Jusuf Buxhovi
Pavarësia e Shqipërisë, akterëve të saj kryesor, u fali lavdi të përhershme, por një pjese të tyre edhe tragjedi.
Pse ndodhi kjo, që shumë prej atyre që udhëhoqën kryenengritjet e pranverës dhe verës së vitit 1912 në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 28 11 1912 dhe në vitet në vijim, gjatë dhe pas konsolidimit të shtetit shqiptar, midis dy luftërave botërore, shumë prej tyre si: Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina e të tjerë, u vranë mes veti ose në atentate të përgatitura kundër njëri-tjetrit?
Shkurtimisht arsyet duhet kërkuar:
-Së pari – te vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që në gusht të vitit 1913 njohi pavarësinë e Shqipërisë të përgjysmuar, me ç’rast qendra e saj politike: Kosova dhe pjesë të tjera të Maqedonisë dhe të vilajetit të Janinës, iu njohën Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Me çka u rrënua projekti i shtetit etnik shqiptar;
-Së dyti – te logjia e shtetit, së cilës shteti shqiptar, iu nënshtrohet pas Konferencës së Paqes së Parisit dhe pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, që atë e detyronte të ratifikonte konventat shtetërore me Greqinë dhe Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene në vitin 1925. Me këto konventa, ku përcaktoheshin edhe kufinjt shtetëror, asokohe, Shqipëria nën kryeministrin Ahmet Zogu, pos tjerash, ishte e detyruar që të luftonte lëvizjen iredentiste përbrenda Shqipërisë që drejtohej nga liderët e Kosovës të përfshirë në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës të themeluar në Shkodër në qershor 1918, e ku vepronin personalitete të njohura të merituar për pavarësinë e Shqipërisë siç ishin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Bedri Pejani e të tjerë. Po ashtu, sipas këtyre konventave ndërshtetërore, shteti shqiptar ishte i detyruar që mos të përkrahte kurrëfarë lëvizje iredentiste jashtë kufinjve shtetëror (Kosovë dhe Maqedoni).
Këto qëndrime, patën pasoja të rënda dhe tragjike për forcat iredentiste brenda shtetit shqiptar në Veri (Krumë, Tropojë dhe Malësi të Gjakovës), siç patën pasoja edhe për lëvizjen kaçake në Kosovë, të udhëhequr nga Azem Bejta e të tjerë, që brenda një kohe të shkurtër u shua dhunshëm nga Beogradi.
Në këto rrethana, gjithnjë në përputhje me logjikën e shtetit, lëvizja iredentiste në Shqipëri, e përfshirë në Shqipëri në ngjarjet e vitit qershor-dhjetor 1924, që quhen revolucion demokratik dhe në tjetrën anë puç ndaj shtetit shqiptar, e që historiografia shqiptare ende nuk ua ka përcaktuar vendin sa nga shkaku i diktatetit ideologjik e sa nga konfuzioni për t’u liruar prej tij në përputhje me të vërtetën, u desh të sakrifikohet për hire të shtetit shqiptar. Bashkëluftëtarët e deridjeshëm, që morën pjesë në luftërat për pavarësinë e Shqipërisë dhe në shumë sosh për konsolidimin e saj midis viteve 1914-1924, ndër ta më të dalluarit: Ahmet Zogu dhe Bajram Curri, u gjenden në taborë të kundërta. Konferenca e Londrës dhe ajo e Paqes e Parisit, në përputhje me interesat e Fuqive të Mëdha, ua përcaktoi këtë fat tragjik.
Vrasja apo vetëvrasja e Bajram Currit (krejt një), ajo e Hasan Prishtinës dhe të tjerëve, pa ua hequr meritat e mëdha për pavarësinë e Shqipërisë, duhet parë në këtë prizëm.
Sot, pas 100 vjetësh, kur përkujtojmë vrasjen e Bajram Currit, si dhe ngjarjet që i paraprinë asaj, gjithësesi duhet të kihen parasysh faktorët e mësipërm, që akter e pavarësisë së Shqipërisë dhe të zhvillimeve të saj në rrugën e konsolidimit të saj si shtet, nga lavdia e devotshme dhe oreoli historik i saj, i ktheu në figura tragjike, në kundërshtarë politikë, që ia kthyen pushkën njëri-tjetrit./ KultPlus.com