9 Janar, 2019 - 10:00 am
Nga Elma Doresi
E di atë ndjenjë, e njoh. Quhet pesimizëm dhe lodhje. Lodhje nga realiteti. Dhe ti e di mik se nga ai realitet jam lodhur shpesh dhe unë, por siç më ke ngritur, tani është rradha ime ta bëj. Dhe unë jam lodhur shpesh, jam mërzitur, jam acaruar dhe po mundohem shumë të mos e them dhe unë: Kam hequr dorë nga Teatri.
E di pse? Si ka thënë një mik i yni kritik e mban mënd? “E para mund të jetë rastësi, le të themi dhe e dyta, por tek e treta nuk ka më të bëjë as rastësia e asgjë përveç talentit”. Gjë që ti e ke mik, e di unë që kam qënë në krahun tënd dhe publiku përballë teje.
Pastaj ne nuk jemi nga ata që dorëzohen lehtë, kujtohu! Kujtohu se e sa barriera mik na dolën gjatë rrugës dhe kujtohu se si ja dolëm. Kujtohu për magjinë e Teatrit dhe se sot jemi aty ku jemi prej tij. Ndoshta jo me aq para sa mund të na falte një biznes, apo famë, por jemi të fortë, jemi ndryshe.
Në sajë të Teatrit i kemi mik. Ndoshta je zhgënjyer dhe zhgënjimi të çoj tek fjalia: hoqa dorë nga Teatri. Dhe unë si ty jam zhgënjyer, ti e di. Zhgënjehemi nga ato që u dhamë dorën, nga ata që pretendonim se ishin miqtë tanë dhe jo armiqtë.
Zhgënjehemi nga armiqtë që u veshën si miq. Po zhgënjimi është pjesë e jetës dhe ti e di. Mos më thuaj se nuk ke dëgjuar prindërit e tu të të thonë se “U zhgënjyem nga X/ Y u tregua mosmirënjohës/etj “.E megjithatë prindërit tanë nuk hoqën dorë duke ndihmuar njerëzit apo jo?!.
Pastaj nëse ti heq dorë më fal, po kush do rrijë aty?Ai që nuk di të lexojë? Ajo që nuk di tekst? Ai që nuk di ç’është marrëdhënia?Apo atyre që unë dhe ti u lodhëm shumë t’i mësonim se ç’është karakteri e se si duhet punuar me tekstin por që për dreq nuk e mësuan kurrë.
Nuk do të të le si ti nuk më le mua para 10 vitesh. Isha në lokal, sapo kisha mbaruar shkollën dhe ti erdhe. “Eja bëjmë një shfaqje. Ne na ke falas.”
Se si më dukej kjo fjali. Isha në kulmin tim të pesimizmit dhe e bindur se unë nuk do të bëhesha kurrë regjisore. Ju më bëtë! Me dëshirën, pasionin dhe të mos dorëzuarin. Po kur më erdhi projekti privat, të kujtohet? “Eja tani lëre lodhjen se do ta bëjmë, çohu. Njerëzit shklyhen për projekt privat ndërsa ti e ke gati dhe thua nuk mundem, çohu”. Dhe e realizuam! Dhe unë jam e lodhur mik, e mërzitur, e zhgënjyer, por nuk heq dorë nga Teatri, sepse e di që i duhem Teatrit dhe Teatri më duhet mua, si dhe ty. P.s. : Do të shihemi sërish në skenë, premtim ky!