30 Tetor, 2018 - 11:00 pm
“Si ia del mbanë?”
Nuk i kam numëruar, por e imagjinoj se këtë pyetje ma kanë bërë diku me qindra herë nënat me një apo dy fëmijë. Unë kam pesë fëmijë, dhe duke gjykuar nga shikimet dhe fytyrat e lodhura që ma bëjnë këtë pyetje, ky numër duket thjesht i pamundur.
“Si ia del mbanë?”
Kjo pyetje besoj ka domethënie të ndryshme për secilën nënë që ma parashtron.
Si arrin të kujdesesh për pesë njerëz të vegjël?
Si arrin të funksionosh me pak gjumë?
Si arrin t’i ruash të mos lëndohen?
Si arrin të gjesh kohë t’i lash rrobat?
Si arrin t’ua plotësosh nevojat materiale?
Si arrin të mos i humbasësh mendtë?
Nëna të një ose dy fëmijëve, unë i kuptoj të gjitha këto pyetje. Dhe e di përvojën tuaj.
Ka disa gjëra që dua t’i dini për mua. Për fëmijët. Për këtë rrugëtim të mëmësisë që e kemi nisur të gjitha.
Nëse askush nuk jua ka thënë ndonjëherë..
1. Ndihesh sikur ke arritur limitin – emocionalisht dhe fizikisht – me aq numër fëmijësh që ke. Kur e kisha vetëm fëmijën tim të parë, qaja në skaj të krevatit si një fëmijë që i ka rënë në tokë akullorja e sapo blerë sepse mendoja se jeta ime kishte marrë fund. Nuk mundja më tepër! Ky fëmijë, që kishte qenë ëndrra ime, kishte dëshirë të zgjohej në mes të natës dhe të ushqehej prej meje. A gjithçka që doja unë ishte të bëja një sy gjumë. Pastaj do të flinte gjithë mëngjesin, përderisa unë laja enët e rrobat, dhe nuk kisha shanse të flija pasdite, kur i kisha kryer të gjitha punët.
Herën e parë që shkova në super market me të, kisha marrë aq shumë gjëra me vete (edhe jastëk i kisha marrë,
njerëz!!!), sa që pasi e ula në karrocën e marketit, bashk me gjërat që kishim, nuk na mbeti vend për ato që do të blenim.
Isha krejtësisht e rraskapitur. Dhe pastaj ai u rrit, u bë një bebe e lëvizshme. Dhe unë mendova se ishte ide e mirë të ngelja prap shtatzënë, kështu që përderisa ai shkatërronte dollapet, gjakosej duke luajtur me vetura, përderisa i hante ulëset, zvarritej shkallëve buzë vdekjes, dhe i lëpinte prizat, unë ndërkohë do të isha duke vjellur. Dhe ai vazhdonte të mos flinte.
Pastaj, 18 muaj pasi ai kishte lindur, erdhi vëllai i tij. Dhe unë nuk e kisha idenë se si dikush mund të kujdesej për dy fëmijë. Kush janë këta lunatikë që kanë një grumbull fëmijë? Si mundem t’i jap gji një të posalinduri dhe ta ruaj fëmijën tjetër të mos e mbysë veten.
E kisha arritur limitin. Kjo ka qenë nga kohërat më të vështira në jetën time – të kujdesesha për një fëmijë, e pastaj 18 muaj më vonë, për dy.
Nëna të një ose dy fëmijëve, ju jeni duke bërë punë të vështirë. Është dërrmuese dhe tërësisht rraskapitëse, dhe t’ia dalësh mbanë kësaj punë është prej gjërave më kërkuese fizikisht, mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht. E di se e keni arritur limitin – çdo ditë. Dhe jua them këtë jo si dikush që jua rreh shpatullën dhe ju shikon me keqardhje, por si dikush që e di se sa shumë jeni duke punuar dhe sa e vështirë kjo është për ju. Por, ka shpresë. Shkon duke u bërë më lehtë. Jo pse një ditë ju ndizet një poç elektrik, dhe e kuptoni më mirë..
Por sepse..
2. Do ta gjesh rrugën. Rrugën tënde. Jo rrugën e nënës tënde. Jo atë të gjyshes tënde. Jo atë të tezes Lume që të bën presion.
Rrugën tënde.
Ajo që ka funksionuar për nënën tënde dhe tezen Lume, thjesht mund të mos funksionojë për ty. Unë kënaqem duke i dëgjuar përvojat e grave më të moshuara, por i shoshis këshillat, përvojat dhe zgjedhjet e tyre për të gjetur se çka më ndihmon vërtet e çka jo. Jo vetëm që secili fëmijë është i ndryshëm, por edhe nënat janë të ndryshme. Ne nuk jemi të njejta – dikush është më e ngadalshme, dikush më e shpejtë, dikush funksionon me orar e dikush me tahmin, (unë jam kjo e dyta). Me kohë, do t’i njohësh më mirë fëmijët e tu dhe do të krijosh sistem në jetën shtëpiake, dhe do ta gjesh veten. Do ta bësh. Dhe për ta bërë këtë, është shumë e rëndësishme që të mos brengosesh për pritjet e të tjerëve. Bëje atë që të funksionon ty. Tjerat, në mënyrë të sjellshme, injoroi.
Kjo vlen edhe për miqësitë. A e di kush janë shoqet e mia më të mira? Ato në të cilat mbështetem, u besoj, qaj në shpatullat e tyre dhe i ndaj përvojat e mia? Ato janë shoqet e mia të cilat insistojnë, bashk me mua, se nuk ekziston veç një mënyrë për ta bërë një gjë. Unë e kam shumë të vështirë të nis e të ruaj miqësi me njerëz që e kanë gjetur mënyrën e vetme se si bëhet diçka.
“Aaau, i ke dhënë gjalp kikirku në 10 muajsh?”
“Nuk e paske një ditë të caktuar kur i lanë rrobat?”
“Fëmija 3 vjeçar nuk guxon të jetë akoma me pelenë.”
Jo, nuk mund të jemi shoqe. Jo shoqe të afërta. Jo shoqe për t’i qarë hallet.
Përderisa e gjen rrugën tënde, përderisa e gjen ritmin tënd, e bashk me ty vallëzojnë edhe fëmijët e tu, unë kam lajme shumë, shumë të mira..
3. Bëhet më lehtë. Nëse i mbështetesh Zotit.
Unë tani kam pesë fëmijë, dhe ndihem se e kam arritur limitin, ashtu si jam ndjerë kur e kisha një fëmijë edhe dy, edhe tre, edhe katër. Por, amësia është më e lehtë për mua tani sesa më parë. Për një arsye: unë kam më shumë nevojë për Zotin.
Kam nevojë për të në mëngjes, pasdite dhe natën. Kam nevojë Ai të m’i fshijë lotët kur fonshja ime nuk e natën. Kam nevojë Ai të ma qetësojë zemrën kur ia ndërroj çarçafet në ora 2 të natës. Kam nevojë Ai t’i mbrojë fëmijët e mi, sepse unë i kam veç dy duar dhe një palë dy, sepse të rrisësh fëmijë do të thotë të kujdesesh, por edhe në vend të “unë mundem”, të thuash “Zot, ti je me mua.”
Kam nevojë Ai të më ndihmojë të mbështetem tek Ai. Kam nevojë për durimin e tij. Kam nevojë për gëzimin e tij. Kam nevojë për dashurinë e tij.
Zoti më ka mësuar se Ai i do fëmijët e mi më shumë se unë, dhe më ka mbushur me fuqi, urtësi dhe dashuri për fëmijët e mi.
Pra, nëna të një ose dy fëmijëve, kur të pyetni “Si ia del mbanë?”, e di çfarë pyesni. Dhe e di se çfarë ndjeni dhe çfarë ka prapa syve tuaj, dhe kam ecur me këpucët tuaja, dhe jeni duke bërë punë të vështirë, punën e vështirë të amësisë.
Nuk është më e lehtë pse e keni veç një ose dy fëmijë. Por, ashtu siç e gjen rrugën tënde me kalimin e kohës, dhe gjen fuqi te Zoti, bëhet më lehtë.
Dhe bëhet shumë, shumë mirë.
Autore: Sarah Short
Përshtatja: Supergratë©