Joe Biden: Letër vetes

30 Korrik, 2019 - 5:00 pm

I dashtun Joe,

Ti je veç dymbëdhjetë vjeç. Belbëzimi yt asht ligështues. Ai të turpëron e zullumqarët janë t’egër. Por ndëgjoje nanën kur thotë: “Trimëria jeton në çdo zemër – e jotja asht e zjarrtë dhe e pastër.” Ndëgjoje babën kur thotë: “Joey, kur të rrëzohesh, çohu, çohu.” E nëse ndëgjon ki me e zotnu trimërinë me kapërcy belbëzimin e me ju kundërvu zullumqarëve. Ki me mësu prej babës, që e zhvendosi familjen për t’kërku punë, se puna asht shumë ma shumë se rroga, asht dinjitet; asht respekt. Për këtë arsye ki me e ndëgju zanin e zemrës e me i shërby komunitetit, shtetit e vendit.

S’ki me kanë tolerant ndaj shpërdorimin të pushtetit e kjo ka me t’ba me e ngrit zanin për të drejtat civile. Ti ke ndëgju, prandaj ki me e jetu nji jetë plotësisht në përputhje me mësimet e nanës, babës dhe besimit tand. Ki me e thanë ata që e mendon dhe me mendu at që e thu. Udhëheqja me fuqinë e modelit ka me të definu, e nji ditë, ki me e gjet veten tu ndërtu marrëdhanie me Papën Jesuit që mishëron këtë të vërtetë universale. Por herët ki me mësu në jetë – edhe më vonë – që realiteti gjen mënyra me ndërhy. Nji ditë je në krye të botës, veç për me u rrëzu me shpejtësinë e dritës nga nji humbje marramendëse e fatkeqësi që lenë gropë të madhe e të zezë në zemër, që ta lëkund besimin në shpirt e të lenë me nji mllef që shkon përtej tërbimit. Ky asht momenti kur duhesh me gërmu thellë thellë e me jetu me mësimin e nanës –se nga çdo gja e tmerrshme që të ndodh, diçka e mirë ka me dal, nëse kërkon mjaftushëm. Ka me të majt gjallë besimi dhe guximi.

Ki me u beku më dashuri që ka me të dhanë temel të thellë sa edhe vet besimi. Lidhjen tande të fortë me fëmijët e nipat ki me pasë shëlbesë. Falë familjes së rranjosun në dashuri e besnikëri të pakusht, falë dhembshurisë së miqve dhe të huajve – ki me u çu n’kambë, edhe ki me vazhdu e me kontribu tutje. Ki me kuptu që ka pafund njerëz që kanë vujt në mënyrë të barabartë ose ma shumë, por që kanë pasë ma pak mbështetje dhe shumë ma pak arsye me u çu n’kambë. Por ata e bajnë, ata çohen. Ata vazhdojnë tutje. Njajtë duhesh edhe ti me vazhdu.

Ki me mësu çka do me thanë me kanë amerikan. Nuk ka “dorëzim” në Amerikë. Me kanë aty për familjen dhe miqtë; me i shërby vendit tand; me ndërtu marrëdhanie të sinqerta edhe me njerëz me të cilët nuk pajtohesh në plotëni – kjo asht Amerika. E gatitun me njerëz të thjeshtë, si ti, por të aftë për të ba gjana të jashtëzakonshme. Dhe nji ditë kur te mbarojsh shkollën e drejtësisë ki me vendos me u ba mbrojtës i të drejtave të popullit.

Në mes të nji lufte epike për të drejtat civile, ki me ecë rrugëve të anës lindore të Wilmingtonit, pjesa ma e madhe e të cilit asht djegë deri n’tokë, pasi që heronjtë e tu të vrahen. Katërdhjetë vjet ma vonë, ki me ndejt mbi nji platformë treni të Wilmingtonit me pamje nga ana lindore. Wilmingtoni dhe kombi nuk kanë me kanë ma në flakë por në pritje të nji gurgullime të re shprese. Ki me e prit një djalë me ngjyrë, të frymëzum prej andrrës së nji Mbreti, që vjen prej Filadelfisë me t’marrë në nji udhëtim 200 kilometërsh për në Washington ku ai ka me u betu si kryetar e ti si nënkryetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bashkë, ju keni me vërtetu që ndryshimi asht i vështirë, por i nevojshëm; përparimi nuk asht kurrë i lehtë por gjithmonë i mundshëm; dhe gjanat bahen ma të mira gjatë rrugëtimit tuej drejt një bashkimi ma të përsosun. Kjo asht historia e rrugëtimit të Amerikës. Dhe besove apo jo, ngaqë e ke ndëgju nanën dhe babën, ti ki me ndihmu në krijimin e kësaj historie.

Vazhdo me besu, Joey

Joe Biden ishte senator i Shteteve të Bashkuara për tridhjetë e gjashtë vjet para se të bëhej nënkryetari i 47-të i Shteteve të Bashkuara, pranë Presidentit Barack Obama.

Marrë prej librit 
Note to Self: Inspiring Words From Inspiring People
By Gayle King

Përktheu: Vlora Konushevci

May 8, 2018/ KultPlus.com

Të ngjajshme