10 Korrik, 2019 - 7:31 pm
Nga Ruben Avxhiu
Shkrimtari i ri, Rodrigo Blanco Calderón, që jeton në
Malaga, të Spanjës, bëri një anketim spontan në rrjetin social Tuitër, ku i
pyeste lexuesit se se nëse do të zgjidhnit dy shkrimtarë për Çmimin e ardhshëm
të Nobelit në Letërsi, kush do të ishin.
Postimi i shkruar në spanjisht merr përgjigje kryesisht nga përdorues
spanjishtfolës të rrjetit. Mes emrave të shumtë të preferuar, ai më i
përsërituri është ai i shqiptarit Ismail Kadare.
Aq shumë përsëritet emri i shkrimtarit shqiptar sa që në fund, vetë Blanco
Calderón shkruan se: “Nga kjo anketë, më habiti dhe më gëzoi konsensusi i gjerë
se një nga autorët të cilit i duhet dhënë pa asnjë dyshim Nobeli është
shqiptari Ismaíl Kadare”.
Autori i librave si “Kronikë në gur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe
“Pallati i Ëndrrave”, ka qenë për shumë vite në listën e shkurtër të
kandidatëve për Çmimin Nobel, po vonesa në njohjen e vlerës së veprës së tij ka
shtuar dyshimin se Kadare do të jetë pjesë e plejadës së shkrimtarëve të
mëdhenj të cilëve nuk iu dha ndonjëherë.
Jo të gjitha përgjigjet për pyetjet tregojnë mirëinformim. Një numër syresh
kanë thënë Milan Kundera, i cili e ka fituar tashmë Çmimin Nobel, apo Amos Oz,
e Umberto Eco, të cilët nuk jetojnë më. Mes dhjetëra emrash të përmendur si
fitues që e meritojnë përveç Kadaresë përmenden shpesh edhe Paul Auster nga
SHBA, Margaret Atwood nga Kanada si dhe poeti Rafael Cadenas nga Venezuela.
Rodrigo Blanco Calderón
Rodrigo Blanco Calderoni, i lindur në Venezuelë e i shkolluar në Paris, ka botuar një numër librash në Spanjë, një prej të cilëve, “The Night” (Nata) ka fituar një numër çmimesh, përfshi edhe Çmimin Dyvjeçar të Romanit “Mario Vargas Llosa” si dhe të Çmimin e Rive Gauche në Paris, për Romanin e Huaj. Për kuriozitet, duke qenë se Venezuela ka qenë në lajme kohët e fundit, ai ka folur ashpër kundër regjimit diktatorial në Venezuelë dhe u është përgjigjur disa kritikëve të tij majtistë në Europë se të jesh kundër tragjedisë të popullit tënd nuk të bën “reaksionar”.
Libri i tij i fundit “Los Terneros” (Demat) doli nga shtëpia botuese “Páginas de Espuma”, në vitin 2018.
Këto anketime nuk kanë ndonjë vlerë për vendim aktual të Komisionit të Nobelit po janë gjithnjë një kuriozitet për të parë çfarë lexojnë njerëzit në vende e gjuhë të ndryshme, si dhe për të mësuar ndonjë emër të ri shkrimtari për ata që kanë nevojë për sugjerimin e ardhshëm. Më së paku, mund të thuhet se gati dy dekada në shekullin e ri, shkrimtari Ismail Kadare ka ende plot admirues në botën spanjishtfolëse.