Librat e babës

30 Janar, 2024 - 1:46 pm

Ardianë Pajaziti

Librat e babës në familjen tonë ishin një ceremoni në vete. Gjithçka sillej rreth librave të babës. Nuk mbaj mend të ketë qenë ndonjë temë më e shpeshtë se sa ajo për librat, rreth librave dhe me librat.

Edhe kërkimet brenda shtëpisë kanë pas pikë reference librat e babës. Ku janë syzet? – te librat e babës; Ku janë dokumentet? te librat e babës; ku, ku, ku-  ka pas gjithmonë një përgjigje të njëjtë në shtëpinë tonë, te librat e babës.

Ky ishte komunikimi më i zakonshëm për familjen tonë. Librat e babës ishin bërë pjesë e jona, si të ishin qenie të gjalla.

Dhe ne asnjë nuk i referoheshim si bibliotekë, po krejt ato libra tashmë kishin marr epitetin “Librat e babës” se me të vërtetë ishin të babës.

Panairi i librit dhe blerja e një libri të ri ishte solemnitet për të. Kurrë se kam pa babën që një libër të ri ta merr me nguti. Vështrimi i tij mbi kopertinën zgjaste më shumë se sa duhej. E shikonte sikurse ta kishte dizajnuar vet, dhe se nëse Shtëpia Botuese ta ketë lëshuar ndonjë gabim. E krejt vonë, vonë pas një soditje të gjatë, ai fillonte ta shfletonte me një kujdes, që nuk e kam pa te një tjetër.

Baba lexoi shumë, deri në fund të jetës së tij. Disa prej librave i kanë mbete pa lexuar fare, ato nuk e patën fatin që të përzienin aromën e letrës me aromën e babës. Nuk do të mbeteshin në gjendje të tillë, sikur mos të kishte problemin me sy. Me një palë syze goxha të rënda, me ndihmën edhe të një llupe dhe me përshtatjen e rrezeve të diellit në rreshtat e librit, bukur sfidues, baba vazhdoi leximin e librave të tij deri në fund te jetës së tij.

Dhe tashti, sa herë që shoh një bibliotekë, e kam fjalën për bibliotekat personale, në shikim të parë më duket një bibliotekë e zakonshme, një bibliotekë e pluhurosur ose e pastër, por në fakt, këto biblioteka janë thesar të paçmuar, sepse, nëpërmjet kësaj biblioteke njoh shijen e personit që ka blerë përgjatë gjithë jetës së tij/saj, ndjej aromën e librit, diku-diku edhe aromën e personit koleksionues, shoh ndonjë shënim aty këtu: datë, vend, diku-diku ndonjë dedikim, dhe fletët e zverdhura të kohës, që dëshmojnë vjetërsinë.

Pata fatin të rritem në mes të librave, duke qenë vajza e një adhuruesi të madh të librit. Ku shumicën e shkrimtarëve, sidomos emrat, i mësova përtej moshës së vogël që kisha. E më pas të thellohesha edhe në krijimtarinë e tyre.

Të kesh fatin të rritesh mes librave është edhe një përparësi tjetër, se qysh herët e sofistikon shijen, jo se ti ke shije të hollë, por ke një gjeneratë para teje që të mëson të jesh një seleksionuese e thellë.

Sepse, në këtë kohë dinamike, ti falësh kohën një ‘libri’ apo ‘autori’ nuk është vetëm humbje kohe, është shtrembërim i shijes, e sidomos për ata që janë në ndërtim e sipër të përzgjedhjes së autorëve, zhanreve…

Po sikurse që ka përparësinë të rritesh mes një biblioteke, ka edhe defektin tjetër. Në raport me librat e babës kam një obsesion ta pashpjeguar. Librat e tij nuk dëshiroj që ti prek dikush tjetër. Mes tyre, përpos aromës së vjetërsisë së librit, më ngjason që nuhas edhe aromën e tij. Deri sa shpalosë fletët e librave, kam ndjesinë se më puqen prekjet me prekjen e tij. Dhe jo një gjësend tjetër ta jep këtë ndjesi, ku përpos tregimit që të sjell po ai libër, të sjell kujtimet e shtëpisë së vegjëlisë, hijen e rënd të babës dhe diskutimin për librin.

Më mësoi se si duhet të jemi të rreptë me përzgjedhjen e librit, përzgjedhjen e autorëve. Fatkeqësisht, jo të gjitha librat janë libra që vlen të shpenzohet për to, sikurse që ka libra që do të dëshiroje me çdo kusht ti kesh pjesë të bibliotekës.

Unë i përulem babës, se ai më ndërtoi një shije të mirë për librin, më ndërtoi një lidhje të mirë me librin, dhe ajo më e rëndësishmja, edhe përkundër faktit që nuk është më në mesin tonë, unë ende kam kontakt me të, po nëpërmjet librit. Dhe, sa herë që diskutohet për librin, unë humbem në mendime. Copëza të diskutimeve me të, gjithnjë dhe gjithmonë janë më dominuese se çdo diskutim në tavolinat e ditëve të sotme./ KultPlus.com

Të ngjajshme