Luljeta Aliu: Policia vetë është patriarkale dhe nuk e dënon kryesin e veprave si duhet

28 Korrik, 2020 - 5:25 pm

Luljeta Aliu

Dhunën ndaj grave nuk e parandalojnë postimet në FB. Dhunën ndaj grave e parandalojnë institucionet si gjykatat, ligji, policia. Fatkeqësisht, në Kosovë, shkelësi më i madh i të drejtave të njeriut janë vetë gjykatat, sipas raportit të Avokatit të Popullit. Madje, sipas hulumtimeve të INJECT, diskriminimi institucional gjinor që ndodhë në policinë e Kosovës, nga mekanizmat mbikëqyrës si Inspektorati, Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Zyra për Ankesa, mundohet të fshehet, duke sajuar dhe shpikur dokumentet inekzistente, vetëm e vetëm pêr të shpallur të pafajshëm zyrtarët policorë që nuk i trajtojnë rastet e lajmëruara të dhunës.

INJECT ka kohë që e ka ngritë zërin për nevojën që të diskutohet për diskriminimin dhe dhunën institucionale. Madje ka bërë edhe kallëzime dhe padi për diskriminim ndaj Policisë së Kosovës. Poashtu, unë personalisht kam denoncuar policët, të cilët publikisht më kanë ofenduar në FB me komente gjatë një emisioni rreth shkeljeve të policisë. Lajmi i mirë është që një prej tyre është shpalllur fajtor, shkelje e rëndë disiplinore. Por vetëm një. Për të tjerët nuk kam marrë asnjë lajm, as keq as mirë. Ndërsa këtij fajtorit për shkelje të rëndë, dënimin ia kane dhënë 21% të rrogës për dy muaj. Si ka mundësi dënimin më të vogël të mundshëm për shkelje të rëndë? Policia vetë është patriarkale dhe nuk e dënon kryesin e veprave si duhet. Çfarë të presim ne pastaj mga qytetarët?

Dhuna dhe diskriminimi nga institucionet duhet të trajtohet urgjentisht, nëse dëshironi përmirësim të rendit dhe ligjit. Ndëshkime maksimale duhet, e jo përkdhelje!/ KultPlus.com

Të ngjajshme