1 Maj, 2019 - 3:27 pm
Nga Adnan Berisha
A t’ka dal viza?, Kur po ja therr?, Sa ke prit për termin?, janë vetëm disa nga pyetjet që po bëhen çdo here e më të shpeshta. Shumë kosovarë tashmë veçse kanë zgjedhur ta lënë Kosovën.
Papunësia, pagat e ulëta, mos respektimi i ligjit të punës, janë vetëm disa nga arsyet pse shumica e kosovarëve po zgjedhin rrugët e Perëndimit.
Këtu në Kosovë, lerë më që të papunët janë të zhgënjyer me këtë vend, por ajo që më së shumti është brengosëse është zhgënjimi dhe dëshpërimi nga klasa punëtore, e veçanërisht njerëzit me kuadro të lartë shkollore, siç janë mjekët.
Punëtorët në sektorin privat ankohen për pagesa të ulëta, orari shume i gjatë i punës, deri në 10- 12 orë punë gjatë ditës, mos pajisja me kontrata, janë vetëm disa nga shqetësimet e tyre. Përkundër tyre, ata në sektorin publik qëndrojnë më mirë, rrogë +500 euro, orari në përputhje me ligjin e punës, kontrata të punës, por edhe këto benifite për shumë kë po janë të pamjaftueshme.
Shumë mjekë dhe specialistë të kualifikuar ndonëse me ligjin e ri të aprovuar tash së voni, paga e tyre arrin shifrën 1200 euro, por ata po e lënë këtë pagë, e po shkojnë në Gjermani të bëjnë të njëjtën punë, natyrisht me një pagë shumëfish më të madhe.
Ku është Qeveria në këtë “rrëmujë”
Jo vetëm kjo e tanishmja, por të gjitha ato paraprake kanë dështuar për sa i përket “mbajtjes në kontrollë” të kësaj dukurie. Natyrisht kjo dukuri ndonëse po ndodhë këto vitet e fundit, ajo është rrjedhojë e 20 vjet pas luftës dhe 11 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.
Gjë tjetër që kanë dështuar qeveritë e deritanishme, është edhe mos rritja e pagës minimale, e cila aktualisht është 130 euro për punëtorët nën moshën 35 vjeçare dhe 170 për punëtorët mbi këtë moshë. / KultPlus.com